Të dashur lexues! Në këtë momente që po shkruaj jam shumë e inatosur dhe më vjen shumë inat që shumica e njerëzve bëjnë shumë gjëra në emrin tënd, ose për të thënë shkurt, të prishin mendjen që ti të bësh atë që të thonë. Nuk diskutohet se për gjëra që ti nuk do t’i bësh. E nisa pak keq më duket, por kjo histori ndryshon nga të tjerat që kam dëgjuar a lexuar. Jo vetëm në një aspekt, por në përgjithësi. Që të mos ju lë dhe juve pak si të habitur po filloj të tregoj këtë histori, pjesa më e madhe e së cilës ka ndodhur prapa krahëve të mi.
Jam 26 vjeçe. Mbarova shkollën e mesme dhe si të gjithë nuk gjeta punë menjëherë në profilin tim, kështu që m’u desh të filloja punë në një shoqëri private. Kjo shoqëri ishte me emër dhe meqë kisha mbaruar shkollën me rezultate të mira, më pranuan menjëherë në punë. Në fakt, unë nuk u takova në fillim me vetë pronarin, por me një recepcioniste e cila merrte cv-të dhe thoshte se nëse do të pranoheshim do të na thërrisnin për intervistë. Pas dy ditësh më morën në telefon dhe më caktuan orën e intervistës. Mora me vete dokumente që mendoja se do të më duheshin dhe u nisa. Takimi ishte me një grua e cila më vonë mora vesh se ishte si menaxhere e firmës. Ishte një grua rreth të 35-ave, e bukur dhe shumë e mbajtur. Dukej si ato femrat e revistave. Ishte e komunikueshme dhe pasi më bëri pyetje formale, u pranova. Të nesërmen duhej të filloja. U gëzova pa masë, edhe pse puna nuk ishte në profilin për të cilin kisha mbaruar. Ishte një punë e lodhshme dhe në fillim m’u duk se nuk do t’ia dilja mbanë kurrë. Isha një punëtore e thjeshtë dhe më duhej të bindesha për çdo gjë, prandaj më dukej se lodhesha më tepër se të tjerët.
Më shumë më vihej për punë një përgjegjëse e cila nuk kishte asgjë në dorë për të më kushtëzuar mua, por ngaqë isha më e re, mundohej që edhe punët e saj të m’i jepte mua. Nejse, nuk kisha rrugë tjetër e më duhej të bindesha derisa të gjeja një punë tjetër të hajrit.
– Ti punon, por nuk je shumë e kujdesshme kur je në orët e fundit të punës – më tha përgjegjësja një ditë. – ndoshta ngaqë je e re dhe nuk arrin ta përballosh fluksin e punës.
– Unë po mundohem me gjithë shpirt dhe nuk kam lënë ndonjë punë vetëm se jam e vogël në moshë, ashtu si thua ti – i thashë e ndoshta e thashë me pak ton të lartë.
– Me kë kujton se flet ti? Unë jam shefja jote!
Menjëherë reflektova se kjo punë më duhej dhe thashë:
– Më fal për tonin e zërit. – dhe u largova pa thënë ajo asnjë fjalë.
Pas dy ditësh, kur shkova në punë, më thanë se na e kishin hequr përgjegjësen me të cilën kisha debatuar pak ditë më parë. Në fakt u gëzova dhe njëkohësisht më erdhi keq se kishte dy fëmijë, megjithatë, vetja më dhimbsej më shumë. Bëja punën time e të sajën e ajo prapë nuk ishte e kënaqur me mua. Pra, rashë në qetësi. Shefin e madh e kisha parë disa herë se ai rrinte më shumë në zyrë e çdo gjë që donte të na thoshte, ua thoshte përgjegjësve e merreshin ata me ne. Mua më dukej burrë i mirë, vetëm pak si shumë serioz. Ai vetëm na përshëndeste e asgjë më tepër. Pasi kaluan pak kohë, ia mora dorën punës e tani isha më e sigurt teksa punoja. Kisha zënë edhe shoqëri dhe ndjehesha mirë.
Meqë kompania po ecte mirë, shefat kishin menduar të bënin një festë dhe të kënaqeshin të gjithë. Unë i adhuroj festat dhe e mora me shumë qejf. Isha gati më e reja e punëtorëve dhe sidomos, e femrave sepse puna ishte shumë e lodhshme dhe nuk preferohej nga moshatarët e mi. U bëra gati dhe u nisa. Ia kaluam aq mirë sa nuk e mora me mend më parë. Kishin ardhur të gjithë dhe madje edhe shefi i kompanisë, gjë që siç thanë punëtorët e tjerë, nuk kishte ndodhur më parë. Unë kërceva aq shumë sa edhe ditën tjetër më dhimbnin këmbët.
Megjithatë, të nesërmen vura re një ndryshim në sjelljen e menaxheres. Ju thashë edhe më lart se kur më kishte marrë në intervistë për punë ishte treguar shumë e sjellshme dhe gjatë gjithë kësaj kohe, kështu kishte vazhduar, por atë ditë ajo ishte tjetërsuar. Më thirri në zyrë dhe më tha:
– Sot erdhe vonë në punë.
Të gjithë kishin ardhur vonë, se ishin të lodhur nga mbrëmja.
– Si të gjithë! – i thashë pa kuptuar se ajo e kishte me mua inatin.
– Nuk është puna jote se ç’bëjnë të tjerët! – më foli ashpër, ashpërsi kjo që i dha fytyrës së saj engjëllore një pamje krejt tjetër.
