Pohimi publik i ambasadorit amerikan para pak kohe, duke përgjegjësuar të dy forcat kryesore politike në vend, për gjendjen e pakëndshme të zhvillimeve demokratike në Shqipëri, nivelin e lartë të korrupsionit dhe ca më keq mungesën e ndëshkueshmërisë, vuri në siklet jo vetëm kryeministrin e vendit, por edhe mjaft elektorat të majtë që i kishin dhënë votën kësaj force politike.

 

E pamë kreun e qeverisë, për këtë të kundërshtonte flakë për flakë, me stilin e tij disi populist dhe kategorik, plot gjeste aktoreske, përtej etikës diplomatike, si një inatçi i sprovuar, të pohonte se e neveriste çdo mendim që lidhej me barazimin e antivlerave me qeverisjen e shkuar, se jo vetëm s’kish vend sipas tij një identitet i tillë, por se gjithçka e keqe për vendin dhe demokracinë shqiptare lidhet vetëm me të shkuarën dhe qeverisjet e mëparshme. Por, nëse ky e bëri një pohim të tillë pasi është në konflikt interesi me paraardhësit e tij, edhe mjaft njerëz u pështjelluan disi keq nga pohimi i ekuivalencave të përgjegjësive. Si mund të krahasohet thonin ata, një qeverisje e shkuar që e mbyti vendin në krime dhe në gjak, me një qeverisje që edhe jo shumë e suksesshme po përpiqet të bëjë diçka. Një qeverisje e mëparshme ku korrupsioni dhe vjedhja qeveritare, përmes koncesioneve, tenderave, politikave ndërmjet të tretëve, ishin ligji themelor mbi të cilat ishte ndërtuar drejtimi i shtetit.
Me një qeverisje sot, që sapo kanë nisur belbëzimet e para për mega korrupsionet me aferat me tendera, përmes bordeve të drejtimit dhe mekanizmave të tjera të korrupsionit. Më konkretisht, si mund të krahasohet një ish kryeministër që ka vrarë njerëz në mes të ditës me koburen e shtetit, me një kryeministër sot, që mëkati i tij është hobi për t’u shkulur njerëzve veshët?! Një ish kryeministër përbindësh ku shtetin dhe pushtetin e përdorte sikur ta kishte pronë private, më keq se sulltanët dhe pashallarët e kohërave më antinjerëzore, me një kryeministër sot, që e ndien veten kalorës të një administrate shtetërore gati të paaftë, të pandjeshme ndaj detyrimit ligjor për t’i shërbyer qytetarit me korrektësi dhe në mënyrë ligjore, pra mediokre dhe të mefshët, por jo aq agresive si ajo e para. Pra, thjesht me një ish kryeministër tigër i vërtetë, gjakatar dhe një kryeministër që sado që fryhet dhe pozon si gjigand, kuptohet se është një tigër prej letre. Po të vazhdojmë me krahasimet duket se pohimi i ambasadorit amerikan dukej jo shumë i gjetur.
