Studime të shumta shkencore kanë treguar lidhjen mes pijeve freskuese me sheqer dhe sëmundjeve si obeziteti, kanceri apo depresioni. Dihet gjithashtu se konsumimi i pijeve me sheqer luan një rol të rëndësishëm në shfaqjen e diabetit të tipit 2. Si pasojë e këtyre rezultateve, këshillohet të ulet sasia e sheqernave në ushqim, kryesisht duke zëvendësuar produktet me sheqer, me ato me ëmbëlsues. Megjithatë, kohët e fundit janë botuar rezultatet e një studimi të gjatë, të publikuar në Gazetën Amerikane të Ushqimit, që tregon se produktet e ashtuquajtura «light», nuk të mbrojnë kundër diabetit të tipit 2. Përkundrazi, ato shtojnë rrezikun e shfaqjes së kësaj sëmundjeje me 59% te gratë (për një konsumim javor prej 1.5 litrash).
Për të shpjeguar këto rezultate, studiuesit përmendin faktin se konsumuesit e kësaj lloj pijeje zotërojnë “një oreks më të madh për sheqerin në përgjithësi”, në raport me gratë që nuk pinë pije freskuese. Pastaj, studimi nxjerr në pah rolin e ëmbëlsuesve në shfaqjen e diabetit. “Aspartami, i cili është një nga ëmbëlsuesit kryesorë të përdorur sot, shkakton një shtim të glicemisë, si pasojë edhe të nivelit të insulinës, të krahasueshëm me atë që shkakton sheqeri”, shpjegojnë shkencëtarët.
Nga ana tjetër, tek ata që konsumojnë lëngje frutash 100%, nuk është parë një shtim i rrezikut të diabetit. Gai Fageraci, njëri nga pjesëmarrësit në studim ka bërë thirrje për maturi, pasi duhen bërë edhe studime të tjera për të konfirmuar vërtetësinë e këtyre rezultateve, por prapëseprapë, i vërtetë mbetet fakti që pijet e quajtura “light”, apo “zero” duhen konsumuar me masë.
Kujdes nga tatuazhet!
Në Francë, një në dhjetë persona bën tatuazh. Kjo tendencë duket se sa vjen e shtohet, por duhet thënë se tatuazhi nuk është pa rrezik. Përveç rrezikut se mund të pendohesh më pas për zgjedhjen e tatuazhit, ekziston edhe ai që ka lidhje me shëndetin. Kohët e fundit është dhënë alarmi ndaj një boje që përdoret për tatuazhet dhe që thuhet se është e infektuar nga myku Acremonium Fungi, i cili mund të shkaktojë inflamacion të indeve të kockave.
Gjithçka ka filluar në Republikën Çeke. Një vajzë e re, si shumë të tjera, shkon te specialisti për të bërë një tatuazh. Deri këtu asgjë e jashtëzakonshme, vetëm se, disa ditë më vonë, ajo pëson një infeksion dhe një inflamacion nën lëkurë. Ajo shkon në spital ku i thonë se shkaktare për këtë është boja e përdorur për të bërë tatuazhin. Kështu, kanë filluar kërkimet dhe është zbuluar se boja në fjalë përdoret në shumë vende evropiane, janë zbuluar furnizuesit dhe janë paralajmëruar klientët e tyre të mos e përdorin më atë bojë.
Gjithashtu, duhet që, personi që bën tatuazhe të respektojë të gjithë masat e nevojshme sanitare. Duhet ditur se tatuazh nuk mund të bëjnë të gjithë, për shembull, nuk mund të bëjnë ata që vuajnë nga hemofilia, ata që janë alergjikë ndaj disa metaleve, disa bojërave dhe pigmenteve. Mos hezitoni të kërkoni informacione mbi bojërat e përdorura. Pra, është e rëndësishme të jeni vigjilentë dhe të matur para se të bëni një tatuazh, gjithashtu, të zgjidhni një motiv, për të cilin nuk do të pendoheni më vonë, pasi një tatuazh zgjat gjithë jetën.