– Më fal, nuk e kisha me të keq! Po bëja shaka…
– Shaka?! E ke këtë të drejtë të tallesh me të tjerët?
Nuk e kuptova inatin e saj dhe nuk fola më. U ktheva në punë dhe pas dy orësh, ajo më thirri përsëri në zyrë.
– Më duket se nuk të ka dalë ende pija e mbrëmshme! Ke harruar të bësh grafikun e tani më duhet ta ndreq unë këtë punë.
– Unë nuk kam harruar. E bëra dhe e futa brenda zyrës suaj kur ju nuk ishit këtu. Mos e keni lënë diku e nuk e gjeni për momentin?
– Po më bën fajtore mua? Eja me mua te shefi!
Iu binda se nuk kisha rrugë tjetër. U futëm në zyrën e tij. Ai ngriti pak sytë sa për të parë se kush ishim dhe uli përsëri kokën në kompjuter.
– Shef, më fal për shqetësimin – tha ajo me një ton krejt tjetër nga ai me të cilin më foli mua, – ja si na e punojnë këta të rinjtë që marrim në punë. U japim dorën e na marrin krahun.
– Çfarë ka ndodhur saktësisht? – tha ai dhe ngriti sytë, duke u dukur më i interesuar se më parë.
– Ja, lëre të ardhurën me vonesë, por edhe një grafik që i kisha lënë për të bërë, nuk e bëri.
– Unë e bëra por… – desha të shpjegohesha unë, por ajo nuk më la dhe vazhdoi më tej.
– Pale, po më akuzon edhe mua e më thotë se e kam humbur.
– Të akuzoi ty?! – u habit ai.
– Po, më thotë se e kam humbur unë.
– Të lutem do të flas unë? – i thashë, madje e ngrita zërin pak.
– Ou, e shikon shef?! Edhe para teje flet kështu! – mundohej ajo të frynte shefin ndaj meje.
– Po ju po flisni në emrin tim. Unë nuk e di se çfarë keni me mua, por unë jam e rregullt dhe nuk mund të më akuzoni për gjëra që nuk i kam bërë. Më falni për vonesën në mëngjes, por nuk jam e vetmja që jam vonuar, ndërsa grafikun e kam bërë dhe e kam futur poshtë derës. Megjithatë, nëse ju ende mendoni se unë jam gabim, e lë punën menjëherë. A mund të shkoj tani, që edhe ju të merrni një vendim?
Të dy ishin të ngrirë se nuk i prisnin fjalët e mia, por shefi pohoi me kokë se mund të shkoja. Dola nga dera dhe u ktheva në vendin e punës. Isha shumë e revoltuar, megjithatë nuk e kisha problem nëse do të më hiqnin. Për çudinë time, ndodhi e kundërta. Të nesërmen mora vesh se menaxherja kishte dhënë dorëheqjen dhe unë do ta zëvendësoja. Kjo ishte një habi jo vetëm për mua, por edhe për gjithë të tjerët. Isha më e reja dhe nuk kisha si të bëhesha menaxhere. Jo se nuk e bëja dot, por se nuk më takonte. Kishte të tjerë që kishin vite pune aty. Kur më thërriti shefi në zyrë, isha më shumë e frikësuar sesa e kënaqur nga posti i ri.
– Kam besim se ti do të punosh ashtu siç ke punuar deri tani. – më tha ai.
– Nuk e kuptoj… pse unë?
– Do shumë ta kuptosh? Ti je më e reja këtu, më e zonja dhe veçanërisht, më e bukura.
Këto fjalë më fundosën dhe më bënë të mendoja se çdo gjë e menjëhershme nuk duhet pranuar.
– Më falni, nuk po ju kuptoj…
– Këtë duhet ta kishe kuptuar që në fillim. Përgjegjësja që të bënte zbor ty u hoq menjëherë dhe tani, edhe kjo tjetra. Mendonte se ishte e pazëvendësueshme?
M’u duk se ishte tjetër njeri. E kisha menduar një burrë të qetë, të sjellshëm e mbi të gjitha, të ndershëm, që nuk shihte kënd me sy.
– Për shkakun tim të gjitha këto?
– Sigurisht! Unë që në çastin e parë që të pashë e ndjeva se ti do të më futeshe thellë në zemër. Sidomos ajo mbrëmja kur kërceje… Aty të mori inat edhe ajo mendjelehta!
E kuptova se menaxherja kishte qenë e dashura e tij dhe ngaqë ai kishte shprehur ndonjë ndjenjë për mua, ajo ishte bërë keq, se mendonte se do t’i zija vendin.
– Më fal, por për mua nuk kishe pse t’i bëje këto gjëra. Nëse do t’i kishe bërë për mua, duhej të pyesje njëherë se çfarë mendoja unë.
– Po ku ka femër që nuk i do këto të mira? Femrat të lusin, kurse ti nuk kishe nevojë të më luteshe…
M’u duk aq i ulët sa më vinte për të vjellë.
– Ju faleminderit, por mua nuk më keni për këto punë. Mund të gjeni një tjetër që t’ju lusë. – i thashë dhe dola nga ajo zyrë ku dikur kisha qejf vetëm të futesha e të komunikoja me këtë njeri që më dukej engjëll e kaluar engjëllit. Nuk doja ta shihja më me sy as atë, as ndërmarrjen e jo më të shkelja prapë aty.
Unë punoja e prapa krahëve të mi ndodhnin gjëra që unë as i mendoja. Ndoshta vërtet ashtu si tha ai, ndonjë ka dëshirë t’i arrijë kështu gjërat, por kjo nuk bën për mua.
Advertisement