– Jam 19 vjeç, kam probleme me shtrembërimin e syrit të djathtë dhe mbaj syze. Nga kontrolli i fundit që bëra tek okulisti, ai më tha që mund të mbaj edhe thjerrëza kontakti dhe s’kam nevojë për operacion, por s’e kuptova, me thënë të drejtën. Thjerrëzat e kontaktit shërbejnë për shtrembërimin, e rregullojnë atë?
Dr. Rezarta Shkurti, okuliste: – I dashur letërshkrues! Nga letra që ju më dërgoni, mendoj që ju vuani nga një strabismus convergus akomodativ i theksuar. Sistemi juaj optik i të parit ka defiçite në dioptri, për të cilat ju janë rekomanduar syze e vazhdueshme. Si pasojë e këtij defekti refraktiv, syri juaj i djathtë paraqet edhe strabismus convergens (nga brenda apo nga ana e hundës), kështu që duke vendosur syze optike me numër, i jepet mundësi syrit të djathtë të shohë më mirë dhe të tentojë drejtimin, përmes syzeve. Përsa u përket lenteve të kontaktit, ato janë shumë të rehatshme në përdorim, shumë cilësore dhe komode.
– Dhe përsa i përket korigjimit të të parit, ato janë zgjidhje shumë e mirë në lidhje me përmirësimin e shikimit të dobët, por problemi është se ato nuk e stabilizojnë strabizmin, bile e vënë më shumë në dukje atë, e shtojnë. Arsyeja qëndron në faktin që, nëse personi mban syze, atëherë boshti optik i syrit kërkon qëndrim optik të xhamit me numër, kështu që strabizmi (shtrembërimi) pakësohet, ndërsa nëse vendos lente kontakti, qendra optike e lentes së kontaktit është thuajse e puthitur me boshtin optik të syrit dhe konvergjenca (shtrembërimi) shtohet. Pra, unë nuk ju këshilloj të përdorni thjerrëza kontakti për shtrembërimin. Përdorni vetëm syze. Faleminderit për letrën.
Advertisement