Ka qenë një breshëri klipesh, sjellë nga këngëtarja Arta Bajrami, këngëtarja e zemrës së shqiptarëve kudo ku janë e dëgjojnë muzikë shqip. Ajo ka sjellë katër klipe “Kno me mu”, një bashkëpunim me këngëtarin Duli, “Më fal oj Nane”, “Taman”, “Thuaj jo”… dhe një album me titull “Victory”, që lidhet me arritjet e saj në muzikë, por edhe si një dedikim për vajzën e saj Viktoria, e cila është edhe frymëzimi më i madh i Artës…
Fabjola Kuburi: – Arta, cila është mënyra jote për ta shijuar suksesin e një kënge? Ti, si po e shijon suksesin e këngës dhe klipit tënd më të fundit?
Arta Bajrami: – Videoklipi im i fundit dhe i katërti me radhë për këtë vit është ai i këngës “Thuaj jo”. Të gjitha videoklipet kanë pasur suksesin e tyre, kurse për mua është sukses kur kënga dëgjohet dhe pëlqehet edhe shumë vite pas lançimit.
– Pse dhe sa “Taman”?
– (Buzëqesh) Ky klip më bjen taman, më shkon për trupi. Shprehje e bukur, apo jo? Nuk duhet harruar edhe klipi “Kno me mu”, bashkëpunim me Dulin.
– Dhe, pse kaq shumë klipe?
– Sepse fansat e mi e kanë kërkuar një gjë të tillë.
– Çfarë quan ti një punë të bërë tamam, një situatë, një çështje tamam?
– “Taman” është diçka që nuk teprohet, diçka optimale. Gjithçka që teprohet është negative, por shumëkush nuk e di se kur është tamam. (Buzëqesh)
– Ndërkohë, ke publikuar edhe albumin tënd më të ri me titull “Victory”. Çfarë po i shijon këtij albumi?
– Kam 10 këngë të reja që publiku i dëgjon me ëndje në koncertet e mia dhe unë me ëndje i këndoj. Kjo është ajo që unë po shijoj nga ky album. Unë punoj që të kem një repertor të pasur për koncerte.
– Meqë ra fjala te “Victory”, Viktoria është rritur tashmë, është bërë një zonjushë, apo jo?
– Nuk e keni idenë se ç’lozonjare po bëhet Viki! Ajo tërë ditën këndon dhe vallëzon. Drenushë e vogël…
– Në klipe shohim një Artë mjaft seksi, në formën e saj më të mirë. Ky është si rezultat i…
– Rezultat i të qenurit me kohë të plotë nënë, me kohë të plotë nuse, si dhe një axhende të ngjeshur pune. Kur je kaq aktive, patjetër do jesh edhe elegante dhe në formë.
– Si testohet suksesi dhe si arrihet në përfundimin që ke sukses?
– Për mua, suksesi afatshkurtër në muzikë matet me ftesat që ti ke për koncerte, ndërsa suksesi afatgjatë varet nëse ke bërë hite sezonale (që pas 3 muajsh, harrohen) apo ke bëre hite që mbesin në mendjet dhe zemrat e publikut.
– A është Arta ajo vajza që i pëlqen të bëjë shopping pa fund, të frekuentojë rregullisht qendrat estetike, që mendon gjatë gjithë natës se çfarë do të veshë nesër?
– Shoppingun dhe qendrat estetike i kam pak pikë të dobët, besoj si çdo femër tjetër, por nuk jam e fiksuar. Bëj zgjedhje të shpejta, nuk rri shumë para pasqyrës.
– Shumë nga kolegët e tu kanë realizuar këngë patriotike për Shqipërinë. Ti vetë, e sheh këtë si një mënyrë komerciale për sukses?
– Këngët patriotike për komercializëm ma shpifin fare. Nëse ndonjëherë do bëja këngë patriotike, do ta bëja se e ndjej, jo se dua të luaj me sentimentin e popullit për sukses personal. Unë dikur kam bërë një këngë që quhet “Femër shqiptare”, ku i këndoj krenarisë së të qenit femër shqiptare dhe e këndoj nga fundi i zemrës.
– Çfarë duhet të të kenë zili ty si Artë?
– S’e di, por unë besoj se jam femër e realizuar si në jetë private, ashtu edhe në karrierë.
– I ruan gjërat e tua apo i dhuron sapo të dalin nga qejfi?
– I dhuroj. Më duket mëkat të mbaj gjëra kot në dollap, kur me to mund ta gëzoj dikë.
– Përveç alarmit, çfarë të zgjon në mëngjes për të filluar një ditë të re?
– Alarm për 5 vite me radhë kam Viktorian. (Qesh)
– Çfarë ke bërë mbrëmë?
– Kam punuar pak në studion tonë “Arbasound” dhe gjëra të zakonta rreth familjes dhe shtëpisë.
– Sa kohë të duhet të mësohesh me ndryshimet?
– Përshtatem shpejt me gjëra të reja dhe në ambiente të reja, prandaj edhe e kam të lehtë të eksperimentoj me zhanre të ndryshme.
– Nëse vjen në shtëpinë tënde, çfarë ambienti të pret?
– Ambient i ngrohtë, relaksues, plot jetë dhe plot dashuri.
– Sa herë nuk ndihesh mirë apo nuk je në humor, çfarë ta rregullon ditën?
– Mjafton një përqafim i burrit apo i vajzës dhe gjithçka është në rregull.
– Hera e fundit që të ka munguar përqafimi i prindërve?
– Nuk më mungon sepse nuk largohem asnjëherë prej tyre për një kohë të gjatë.
– Për kë të merr malli më shpesh?
– Unë provoj të qëndroj pranë atyre që dua, por ndodh të më marrë malli për dikë të familjes, për shoqëri.
– Ndër udhëtimet e tua, cilin do të konsideroje si më të bukurin?
– Kam udhëtuar mjaft sidomos kur nuk kam qenë e martuar, por për mua momentet më të bukura janë kur jam me burrin dhe vajzën e se ku gjendemi në atë moment, s’ka rëndësi fare.
– Ushqimi ndaj të cilit ke krijuar varësi së fundi…
– Nuk jam e varur nga asgjë. Unë nuk pi as duhan dhe nuk kam ndonjë fiksim, por kur më shkon mendja për diçka e bëj edhe vetë, jam kuzhiniere goxha e mirë.
– E konsideron veten një femër të fortë?
– Po. Artën nuk e gjunjëzon lehtë asgjë.
– Çfarë nuk harron kurrë të marrësh me vete para se të dalësh nga shtëpia?
– Telefonin. Vajzēn s’mund ta harroj, se ajo me vjen vetë pas. (Qesh)
– Çfarë këngësh gjen në CD-në e makinës tënde?
– Nga më të ndryshmet.
– Si do ta nisësh ditën nesër?
– Shpresojmë të gdhihemi mirë. Viktoria më zgjon dhe pastaj fillojnë kërkesat e saj që mbarojnë vetëm kur ajo bie ne gjumë. (Qesh)
– Si do të doje ta mbyllje intervistën?
– Shpresoj që të ketë më shumë paqe në botë. Lajmet e fundit për viktimat e refugjatëve sirianë, sidomos këto të fundit me këto foshnjet e fundosura në det më kanë trazuar gjithçka në qenien time.