Dark Mode Light Mode

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Follow Us
Follow Us

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use

Vjehrra po më shkatërron familjen!

Unë që po ju shkruaj jam një grua e re në moshë, por jam martuar e vogël e tani kam tre fëmijë. Shoqet e mia janë në shkollë dhe unë kam shumë dëshirë të isha me to, por kjo duhej bërë në kohë e jo tani kur më shumë se shkolla, më duhet jeta e qetë familjare. Ndoshta të gjithë njerëzit, kur më shohin, mendojnë se jam rehat e bëj një jetë luksoze, por jo çdo gjë është ashtu siç duket.
Siç ju thashë, u martova kur isha 17 vjeçe. Meqë nuk isha mirë me mësime, prindërit më martuan me të parin që më kërkoi, pra, që erdhi në shtëpi e kërkoi dorën time. Nejse, edhe unë doja të lidhesha me dikë. Nuk e di pse e kisha këtë qejf, ndoshta ngaqë jetoja në fshat dhe burri jetonte në qytet e mendoja se do të jetoja më mirë. Isha dakord me prindërit që të martohesha me të. Ishte nja 5 vjet më i madh se unë dhe ishte një njeri me të cilin mund të kisha perspektivë, sepse ishte në shkollë të lartë dhe mund të më siguronte jetën. Dhe ashtu ndodhi. Që në momentin që u martova me të, kisha gjithçka që mund të dëshironte një grua. Ai mbaroi shkollën e lartë dhe u fut në punë e më vonë ngjiti shkallët e karrierës një e nga një me një rrogë të mirë dhe me shumë përfitime. Edhe vjehrri punonte shumë dhe në shtëpi nuk na mungonte asgjë. E vetmja gjë që mund të quhej e padurueshme ishte qëndrimi në shtëpi e mosvajtja në punë. Megjithatë, rritja e fëmijëve më merrte shumë kohë. Nuk ndenjëm shumë me prindërit e tij në një shtëpi, sepse kishim mundësi ekonomike dhe blemë shtëpinë tonë. Jeta ime ishte jetë përrallash dhe gjithmonë mendoja se ia kishte vlejtur sakrifica e lënies së shkollës. Kur linda fëmijën e parë, vjehrra më vinte shpesh për vizitë dhe si e vogël që isha, nuk kuptoja se kur ajo fliste mirë me mua e kur fliste me të keq. Edhe kur linda dy fëmijët e tjerë vinte, por jo aq shpesh. Nejse, unë nuk ia vija shumë veshin pasi e ndjeja se nuk kisha shumë nevojë për ndihmë, se isha mësuar me fëmijën e parë.
Kaluan vite dhe fëmijët m’u bënë 6, 4 dhe 2 vjeç, sepse i bëra shumë shpesh. Tani isha pak më e lirë, por na ndodhi një fatkeqësi, na vdiq vjehrri. Ai ishte shumë i mbajtur, por pas një infarkti mjekët nuk mundën ta shpëtonin. Burri im u mërzit shumë, por edhe unë, sepse kisha një respekt dhe një dashuri si për babain tim. Edhe vjehrra u mërzit shumë. Dhe kishte të drejtë, sepse ai ishte një burrë që jo shumë gra do ta kishin si fat ta kishin. Ai ishte punëtor, i edukuar dhe shumë i dashur me të gjithë, ashtu si burri im. Një ditë, burri erdhi në shtëpi e më tha:
– Isha nga mami. Po mërzitet e nuk e di si do t’ia bëjë. Nuk po mundet ta kalojë këtë që i ndodhi.
– E ka të rëndë, nuk diskutohet. Si ta ndihmojmë?
– Mendoj ta marrim për ca kohë në shtëpi. Ndoshta fëmijët e ndihmojnë ta harrojë sadopak.
– Nëse kjo është zgjidhja, nuk kemi pse ta diskutojmë – i thashë menjëherë. Ndjeja një respekt e dashuri të madhe për vjehrrit.
– Jam me fat që të kam për grua ty! – ishte një fjalë që ma thoshte shpesh burri im.
Dhe kështu, e morëm vjehrrën në shtëpi. Kishim mjaft vend dhe për mua ishte mirë, se do të kisha një njeri që do të më ndihmonte në punët e shtëpisë dhe me fëmijët. Jo se ishte marrë shumë me fëmijët e mi, siç ju thashë dhe më lart, po ishte gjyshja e tyre dhe ata do ta kishin afër.
