– I nderuar doktor Demiri, jam një 37 vjeçare, nënë e dy fëmijëve. Kam një dhimbje të madhe pas koke. Më duket sikur po më godet dikush, sikur do të plas; dua të më shtrëngojnë e të më masazhojnë ose humbas ndjenjat. Shpeshherë edhe qaj. Jam vizituar dhe më kanë thënë se vuaj nga veshi i mesëm dhe po pi cinarizinë 25 mg. Kur i pi rregullisht, jam shumë mirë, por dua të di: a të vazhdoj t’i pi pasi kam 4 vjet që i përdor dhe sa i ndërpres, më fillon dhimbja? Ju lutem, më ktheni një përgjigje se më duket vetja sikur jam bërë e bezdisshme për familjen; sëmurë sot, sëmurë nesër. Ju lutem, më ndihmoni me një përgjigje.
Dr. Jashar Demiri, psikolog klinicist: – E nderuar 37 vjeçare, ju thoni se keni një dhimbje koke shumë të madhe, sa ju duket sikur po ju “pëlcet” koka, doni masazhim ose koka nuk ju pushon. Thoni se jeni diagnostikuar nga veshi i mesëm dhe po pini cinarizinë 25 mg. dhe se kur e pini rregullisht jeni shumë mirë. Unë do të shpreh rezervat e mia lidhur me diagnostikimin, por ju nuk më thoni nëse keni bërë apo jo ndonjë EEG apo EZHE, pra çfarë ka nxjerrë shkenca, analizat, pasi simptomat mund të jenë shpesh edhe fallco dhe nuk tregojnë gjithmonë sëmundje. Njerëzit me shumë ankth e stres, përjetojnë të tilla simptoma, të cilat janë aq “tinëzare” dhe “imituese” saqë çorientojnë edhe vetë mjekët. Prandaj sot nuk operohet më si dikur askush vetëm sepse thotë “vdiqa se më ka plasur apendesiti”, pasi kjo mund të jetë dhimbje “pseudo” ose siç thonë teologët “dhimbje që i krijon shejtani”. Më kanë ardhur raste si ky i juaji, me pretendimin se kanë veshin e mesëm, mirëpo ata që e kanë këtë diagnozë, nuk mbahen dot, nuk lëvizin dot pa u mbajtur nëpër objekte sepse u “rrotullohet” shtëpia. Para ca ditësh më erdhi një studente e pikturës dhe m’u ankua kështu si ju. Kishte dhimbje të forta therëse prapa kokës. Një mjek, i afërm i saj i kishte thënë se ka veshin e mesëm. Unë i thashë se as mjeku i përgjithshëm, as unë nuk mund ta përcaktojmë këtë gjë. Ndërkohë që ajo po fliste, dhimbjet e kokës i kishte mjaft therëse. Iu lut shoqes së saj që t’i bënte pak masazh, por unë në atë moment vendosa që të bëja një eksperiment. Vendosa që ta provoja ta trajtoja atë me teknikat e “humbjes së mendjes” ndaj i thashë shoqes që të dilte se do t’ia bëja vetë masazhin. Ajo shprehu pak habi, por edhe mirënjohje. I thashë klientes që të dilte te divani përballë e ajo doli pa u mbajtur askund, madje me një ecje prej balerinë. Meqë më tha se studionte për pikturë, vendosa ta përqendroja diku që ta shpërqendroja nga dhimbjet e saj. Përballë kishim pikturën e famshme të Mona Lizës. I thashë se pikturën e kisha origjinale dhe ajo qeshi me “naivitetin” tim e më tha se orgjinalja ruhet më shumë sesa Shtëpia e Bardhë në SHBA. Po e shihnim të dy pikturën “magjike” e i thashë se autori e mbante atë kudo me vete prej shumë vitesh, ndërkohë që po e punonte. Ajo këtë nuk e dinte ndaj u çudit. Kulmi ishte kur i thashë se autori nuk ka piktuar në fakt ndonjë femër, aq më tepër të porsalindur, por një djalë homoseksual të cilin e donte shumë, por që për “maskim” e bëri si femër… Ajo vazhdonte të çuditej e ndërkohë harroi që i duhej “patjetër” masazhi. Ishte futur pak e nga pak shumë thellë në këto përshkrime të miat. Pas ca minutash unë e pyeta nëse vazhdonin dhimbjet therëse në kokën e saj. Për çudi, ato ishin zhdukur! Duke diskutuar, klientja ra dakord se ato nuk mund të ishin simptomat e veshit të mesit, sepse ajo ecte bukur dhe se po të ishte ndonjë sëmundje serioze dhimbjet apo të therurat nuk mund të pushonin sepse ne po flisnim për Mona Lizën e famshme. I thashë që të shkonte të vizitohej te një mjeke specialiste për veshin e mesëm. Ajo vajti po atë ditë dhe doktoresha konkludoi se nuk kishte veshin e mesëm, por dhimbja e saj e kokës ishte reagimi i fuqishëm nga stresi e ankthi e kështu, u shmang nga mjekimi i gabuar me kosto e me pasoja dhe ajo u shërua vetëm me hipnoterapi e ilaçe bimore. Po të ishte patologji, asnjë lloj psikoterapie apo sugjestioni nuk mund të sillte dobi e ta shëronte, por vetëm barnat, pra, ndërhyrja profesionale.