Po një analizë me nerva të qeta, larg pasioneve dhe ngarkesave politike partiake, duke ju referuar standarteve demokratike ,politikave vizionare ,nevojës për konsensus dhe kompromis mes forcave politike në vend, atributeve në ndërtimin e shtetit ligjor, nevojën për shpërbërjen e monopoleve dhe sistemeve korruptive, bindesh se për realitetin problemor në zhvillimet e demokracisë shqiptare, përgjegjës kryesorë janë forcat politike të të gjitha krahëve dhe qeverisjet që u përkasin atyre. Për shkak se te ne lufta politike është parë si një luftë antagoniste që ka çuar në asgjësimin e kundërshtarit politik dhe jo në marrëdhënie konsensusi dhe kompromisi mes tyre, liderët e këtyre forcave politike kërkojnë edhe nga ndërkombëtarët vlerësime kategorike sipas parimit o me ne, ose me kundërshtarin tonë politik. Rrugë të mesme, ata nuk pranojnë. E duan këtë gjë që ndërkombëtarët të na thonë se krimet e njërës qeveri kanë qenë më të mira se krimet e qeverisë tjetër, apo të na thonë se kush nga qeveritë i ka futur duart më thellë në xhepat e popullit, se në cilën qeverisje është vjedhur më pak thesari dhe banka e shtetit, dhe në cilën qeverisje është bërë batërdia, se përmbytjet natyrore në cilën qeverisje kanë qenë më të ëmbla dhe romantike të tipit venecian, dhe në cilën qeveri këto përmbytje kanë qenë vërtet dramatike, tragjike si në ujëvarat e “Bjeshkëve të namuna”. Dhe po të na thonë, si në rastin e ambasadorit Lu, hapur dhe troç se përgjegjës për këtë katrahurë njëzetë e pesë vjeçare janë të dy forcat politike që kanë drejtuar vendin, udhëheqësit tanë primitivë politikë, turbullohen, turfullojnë, marrin zjarr duke u arratisur nga liria dhe duke përbuzur oponencën e huaj.
Po pse e ka kaq problem Rama, barazimin e antivlerave mes qeverisjeve?! Mos vallë ato nuk ekzistojnë? Natyrisht që ato ekzistojnë në të gjitha qeverisjet, ndërsa madhësia, rrezikshmëria shoqërore dhe shkalla e dëmit që ato i kanë shkaktuar shtetit dhe shoqërisë, janë çështje që duhet t’i gjykojnë dhe analizojnë pushtetet e pavarura dhe ai gjyqësor. Po ku qëndron problemi? Pranimi i tezës së barazpërgjegjësive dhe antivlerave mes qeverisjeve, të sotmes dhe asaj të djeshmes do ta rrënonte shumë aureolën e Partisë Socialiste, pasi ajo ka ardhur në pushtet me denoncimin në publik të antivlerave të qeverisjes Berisha. Flamurin e antiberishizmit dhe qeverisjeve të tij të korruptuara, Rama e përdori me shumë sukses, duke i siguruar në dy zgjedhjet e fundit fitore të thella. Ai e ka llogaritur drejt se për sa kohë Berisha të qëndrojë në politikë, ai do të gëzojë urrejtjen popullore dhe pushteti do të jetë i Ramës. Ndaj barazimi i antivlerave mes qeverisjeve të Ramës me atë të Berishës, e nxjerr zbuluar të parin.
Kjo edhe për faktin tepër dyshues të përfoljes për një marrëveshje të heshtur mes tyre për paqe, garantim të pasurive korruptive të Berishës dhe liri të plotë të tij. Me frymën anti Berishiste, në mënyrë djallëzore Rama do ta mbajë të bashkuar elektoratin, në kushtet kur ai është krejtësisht i zhgënjyer, i braktisur dhe i lënë pa punë edhe nga qeveria e tij. Pra, duke përdorur gogolin Sali, ai shpreson të mbajë ç’të mbajë nga elektorati që ka nisur të firojë në mënyrë masive. Por, në këtë gjendje Rama, me sa duket do të kryejë edhe disa punë të tjera brenda partisë që drejton, për ta zhvendosur atë më djathtas në spektrin politik. Të maskojë diversionin brenda Partisë Socialiste, ku baza tradicionale e kësaj partie shikohet prej tyre si mall tregu për të mbushur kutitë e votimit në zgjedhje dhe pjesën tjetër të ashtuquajtur rilindje, ose grupi i nëntëdhjetë e nëntëshave, si partner për të ndarë pushtetin, për të drejtuar dhe qeverisur. Ndërsa, përmes përpjekjeve për ta kthyer Partinë Socialiste nga një parti klasike dhe tradicionale, në një parti elektorale, ku janë shkelur hapur bazat ligjore dhe statutore të kësaj partie, do të justifikojë drejtimin me dorë të hekurt dhe shkeljen e demokracisë brenda partisë. Kurse, me ndryshimet kushtetuese të vitit 2008, sistemi i zgjedhjeve është bërë tepër formal, pasi kushdo emërohet nga kryetari. Këshilli i të urtëve të kësaj partie, as më shumë dhe as më pak është kthyer si këshilli i pleqve të Kinës, në kohën e Mao Ce Dunit, të cilët të mbyllur në shpella, tregojnë barsoleta dhe historitë e kohës së tyre të rinisë, pasi kryetari tani ata i ka tredhur politikisht.
