Erjon Bogdani ka një jetë me Kombëtaren. Pas shumë vitesh kontributi si futbollist, tani ka marrë edhe rolin e zëvendëstrajnerit. Dy ndeshjet e shtatorit ishin të parat për të në këtë pozicion. “Bomberi” kuqezi, golashënuesi më i mirë i Shqipërisë me 18 gola, tregon se ka përjetuar të njëjtat emocione të forta, si të ishte akoma në fushën e lojës. Erjoni flet me shumë pasion për detyrën e tij të re dhe është i bindur se do të japë më të mirën e tij për të ndihmuar lojtarët e ekipit tonë. Ai qëndron me këmbë në tokë dhe është i vetëdishëm për vështirësinë e dy ndeshjeve që kemi përpara. Ai mendon se kemi mundësinë e artë për kualifikim. Gjithashtu ai ka një thirrje për të gjithë, mediat, tifozët dhe dashamirësit e futbollit, të mos ushtrojnë presion mbi ekipin në prag të ndeshjeve me Serbinë dhe Armeninë.
Eraldo Harlicaj: – Urime për detyrën e re Bogdani… Si ndjeheni në rolin e zëvendëstrajnerit?
Erjon Bogdani: Faleminderit. Ndjehem shumë mirë në këtë detyrë që kam marrë përsipër dhe shpresoj të bëj më të mirën time.
-Si e gjykoni ndeshjen me Portugalinë në syrin e një trajneri dhe si një ish-lojtar?
– E gjykoj si një ndeshje shumë pozitve. Po luanim përballë një kundërshtari me një emër shumë të madh në arenën ndërkombëtare dhe me lojtarë të kalibrit botëror. Lojtarët dhanë maksimumin e tyre, madje shkuan përtej mundësive. Ishte një ndeshje shumë e mirë, por sigurisht të vjen keq që u ndëshkuam në fund.
-Ku mendoni se gabuam në momentin e golit?
-Ishte një episod. Ka shumë raste që ndeshjet vendosen nga episode dhe si ky ishte rasti jonë. Të vjen keq që e pësuam në fund nga një goditje këndi. Ishte një moment shpërqëndrimi, pasi në ato momente ne ishim zotër të fushës. Nuk është turp të humbasësh me Portugalinë, por për mënyrën si shkuan ngjarjet të vjen shumë inat. Ata ishin më lart se ne pasi e dominuan ndeshjen, por besoj se për atë që dhanë djemtë në fushën e lojës e meritonim të paktën barazimin.
– Ju keni vite që luani me Kombëtaren dhe ky gol në ekstrem të kujton “mallkimin e pësimit në minutat e fundit”…
-Nuk është ky rasti. Është e vërtetë që e pësuam në fund, por tani kemi një Kombëtare më të pjekur. Ajo është një periudhë që e kemi kalur tashmë. Mos harroni se ekipet e mira e bëjnë diferencën në minutat e fundit. Ne luajtëm mirë deri në fund, por fati s’ishte me ne.
– Në të dy ndeshjet kemi parë një Shqipëri e cila ka dy fytyra për gjatë 90 minutave. Një pjesë të lojës e nxjerrim mirë ndërsa pjesën tjetër luajme dobët. Ku qëndron problem?
– Ndeshjet e shtatorit si me Danimarkën si me Portugalinë në Elbasan i cilësoj shumë pozitive. Të mos harrojmë se me kë po përballemi. Janë ekipe me kualitete të larta. Vërejtja juaj qëndron pasi në Kopenhagen zhvilluam një pjesë të parë të mirë dhe të dytën luajtëm dobët, ndërsa me Portugalinë bëmë një pjesën të parë dobët, ndërsa të dytën luajtëm shumë mirë. Kjo ndodh jo vetëm për shkak të formës tonë, por edhe për shkak të asaj që të imponon kundërshtari.
– Kishim dy mungesa si Hysaj dhe Mavraj, kishim lojtarë të pastërvitur dhe pa ekipe… I druheshit kësaj gjëje?
– Të jem i sinqertë i druheshim. Dua në këtë rast të falenderoj lojtarët pasi kanë bërë maksimumin dhe kanë dalë përtej vetes. Mungesat e Mavrajt dhe Hysajt nuk u ndjenë, pasi Ajeti dhe Gjimshiti luajtën shumë mirë. Kishim probleme në fillim, pasi lojtarë si Cana, Ajeti, Lila, Basha kishin nënshkruar në momentet e fundit dhe nuk kishin stërvitje të rregullta, madje Arlindi (Ajeti) ishte pa ekip. Megjithatë këto djem treguan një nivel të lartë dhe bënë ndeshje fantastike. Cana ka qenë në një formë të jashtëzakonshme. Gjimshiti nga ana tjetër e mbuloi mjaft mirë hapësirën e lënë nga Hysaj në një rol që nuk e kishte bërë më parë.
– A besoni tek kualifikimi tashmë që gjërat u vështirësuan?
-Besoj se ardhja deri në këtë fazë është një arritje e madhe, pasi po flasim për kualifikim. Ne kur na ra shorti, as nuk e mendonim fare kualifikimin. Kemi dy ndeshje vendimtare dhe kualifikim e kemi në këmbët tona. Do ta luajmë për 180 minuta në fushën e blertë. Kemi mundësi të mira, por asgjë nuk është e sigurtë. I bëj thirrje mediave në rrallë të parë, tifozëve dhe të gjithë faktorëve të jashtëm të mos ushtrojnë presion ndaj futbollistëve dhe ekipit, pasi do të ndikonte vetëm për keq.