Në fillim, çdo gjë ishte në rregull. Ajo paradite ngrihej herët, dilte me shoqet në kafe e kur kthehej nuk fliste shumë, vetëm merrej pak me fëmijët e më pas futej në dhomën që i kishim lënë e nuk shqetësonte njeri.
– Mos rri kaq shumë vetëm, – i thashë një ditë kur erdhi nga kafja. – Tani mbyllesh në dhomë e nuk del, kështu merzia do të të shtohet. Ne prandaj të morëm, që të mos jesh vetëm.
– Po nuk dua t’ju bezdis juve. Ke pak fëmijët e të më kesh edhe mua nëpër këmbë.
– Ç’janë këto fjalë që thua?! Ne jemi familja jote, – i thashë e habitur se mua as që më kishte shkuar ndërmend se mund të mendonte që më shqetësonte.
Nejse, që nga ajo ditë, ajo rrinte më shumë me ne, por nga dita në ditë filloi të ndryshonte. U fliste me ton të lartë dhe të egër fëmijëve, nuk duronte që ata të luanin e ta shqetësonin kur shikonte telenovelën. Mundohesha t’i mbaja në qetësi, por ata ishin ende të vegjël e nuk kuptonin. Ajo nuk më ankohej mua, por i thoshte burrit.
– Nëna është shumë e mërzitur. – më tha ai. – Duhet të mundohesh t’i mbash fëmijët e t’i edukosh që të jenë të urtë.
– Po ata janë të vegjël!
– Që tani e marrin kulturën e edukatën. – tha ai i bindur se unë nuk isha e zonja t’i rrisja si duhet.
– Nuk po kuptoj se çfarë do të thuash. Nëse ke diçka për të thënë, ma thuaj hapur. Ne jemi mësuar t’i themi gjërat gjithmonë hapur, apo jo? Çfarë ka ndryshuar?
– Asgjë nuk ka ndryshuar, vetëm se nënës i duhet shumë qetësi që të kalojë mërzinë.
Unë e kuptova se ai nuk fliste ato që mendonte vetë, por ato që i kishte thënë vjehrra.
– Po ajo qetësi kishte te shtëpia e saj, këtu erdhi për të humbur mendjen! – i thashë.
– Po po bëhet më keq se fëmijët janë të prapë. Ajo nuk është mësuar kështu, se ne kemi qenë familje shumë e edukuar dhe me kulturë.
– Ti po shan fëmijët e tu tani, apo mua? Kush është fajtori, se nuk po e kuptoj?
– Nuk ka fajtor këtu, vetëm se duhet të merresh më shumë me fëmijët.
– Unë me fëmijët merrem gjithë ditën dhe ti e di mirë se jetën ua kam kushtuar atyre. As bëra shkollë si ti e as nuk rri kafeve si nëna jote.
Këto fjalë ishin të rënda e këtë e kuptova pasi i nxora nga goja.
– Si guxon të flasësh kështu? Çfarë të mungon ty? – tha ai i xhindosur. Nuk e kisha parë ndonjëherë ashtu, ndaj u tremba dhe u mundova ta qetësoja.
– Më fal se më erdhën fjalë që nuk i mendova.
Në atë çast, ai sikur u qetësua dhe nuk foli për pak çaste. Edhe unë nuk fola. Më pas i thashë:
– Zemër, ne gjithmonë duhet të jemi të bashkuar e të mos zihemi, por të arsyetojmë që ta mbajmë lidhjen e shëndoshë.
– Dakord, dakord, – tha ai e ra në mendime të thella. Në darkë bënim sikur nuk kishte ndodhur asgjë. Të nesërmen, kur vjehrra donte të dilte për kafe me shoqet, i thashë që ta pinim kafen bashkë atë ditë e t’i lajmëronte shoqet se nuk do të shkonte. U ulëm në një lokal dhe ajo bënte sikur nuk e shqetësonte asgjë. Mua po më vlonte truri nga fjalët e nuk po dija si t’ia thoja ato që mendoja.
– Nënë, a ndjehesh mirë në shtëpinë tonë? – i thashë me një ton të ëmbël pa asnjë acarim.
– Po, shumë mirë. Pse?
– Thashë se mos ndoshta fëmijët të shqetësojnë, ngaqë janë të vegjël e kanë dëshirë të luajnë.
– Po të vegjël janë ata. – ajo vazhdonte lojën e saj sikur nuk i kishte thënë asgjë burrit tim.
– E di se e ke vështirë të hapesh me mua. Nuk po flas me doreza e po të them se çfarëdo që të kesh në lidhje me mua, dua të ma thuash mua e jo tjetërkujt.