Realisht, a ekzistojnë barazpërgjegjësi dhe antivlera mes dy qeverisjeve? Natyrisht që ka. Më konkretisht pa përsëritur këto ekuivalenca të përmendura në një shkrim para disa kohësh, po ndalem në disa probleme më thelbësore. Të dyja këto forca politike i ka trembur dhe i tremb vendosja e shtetit ligjor. Pse? Po të analizojmë krimet më monstruoze të ndodhura në Shqipëri si ato të ’97-tës, ’98-tës, ngjarja tragjike e Gërdecit, vjedhjet disa herë të thesarit dhe të bankës së shtetit, çështja e CEZ, e 21 janarit dhe të gjitha të tjerat, herë si shkak, diku si protagonist apo si sfond i ngjarjeve, në një tjetër si premisë, herë si subjekt dhe herë si objekt, bartësit e krimit mbartin ngjyrime politike të të dy partive, deri edhe të liderëve të tyre kryesorë. U përgjërua pa ardhur në pushtet Rama, se reforma e parë që ai do të ndërmerrte, do të ishte ajo në drejtësi, por edhe pas dy vjet e gjysëm qeverisje, ajo mungon. Madje, çuditërisht ndaj ish kryeministrit, ministrave të përfolur për korrupsion ende nuk është përgatitur nga qeveria aktuale, asnjë dosje për ta dërguar në prokurori. Rastësi të jetë kjo? Kurrsesi! Ky sistem drejtësie, që e kthen kokën gjithmonë nga lëviz dielli i pushtetit, e aftë dhe e nënshtruar deri në përulësi ndaj qeverisjeve, që di të kënaqi interesat e pushtetarëve të të gjitha ngjyrave, me sa duket i ka joshur edhe këta të fundit, duke i bërë ata të ndihen komodë me të, ndaj edhe ka rënë disi entuziazmi për këtë reformë. Ndonjë kalemxhi që shullëhet nën hijen e pushtetit, mund të thotë se në këtë mënyrë si parashtrohet çështja, hidhet poshtë gjithë ajo punë e nisur për reformën në drejtësi.
Edhe pse me shumë vonesë e vlerësojmë nismën e marrë, por më tepër se gjithçka do të vlerësojmë përfundimet e saj, duke shpresuar të mos jetë një marrëveshje politike, një kompromis për të siguruar imunitetin dhe mbrojtjen shtetërore të krimeve të kryera në këto njëzetë e pesë vjet. Po në mënyrën e drejtimit e të qeverisjeve, a nuk kanë disi ngjashmëri? Humbjen tragjike të PD-së në 2013, Berisha e përcolli me shprehjen se ai ishte përgjegjës ndaj dhe s’kishte nevojë për analiza dhe diskutime në PD. Po Rama sot, a nuk po merr mbi vete përgjegjësitë për dobësitë dhe dështimet e derisotme të ministrave të tij? Ky e shpie çështjen deri në ekstrem, duke mos pranuar të bëjë lëvizje në qeveri, të cilat janë të domosdoshme. Berisha e mori përgjegjësinë në humbjen e zgjedhjeve me një lloj hipokrizie tipike që shpreh karakterin e tij, për të fshehur e mbuluar të vërtetat tronditëse që e kishin karakterizuar qeverisjen e tij të inkriminuar. Ndërsa Rama, me sa duket nuk do të bëjë ndryshime në qeverisje dhe administratë, pasi ata janë të përzgjedhurit e tij, produkti i sistemeve të ashtuquajtura konkurse, në shumë raste false, ku përzgjedhjet janë bërë pas perdes.
