E nderuar redaksi! Kam lexuar në sitin tuaj vazhdimisht histori të ndryshme dhe dua të tregoj edhe unë jetën time, por me një qëllim: për të falënderuar dy gjyshet e mia! Sot jam njëzet e tre vjeç dhe jam në vitin e fundit të masterit. Kam arritur këtu ku jam, falë familjes sime.
Në familjen e babait tim janë tre vëllezër dhe një motër. Gjyshi ka qenë drejtor, ndërsa gjyshja, edukatore. Halla ka mbaruar institutin për mësuese e ciklit të ulët, ndërsa babai im dhe të dy xhajat kanë mbaruar fakultetet e Inxhinierisë, kurse xhaja i madh, Fakultetin e Mjekësisë. Të gjithë kanë qenë të dhënë pas shkencave.
Halla ime u martua e para. Ajo u njoh në shkollë me një djalë shumë të mirë nga veriu dhe u martua me të. Ajo ka jetuar gjithmonë në veri, por kanë qenë shumë të afërt me ne. Edhe burri i hallës u bë si djalë shtëpie. Gjyshi dhe gjyshja në fillim nuk e patën me qejf këtë lidhje. “Epo të ikë vajza nga mesi i Tiranës në provincë”, kishte thënë gjyshja në fillim, por pas martesës së hallës, ata ndryshuan. Pas hallës, u martua xhaja i madh. Ai vetë punonte inxhinier dhe gruan e mori mësuese. Xhaja i dytë kishte mbaruar inxhinierinë për elektroshtëpiake dhe jo vetëm që filloi punë menjëherë, por kishte mundësinë të gjente gjithë mallrat më të mirat që kishte tregtia. Ai u martua me një vajzë shumë të bukur, me shkollë të mesme, por ishte engjëll. Dhe, veç gjithë mirësisë që ka, ajo gatuan perfekt.
Babai im, si më i vogli, u martua i fundit, pasi hyri demokracia. Ishte tridhjetë e tre vjeç kur u martua dhe sigurisht, për gjyshin e gjyshen ishte plak. Ai dhe mamaja ime u njohën ndërsa ime më ishte në vitin e parë në fakultet, prandaj im atë u detyrua të priste sa ajo të mbronte shkollën. Pasi ime më mbaroi shkollën e lartë për mësuese, ata u fejuan dhe u martuan brenda verës. Unë kam lindur dy vjet pas martesës së tyre. Kur shoh fotot e tyre të viteve të para të martesës pa mua dhe më pas me mua, e shoh që duhet ta kenë dashur shumë njëri-tjetrin.
Kur unë kam qenë dy vjeç, ime më u sëmur. Nuk e mbaj mend, por me sa më kanë thënë. Fotot më të shumta me mamanë time unë i kam në moshën dy deri tre vjeç. Edhe në foto duket që më përqafon sikur mendon nëse do të ketë mundësinë të më përqafojë të nesërmen. Unë sigurisht që në foto jam fëmija më i lumtur në krahët e mamasë sime, por jo për shumë gjatë. Një javë pasi festuam ditëlindjen time, kur bëra tre vjeç, ku ime më duket e përgjysmuar duke qeshur pranë tortës, ajo ndërroi jetë. Sigurisht, nuk mbaj mend asgjë, të gjitha m’i tregojnë, por edhe sot më duket sikur i ndjej krahët e saj teksa shoh ato foto.
Pas vdekjes tragjike të sime mëje, gjyshja nga mamaja vendosi të më merrte me vete sepse ishte goxha më e re se gjyshja nga babai. Më thonë që e kam kërkuar shumë gjatë mamanë, edhe pse gjyshja ime më ka rritur mes një deti me dashuri. Sigurisht, si çdo fëmijë, edhe unë doja mamanë. Shtëpitë e gjyshërve rastisën të ishin afër dhe kam patur mundësinë ta shoh tim atë çdo ditë. Pyetja që i kam bërë vazhdimisht babait tim kur e shihja në derë të më takonte ishte: “Po mami, nuk e mbaroi punën?”. Si fëmijë tre vjeçar, gënjeshtra që “mami është në punë” ca kohë funksionoi. Erdhi koha dhe e harrova, derisa u bëra shtatë vjeç. Atëherë babai dhe gjyshja ime vendosën që unë të kthehesha në shtëpinë e babait sepse do të vazhdoja shkollën dhe dikush duhet të merrej me mua.
Atëherë e ndjeva për së dyti mungesën e mamasë. Shihja fëmijët e tjerë në lagje që kishin mama, kurse unë kisha dy gjyshe që rrotulloheshin sipas dëshirës sime. Pas javës së parë në shkollë, pasi mbaruam detyrat e shtëpisë, babai më tha që donte të fliste me mua.
– Do flasim pak si burri me burrin, – tha dhe më përkëdhelte flokët kaçurrelë, që i kam si mamaja ime. – Babi duhet të të thotë diçka që nuk do të të pëlqejë, por kjo është situata dhe, tani që ti je djalë i rritur, duhet të dish vetëm të vërtetën e gjërave. Ka të bëjë me mamanë tënde. E bukura e dheut, që është mamaja jote, ka vdekur para katër vitesh, biri im. Ne u përpoqëm ta mbanim, por sëmundja nuk e la me ne. Nuk dua që ti të ndihesh keq në shkollë, kur fëmijët e tjerë flasin për mamatë e tyre. Duhet ta dish që mamaja jote të shikon çdo ditë, ajo është gjithë kohën me ty, vetëm se ti nuk e shikon dot. Unë që jam më i rritur e shikoj, ajo edhe më flet dhe më porosit për ty. Edhe ti, sapo të rritesh edhe pak, do arrish ta shikosh. – Ndërkohë që fliste, sytë iu mbushën me lot dhe në fund më përqafoi e qamë të dy së bashku të përqafuar. Atë mbrëmje ai më lau, më ndërroi rrobat, më ushqeu dhe më vuri në krevat siç kishte bërë çdo natë.
Jeta ime vazhdonte njësoj, mes përkujdesjes së gjyshërve dhe babait. Gruaja e xhaxhait të dytë, ajo që gatuan mirë, më sillte gjithmonë gjërat e mira që gatuante. Në fundjavë, zakonisht, isha i ftuari i xhaxhit tim. Ajo gatuante për mua dhe djalin e saj, që ishim pothuajse moshatarë, ndërsa xhaxhi na çonte në lodra apo nga liqeni.
Po tregoj gjithë këto hollësi nga jeta ime sepse me gjithë mungesën e mamasë sime, e gjithë familja e madhe janë marrë me mua për të mbushur këtë boshllëk. Ndërsa unë rritesha, i dëgjoja të dyja gjyshet që debatonin me babain tim, por në fillim nuk i kuptoja. Dhe në fakt, burrë që t’i qëndrojë besnik gruas të tij të vdekur mendoj se vetëm babai im është. Ai edhe sot e kësaj dite nuk është martuar. Vazhdoj të mbetem i llastuari i dy xhajave të mi, i hallës dhe drita e syve të babait e të dyja gjysheve të mia. Me anë të kësaj letre, dua t’i falënderoj pafundësisht.
Deni