E dashur redaksi e gazetës “Intervista”! Urimet e mia më të përzemërta për faqen që ia keni dedikuar “mëkatarëve”, dhe do t’ju lutesha që nëse ka mundësi të ma botonit letrën time, pasi unë mendoj se kjo mënyrë e të rrëfyerit është ajo më e duhura, ku njeriu ndihet me të vërtetë i lirë dhe i sinqertë.
Unë quhem Erla, dhe jam vetëm shtatëmbëdhjetë vjeç. E di shumë mirë që vajzat në këtë moshë kryejnë gabime, ndaj dhe shpresoj që mamaja ime të ma falë këtë që kam bërë!
Që në moshë fare të vogël prindërit e mi u divorcuan. Unë i doja shumë që të dy, por ligji vendosi që unë duhej të qëndroja me mamanë, dhe tetëmbëdhjetë vjeç të vendos vetë se me kë do të jetoj! Im at ishte shkaku se përse ata u ndanë, ndaj edhe ime më e ka marrë shumë inat, e urren me gjithë shpirt për atë që i bëri. Ajo me të vërtetë që ka sakrifikuar shumë, por ajo ishte zgjedhja e tij dhe ne duhet ta pranojmë.
Prindërit e mi janë njohur qëkur ishin në gjimnaz, janë dashuruar dhe janë martuar pas shumë e shumë pengesash. Kur erdhi demokracia dhe u hapën ambasadat im at emigroi jashtë shtetit dhe e la mamanë vetëm me vajzën e saj të vogël, dmth me mua. Ne nuk ishim në gjëndje të mirë ekonomike ndaj dhe babait iu desh që të largohej, për të fituar para dhe për t’i investuar më vonë këtu në ndonjë bisnes të tijin, siç e kishte ëndërruar gjithnjë! Por kur u kthye gjërat nuk ishin më si më parë. Ai në emigrim kishte njohur një vajzë shqiptare, me të cilën i ruajti marëdhëniet edhe pasi erdhi në Shqipëri, ku ishte ende i martuar me mamanë. Këtë gjë unë nuk ia fal asnjëherë. Nuk e duroja kur ajo vuante. Megjithatë unë nuk mund ta mohoj që ai është im at dhe të paktën për mua është munduar gjithnjë si e si të më ndihmojë dhe të më shkollojë në kolegjet më të mira.
Pra, siç ju tregova ime më e duroi sa e duroi tradhëtinë e tij, pra lidhjen jashtëmartesore që zgjati gati 4 vjet, dhe i kërkoi divorcin.
Ne nuk ishim në gjëndje të mrië ekonomike pa të, sepse mamaja punonte në një vend me rrogë të ulët, pensioni që më takonte mua ishte shumë qesharak, ndaj dhe im at u ofrua që të na ndihmonte financiarisht duke na dhënë çdo muaj një shumë të konsiderueshme parash. Këto ishin të ardhura nga bisnesi i tij, i cili i ka ecur gjithnjë shumë mirë. Mirëpo edhe unë kam ato kërkesat e mia që ime më nuk m’i plotëson gjithnjë. Si p.sh. kur shoh ndonjë gjë të shtrenjtë dhe të bukur nëpër dyqane, unë nuk e blej dot dhe filloj e bëhem keq sepse dua shumë që të mos ndihem më poshtë se shoqet e mia.
Unë shkoj pothuajse çdo javë që e takoj tim at në zyrën e tij, dhe ai më jep në fund të muajit kuotën që na ka taksur. Ndonjëherë më jep ndonjë lek më shumë që të blej ndonjë gjë për qejfin tim, por edhe atë ma merr mami sepse thotë që nuk na del sepse jeta është shumë e vështirë!
Para një muaji kur po dilja me një shoqen time nëpër dyqane se ajo do të blinte ndonjë gjë për veten, unë pashë një xhaketë që më ngelën sytë. Ishte shumë e shtrenjtë dhe as nuk merrja guximin që t’ia kërkoja mamit, apo edhe vetëm ti thoja që më pëlqeu se e di që do fillonte të më bërtiste siç e ka zakon:
– “Ne nuk na del për të ngrënë, jo më që ti të blesh gjëra lluksi…”
Kaloja netë pa gjumë, më vinte të qaja. Kur kaloja nga ai dyqani i xhaketës, më dukej sikur ma bënte me sy! Derisa më erdhi në mendje një mendim mëkatar; që unë kur të shkoja që të merrja kuotën mujore tek babi, parat të mos t’i sillja në shtëpi, por të bleja xhaketën. Kështu bëra. Shkova që ta blija dhe e vesha menjëherë, sepse atë ditë bënte shumë vapë. E shihja veten nëpër pasqyrat e dyqaneve dhe ndihesha shumë e bukur. Por po afronte momenti që unë të shkoja në shtëpi dhe mami do të më kërkonte lekët!
Kur u futa brënda mami ma pa menjëherë xhaketën dhe më pyeti:
– “Ç’është ajo?”
Dhe unë i thashë:
– “Shkova tek babi që t’i merrja lekët dhe ai më tha që më kishte blerë këtë për festë! (meqë së shpëjti do të ishte tetë marsi)!
Ajo pastaj më kërkoi lekët dhe më tha:
-“Sa lekë të dha?”
Unë u skuqa, por nuk kisha ç’të bëja. Që t’i thoja të vërtetën ishte tepër vonë. Unë tashmë e kisha blerë xhaketën. Ajo do të më bënte namin. Kështu që i thashë që babi nuk kishte fituar mirë këtë muaj, ndaj edhe më dha vetëm këtë! Ajo filloi duke ulëritur dhe duke e akuzuar se ai donte të më bënte për vete duke më blerë sende të tilla materiale. Filloi duke qarë dhe thoshte:
– “Ai po jeton si zotëri tani, ndërsa ne nuk kemi ç’të hamë! E lan gojën me ca lekë të qelbura që na jep sikur të ishim lypësa një herë në muaj, ja edhe ato shih sa bukur po mi jep tani! Plus do që edhe të na ndajë. Ti blen ty këto gjëra që ty të të prishet mendja dhe të duash atë më shumë dhe të jetosh tek ai më vonë…”
Kur e shihja në atë gjëndje doja që t’i thoja të vërtetën, sepse po gabonte kur mendonte që babai “po më blinte”! Por po imagjinoja se si do të reagonte kur unë t’i thoja për xhaketën dhe për veprimin tim që tani po më duket shumë i papjekur!
Ajo donte ta merrte në telefon dhe ti bërtiste me sa kishte në kokë, por unë e ndalova.
Te nesërmen shkova me vrap tek babi dhe i tregova gjërat ashtu siç ishin. Ai më dha përsëri para për t’ia çuar mamit. Por gjithsesi veprimi im mbetet i kryer, një veprim të cilin unë e quaj mëkat sepse ishte si një vjedhje në një farë mënyre, dhe për më tepër për shqetësimin dhe për pasojat e rënda psikologjike që i solli mamasë sime!
Advertisement