– Tjetërkujt? Djalit tim duhet t’i them gjithçka. Ai është i imi, nuk kam tjetër në këtë botë. Me atë do t’i qaj hallet e mia.
– Po jeta e tij është e lidhur me mua dhe me fëmijët. Nëse ti vazhdon të fusësh xixa mes nesh atëherë jeta e tij do të shkatërrohet.
– Po të dish ti të jesh një grua e rregullt, nuk ka si t’i shkatërrohet. Mësoji mirë fëmijët e pastaj unë nuk kam pse të ankohem askund.
– Sa mirë që dole vetë aty ku doja të dilja unë. Fëmijët e mi janë të edukuar ashtu siç duhet. Nëse ti i thua edukatë asaj që bën prapa krahëve të mi, unë nuk jam dakord dhe për këtë mund të pyesësh të gjithë e ta sqarojnë. Pastaj, ti je gjyshja e tyre. Afroji pak e ata do të sillen ndryshe me ty.
– Si duket të paskam bezdisur e do të largohem nga shtëpia jote.
– Tani po thua këto se e di edhe vetë se je komplet gabim. Unë nuk jam mërzitur me ty, por me veprimet e tua. Nuk e kupton ti se këto gjëra mund të prishin lidhjen tonë? A do të jesh e kënaqur nëse zënkat mes ne të dyve do të shtoheshin deri në ekstrem?
– Kjo është puna juaj! – tha me ton të ashpër, por edhe justifikues.
– Është puna jonë kur zihemi për gjërat tona, gjë që nuk ka ndodhur kurrë, por është puna jote kur ti “i fryn në vesh” tim shoqi.
– Ehu, pse nuk thua shkurt që do të jetosh në rehatinë tënde? Po mos harro se bazën e pasurisë që ke, e ke nga krahët e burrit tim dhe të mitë. Ne ishim ata që ju dhamë dorën për të ecur para.
– Këtë hall paske ti, – i thashë e inatosur, – te pasuria. Mua nuk më intereson pasuria më shumë se harmonia familjare. Nëse mendon se çfarë kemi e kemi nga ju, thuaj çfarë do e unë jam gati të t’i jap, vetëm që të shpëtoj martesën time.
– Këto gjëra nuk kam pse t’i diskutoj me ty, pa qenë djali im këtu.
– Dakord! – i thashë.
Në darkë, kur erdhi im shoq, e hapa unë bisedën.
– Nuk e di a të ka thënë nëna për bisedën që bëmë sot në mëngjes…
– Po, më ka thënë.
– Kur?! – u habita. Ajo rrinte e nuk fliste aspak. – Ti tani sa e takove.
– Më tha në telefon në kohën e drekës. Po ti, ç’ke që je kaq e tensionuar? E di se kjo gjendje e jotja nuk u bën mirë fëmijëve?
– Ç’po thua kështu? E si është gjendja ime?
– Po ja, që do vetëm të zihesh.
Në atë çast, m’u duk se burri im ishte tjetërsuar. Ne të dy kishim një lidhje të veçantë e kjo na kishte sjellë lumturi qëkur ishim martuar.
– Jam keq unë, apo nëna jote që kërkon pasurinë?
– Po të drejtë ka, se gjithçka ka rrjedhur nga prindërit e mi. Pse, mos kujton se na kanë mbajtur mollët e rrushi që na kanë sjellë ata të tutë nga fshati?
– Më fal, po unë nuk po të njoh. Nuk e di se ç’ke në kokë, po je tjetër njeri. Po habitem…
– Mos u habit aspak. Unë nënën time nuk e lë në rrugë. Do shesim shtëpinë e prindërve dhe do të jetojmë të gjithë bashkë. Lekët do t’i ndajmë përgjysmë që edhe nëna të ketë diçka për vete.
Kjo ishte një bombë që nuk e prisja. E morëm vjehrrën në shtëpi se na erdhi keq dhe ajo tani po na bën të shesim dhe shtëpitë e të ribashkohemi.
Tani, unë ndodhem në këtë pikë. Nuk e di si do t’i vejë filli kësaj pune, veç dua që familja ime të kthehet edhe njëherë ashtu siç ishte, e lumtur dhe e shëndetshme. A do të jetë e mundur kjo? Nuk e di.

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Add a comment Add a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Post

Vajzat kerkojne djem...

Next Post

Tani, gjithçka mund ta bëjë një... çip!

Advertisement