Edhe një rast tjetër: Më erdhi një inxhinier me përkeqësime të dhimbjeve të kokës. Ai kishte bërë çdo vizitë e analizë dhe i dilnin shkëlqyer të gjitha e megjithatë, nuk i pushonin dhimbjet. I bëra matjet, nuk kishte as dridhje, as lodhje psikomotore, i kishte të gjitha reagimet të shkëlqyera, si pilot. Ndërkohë që po punoja me të, atij nuk i pushonin dhimbjet. Më tha se kishte lexuar librat e mi. Unë u ula në tryezë dhe i vura përpara një fletë dhe i thashë: “Supozo se je një nga studentët e mi ndaj dhe jepi përgjigje kësaj teze provimi edhe pse nuk i ke marrë leksionet. Po të marrësh mbi 40 pikë, do të të kuroj falas, ndaj ja tek i ke 4 pyetjet e pikët përkatëse, 60 pikë”.
Ky njeri i drejtë i zellshëm u përqendrua te përgjigjet (me shkrim) dhe për gati 20 minuta që unë po korrigjoja provimet e tjera, ai nuk u ndje. Kur mbaroi “provimin”, unë e pyeta: A të dhemb koka? “Oh, jo, tha ai. Nuk di se ku ikën dhimbjet!”. “E shikon pra, se nuk ke asnjë sëmundje në kokë, por shkaku i llojit të dhimbjes së kokës është vetëm stresi dhe ankthi? Me këtë fakt që ndodhi tani, bazuar dhe në përgjigjet e vizitave, unë konkludoj se dhimbja e kokës është forma me të cilën trupi yt u përgjigjet mendimeve e frikërave tuaja të tanishme. Ju keni katastrofizuar mendimet dhe kërkoni të gjeni patjetër një sëmundje. Kësisoj, ju e keni “krijuar” atë dhe vetë dhimbja e kokës është një burim i rëndësishëm stresi. Sidomos kur vazhdon për një kohë të gjatë, te ti mbizotërojnë dy grupe mendimesh. 1. Ja, filloi përsëri, “kjo dhimbje po ma shkatërron jetën! Nuk mund të funksionojë kështu… nuk shtyhet! Mora në qafë veten, e njerëzit e shtëpisë… 2. Nuk mund të bëj dot asgjë, ndoshta kam ndonjë sëmundje të cilën ose nuk po ma gjejnë, ose nuk po ma tregojnë, me siguri ndonjë tumor në kokë…”
Klienti ixhinier u bind dhe më kuptoi shumë mirë, porse kjo nuk është aq e lehtë për t’u kuptuar, pasi këtyre njerëzve nuk u dhemb koka kur janë shumë të zënë me diçka apo të përqendruar në ndonjë punë. Siç ndodhi te “teza e provimit” që ai në fillim e kujtoi për ndonjë “gallatë”. Këtyre më shumë u dhemb koka kur janë kot ose të qetë sepse duke e pasur trurin të pazënë me punë, mendja endet dhe i tmerron e i frikëson shumë duke dashur që t’u përgjigjet pyetjeve pafund me “po sikur?” e “pse?”. Kjo është edhe arsyeja pse ata kujtojnë se erdhi nga “asgjëja” se “ishin mirë e bukur, por u zgjua e keqja (ndoshta kanceri(!)” atje brenda. Dhe, duke mos i hequr dot këto frikëra e mendime, duke mos i ndalur ato e as duke mos u dhënë dot përgjigje, dhimbja e kokës vazhdon e ky quhet rreth vicioz. Ky djalë studiues i zgjuar më kuptoi shumë bukur, pasi kishte lexuar shumë edhe në internet porse edhe ky ishte një shkak tjetër, pasi ishte përqendruar shumë te kanceri dhe i kërkonte “shenjat” vazhdimisht te vetja, duke u bërë vëzhgues i keq i trupit të tij. Unë i shpjegova se ç‘është hipokondriaza dhe ai u zotua se do ta heqë tani e tutje gjithë vëmendjen nga trupi për t’u përqendruar te punët e jeta përreth, te kontestet psikosociale. Ramë dakord për të bërë disa seanca me psikoterapi dhe për një kurë me ilaçe 100 % bimore. Në fund, dyshues, siç janë gjithmonë këta njerëz, ai përsëri pyeti: Po pse o doktor, unë njoh njerëz që janë shumë më të stresuar se unë, që kanë 1000 e një halle dhe nuk u dhemb koka. Unë i shpjegova se çdo njeri reagon ndaj stresit e ankthit sipas mënyrës së vet, për shembull, disa djersiten shumë, disa skuqen, disa zverdhen, disave u duket sikur po u pushon zemra, sikur po mbyten ose sikur po u bie të fikët… etj. Në rastin tuaj, reagimi është me dhimbje koke. Pas disa seancash, klienti u qetësua e mësoi se si të relaksohej e të mos ia “varte” dhimbjes, pra, u thye ky “rreth vicioz”. Në rastin tuaj, e nderuar letërshkruese, fakti që të ka bërë mirë ilaçi është lajm i mirë, megjitahtë dua që t’ju vizitoj vetë që t’ju them më shumë.
Advertisement