“G deri n’dhe” mban titullin albumi i GBMC, që është finalizimi me sukses i një pune intensive dyvjeçare. Ai e kërkon suksesin në muzikë mes Anglisë e Shqipërisë dhe ia del më së miri për shkak të ambicies së pastër që e udhëheq. Por, pas këtij suksesi fshihet një histori, një jetë e vështirë e me pengesa që GBMC ia ka dalë t’i kapërcejë dhe t’i kthejë në favor të tij, për t’u bërë ai që është sot. Teksa realizojmë këtë bisedë-intervistë, bindemi se motoja e tij është vërtet ajo: Në jetë, asgjë nuk është e pamundur!
Mia Buci: – Genti, “G deri n’dhé” mban emrin projekti yt më i fundit, albumi. Është finalizim i një pune sa vjeçare?
GBMC: – “G deri n‘dhé” është finalizimi i një pune dyvjeçare. Është një album që përmban 21 këngë, pavarësisht se artistët po u largohen albumeve dhe po përqendrohen te këngët singëll.
– 3 arsye që të bindën të zgjidhje këtë titull…
– Jeta e vështirë që kam kaluar, triumfi ndaj varfërisë, respekti ndaj të jashtëligjshmes.
– Albumi përmban edhe bashkëpunime me artistë të tjerë… Ç’më thua ti vetë më tepër?
– Bashkëpunimet janë bërë me dy këngëtarë të tjerë: Rameka dhe G Bani. Rameka, duke qenë se jeton në Angli, është pjesë e Zig Zag Records dhe producent i beats-ave të shumë këngëve të albumit, ndërsa G Bani ishte i ftuar në album në tre këngë, si dhe pati rolin e këshilluesit për tekstet, pasi është një liricist i vjetër dhe i testuar.
– Teksa dëgjova këngët e albumit, ato që ma tërhoqën vëmendjen janë edhe tekstet reale, të cilat janë një arsye e fortë për ta bërë një këngë të suksesshme. Ç’gjë tjetër e bën një këngë të tillë?
– Le të ndalemi pak te suksesi: ka sukses të imponuar dhe sukses të mbijetuar. Në qoftë se një këngë transmetohet shpesh në radio dhe televizion, ajo i imponohet publikut dhe në njëfarë mënyre, bëhet hit, ndërsa në albumin tim, jam munduar të portretizoj një jetë reale që t’i rezistojë kohës, pa qenë hite vere ose dimri.
– Albumi është punuar në studion tënde në Angli?
– Pjesa më e madhe e këngëve janë regjistruar në Londër, kurse të tjerat në Tiranë, te të dyja studiot e regjistrimit: Zig Zag Records Studio dhe Record Label i hapur nga unë në 2008-ën. Këngët janë punuar me cilësi të lartë dhe sipas standardeve të industrisë.
– ZigZag Records… Çfarë i ke dhënë dhe çfarë të ka dhënë kjo kompani?
– Kësaj kompanie i kam dhënë jetë, kurse ajo më jep motivimin për të vazhduar produksione cilësore, për mua dhe artistët e tjerë të këtij labeli.
– Cilat fjalë do të zgjidhje për ta reklamuar albumin tënd?
– Origjinal. Real. Motivim. Arritje.
– Mendon se do të lodhesh ndonjëherë nga vëmendja që të jep ky profesion?
– Në radhë të parë, të jesh artist do të thotë të bësh art. Dihet që do kesh vëmendje, por po të lodhesh nga vëmendja, do të thotë të lodhesh nga arti dhe unë e dua artin pafund.
– Ka momente kur një këngëtar i druhet dështimit? Kur ndodh kjo?
– Nëse futesh në garë, atëherë po, por nëse nuk je në garë me askënd, atëherë nuk e mendon fare dështimin.
– A ke kundërshtarë?
– Nuk e njoh këtë fjalë. Nëse kam të tillë, më thuaj. (Qesh)
– Sa të vështira kanë qenë këto vite karriere për ty?
– Nuk është e lehtë të jesh artist; duhet të dedikohesh financiarisht dhe emocionalisht. Për mua kanë qenë vite të këndshme, vite të plotësimit të ëndrrës sime.
– Ku do të kishe dashur të bëje më shumë?
– Jam njeri me shumë ambicie, s’kam bërë akoma asgjë.
– Ka persona që përpiqesh t’u qëndrosh larg?
– Mendoj se jo. Në qoftë se miqtë i mbaj pranë, armiqtë i mbaj akoma më pranë.
– Cilat janë gjërat që e humbasin kuptimin gjatë rrugës dhe cilat janë ato që vlejnë për të gjithë jetën?
– Interesi, mosmirënjohja, fallsiteti. Ato që vlejnë gjithë jetën janë: respekti, orgjinaliteti, popullariteti.
– Cili është premtimi më i madh që ke bërë?
– Nuk jam tip i premtimeve, por i veprimeve.
– Ka ndonjë që nuk ke arritur ta mbash dot?
– Burrat e mbajnë fjalën, çunakët premtojnë.
– Miqtë e vërtetë i ke afër apo larg?
– Afër dhe në zemër.
– Sa prej tyre e kanë tradhtuar besimin tënd?
– Miqtë e vërtetë nuk tradhtojnë kurrë.
– Je mashkulli që i pëlqejnë detajet dhe u kushton vëmendje atyre?
– Patjetër. Jam mashkull i detajeve deri n’dhé.
– Detaji që vë re te një femër?
– Pse vetëm një është?! (Buzëqesh) Unë shoh shumë, por kryesor është intelekti.
– Çfarë e bën një femër të jetë femër?
– Sensualiteti.
– Dashuria ka shije të ëmbël, të kripur apo të hidhur?
– Eksperienca thotë: të treja.
– Firma jote e preferuar në veshje dhe parfume?
– Versace, Versace, Versace.
– Jeta për ty është lojë, aventurë apo sfidë?
– Sigurisht, një sfidë, sepse në të ka edhe lojë, edhe aventurë.
– Cila është loja në të cilën del gjithmonë fitues?
– Loja e jetës.
– Ka patur rast kur nuk e ke respektuar ligjin?
– Epo… rregullat janë bërë për t’u thyer. (Buzëqesh)
– Koha më e bukur e jetës tënde?
– Koha në të cilën po jetoj tani.
– Deri në ç’moshë ke jetuar me prindërit?
– Deri 13 vjeç dhe pastaj jeta më thirri.
– Motoja me të cilën ke ecur gjithmonë në jetë…
– Asgjë nuk është e pamundur.
– Aktualisht, për çfarë po përpiqesh?
– Në përpjekje për të arritur gjithçka që më bën të lumtur.
– Çfarë le pa thënë?
– Përshëndes fansat e mi dhe të gjithë lexuesit tuaj. Ah, se harrova… edhe ty. (Qesh)