-Si e shihni ndeshjen me Serbinë?
-Ndeshja me Serbinë ka marrë një rëndësi të jashtëzakonshme. Jo vetëm që luajmë fatet tona të kualifikimit përballë këtij ekipi, por edhe për ngjarjet e Beogradit. Është një ndeshje që duhet vlerësuar dhe përgatitur shumë mirë. Ekipi serb ka lojtarë shumë të mirë në gjirin e tij dhe është mjaft i rrezikshëm. Ato do të luajnë për fitore pavarësisht se janë të eleminuar. Ne duhet ta shohim vetëm në kuadrin e një ndeshje futbolli, të mos kalojmë përtej kësaj.
– A mendoni se shqiptarët e Kosovës do të përfshihen emocionalisht dhe do të kenë vështërsi në ndeshje duke dalë edhe nga detyrat?
-Është e vërtetë që për futbollistët tanë, shqiptarë të Kosovës, do të jetë një ndeshje shumë e vështirë dhe e ngarkuar emocionalisht. Shpresoj që emocionet e tyre t’i transmetojnë pozitivisht në fushën e lojës dhe të fokusohen tek objektivi ynë madhor. Ne kemi objektiv vetëm kualifikimin. Duhet të përqëndrohemi aty. Tifozët tanë jam i sigurtë se nuk do të shkaktojnë probleme, pasi përndryshe vetëm ne do t’i vuajmë pasojat dhe dënimet. E përsëris që objektivi ynë është të shkojmë në Francë. Duhet ta trajtojmë një ndeshje si gjithë të tjerat.
– Në media janë publikuar lajme se pas mosaktivizimit me Danimarkën, Kaçe ka dashur të largohet, por vetëm ndërhyrja e Dukës e ka mbajtur, gjithashtu ka pasur debate edhe pas ndeshjes me Portugalinë mes tij, menaxherit dhe De Biazit… A ka një çështje Kaçe në Kombëtare?
-Jo, jo nuk është aspak e vërtetë. Nuk ka probleme në mes trajnerit De Biazi dhe Kaçes. Kanë një marrëdhënie mjaft të mirë. Të gjithë lojtarët e grumbulluar janë të vlefshëm për ekipin dhe mund të luajnë. Ne si staf kemi besim tek secili prej tyre, por duhet kuptuar se varet nga forma momentale e futbollistëve. Gjithashtu edhe nga kundërshtari që kemi përballë për t’ju përshtatur një skeme, apo një loje të caktuar. Nuk është vetëm Ergysi që nuk ka luajtur. As Basha nuk e filloi si titullar, Balaj, Roshi, Salihi, Shala, apo ndonjë tjetër. Nuk duhet të nxjerrim probleme edhe aty ku nuk ka. Ne kemi një grup solid që mbështesin njëri-tjetrin, të 24 lojtarët që kishim mund të luanin pasi kanë besimin tonë. Nuk ka një çështje të tillë.
-Bogdani si erdhët në pozicionin e zv.trajnerit të Kombëtares pasi ishit shumë afër Salernitanës?
-Është e vërtetë që isha shumë pranë ekipit të Salernitanës, por gjërat nuk u realizuan në fund dhe ngecën. Më pas ishte i lirë pozicioni i zëvendëstrajnerit të Kombëtares dhe sigurisht që e pashë këtë si një përparësi dhe një dëshirë timen për të kontribuar përsëri për vendin tim. Kjo është një mundësi mjaft e mirë edhe për të fituar përvojë në fushën e trajnimit, pasi unë jam i ri. Dua të falenderoj trajnerin De Biazi dhe presidentin Duka për mundësinë që më ofruan. Shpresoj t’ua shpërblej duke bërë më të mirën e mundshme dhe të jap maksimumin duke u përcjellë më të mirën time lojtarëve.
-Si një ish-sulmues, si mund të shpjegoni faktin se Cikalleshi bën vetëm shtylla?
– Është e pashpjegueshme (Qesh). Cikalleshi është duke bërë një punë shumë të mirë me Kombëtaren. Ne jemi shumë të kënaqur me paraqitjet e tij. Futbolli, siç e thashë edhe më lart, vendoset nga episode. Sokoli nuk ka pasur fat, por sigurisht që golat do të vijnë. Unë si zëvendës shpresoj që ai të luajë si ka luajtur në këto takime dhe jam shumë optimist. Ai bën lojën e grupit, përshtatet me pjesën tjetër të ekipit dhe plotëson ato detyra që i ka vendosur trajneri.
– Keni nostalgji për kohën kur ishit futbollist?
-Jo, nuk kam, pasi kapitulli im në fushën e lojës ka mbaruar. Gjithçka është me moshë. Jam krenar për atë çfarë kam dhënë si futbollist. Tani dua të bëj më të mirën si trajner. Shpresoj të lë një histori pozitive edhe si i tillë.
-Ju kam pashtë edhe në ndeshjen e Shpresave të humbur me rezultatin 1-6 me Portugalinë… Dy fjalë për U-21?
– Nuk mund të flas shumë, pasi nuk i njoh mirë, por mund të them se rezultati nuk ishte fytyra e vërtetë e talentit të atyre djemve. Më vjen keq që pësuan një humbje të tillë, por në futboll mund të ndodhë gjithcka. Shpresat kanë lojtarë të mirë. I uroj sukseset më të mira djemve dhe trajnerit, Redi Jupi.