Po në trajtimin e sukseseve, nëse do ti quajmë të tilla, a ka ngjashmëri në ekspozimin e tyre? Këtë le ta gjykojë lexuesi. Por dy fakte të thjeshta. Një rrugë fshati ndërtohej kur ishte Berisha dhe ai, atë e inaguronte tre herë duke e quajtur sukses të qeverisë, edhe pse ajo realisht nuk kishte investuar asnjë grosh. U kualifikua skuadra kombëtare për në kampionatin europian dhe kryeministri aktual me një axhendë të sforcuar dhe të ngarkuar, ndoshta artificialisht, i ndoqi të gjitha ato jo sikur ishte kryeministër, por sikur të ishte ndihmës trajneri i ekipit kombëtar. Pse e teprojnë kryeministrat shqiptarë në përvetësimin e sukseseve dhe arritjeve, kur ata nuk investojnë asgjë për arritjen e tyre!? Dihet se Berisha e shkatërroi deri në qelizë shtetin shqiptar. Do të bëjmë shtet thotë ky i sotmi. Bukur, të gjithë e duam shtetin pasi ai është mjeti që mbron demokracinë, lirinë dhe të drejtat njerëzore. Po si ndërtohet shteti, pa reformuar më parë pushtetin gjyqësor, kush e mbron njeriun dhe pronën nga shkeljet e të drejtave qoftë edhe nga vetë shteti?! Mos vallë objekt i reformave për të bërë shtet duhet të jenë vetëm të varfërit dhe aspak të pasurit, monopolistët, tërë sistemi shoqëror dhe shtetëror!? Me të drejte ndërmerren masa represive për të shlyer faturat e dritave dhe të ujit, dhe detyrimet e tjera deri në qindarkën e fundit, por kjo gjë nuk bëhet edhe për gjigandët e ekonomisë, madje gjenden para nga shteti për t’u shlyer borxhet e prapambetura, apo për t’u falur detyrimet e papaguara në buxhet. A është e drejtë që ana represive e shtetit të shfaqet për të varfërit dhe ana shoqërore humane e tij të shfaqet për të pasurit?! Në këtë mënyrë për shtresat e varfëra të shoqërisë, shteti shfaqet si kundërshtari i tyre, kurse për shtresat e pasura shteti shfaqet si mik dhe aleatin i tyre.
Vërtetë, Berisha krijoi një gropë të madhe në ekonominë shqiptare, por si po punon qeveria aktuale për ta mbyllur këtë varr të hapur?! Me sa duket jo në mënyrë profesionale, në bazë të ligjeve ekonomike, por në mënyrën më të thjeshtë administrative ku merr borxhe për të shlyer borxhe. Por kjo nuk është zgjidhja! Berisha rrënoi ekonomikisht brezat e sotëm, ndërsa Rama përmes politikës pa kufi të borxheve po rrënon padrejtësisht edhe të drejtat e brezave të ardhshëm. Të gjithë e dimë se antivlerat e qeverisë së mëparshme janë të pakrahasueshme me difektet e antivlerat e të gjitha qeverive të tjera që kanë drejtuar vendin. Këtë e njeh mjaft mirë edhe qeveria aktuale dhe kryeministri i saj. Ndaj me sa duket ata, jo shumë të suksesshëm në strategjinë e ndjekur, tashmë parapëlqejnë teorinë një hap pas Berishës në krime, korrupsion, mashtrime elektorale, demagogji dhe pushteti është i sigurt për ta edhe shumë kohë të tjera. Duke gabuar se kohët kanë ndryshuar, njerëzit janë zgjuar, zhgënjimi po duket në sytë e tyre.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *