Jugu i Shqipërisë nxjerr perla muzikore dhe Afrim Muharremaj është një ndër to. Ai e ndjen muzikën si pjesë të shpirtit të tij dhe do të donte ta kishte bashkudhëtare gjatë gjithë jetës. Afrimi është këngëtari nga Fieri, që muzikës i jep shpirt dhe shpirtin e ushqen me muzikë…
– Afrim, komplimente për zërin e bukur. Kur e ke zbuluar talentin tënd dhe si lindi pasioni yt për këngën?
– Faleminderit për vlerësimet. Unë muzikën e ndjej që e kam në vena; ajo më ka shoqëruar gjatë gjithë jetës. E ndjeja në shpirt qëkur isha fëmijë, derisa m’u dha mundësia që atë që ndjeja, ta shfaqja, duke e interpretuar. Ky pasion është rritur bashkë me mua ndër vite.
– A je i kënaqur me çfarë ke arritur deri tani?
– Kam mësuar se në këtë jetë njeriu nuk është asnjëherë i kënaqur. Gjithmonë e ka një objektiv dhe në momentin që e arrin atë, fillon të kërkojë akoma më shumë. Mund të them që kam realizuar gjërat që doja, por akoma s’jam atje ku ëndërroj.
– Si e mendoje botën e muzikës dhe sa ndryshe ështe ajo nga çfarë kishe ëndërruar?
– Si çdo profesion tjetër, edhe muzika ka vështirësitë e veta sepse në vetvete përbën art. Jo gjithkush mund ta bëjë; është diçka e lindur që mund ta përmirësosh gjatë rrugës. Nëse nuk e ke këtë dhunti, nuk e bën dot. Ndryshe nga ç’kam ëndërruar, ngjitja e shkallëve të karrierës nuk është aq e lehtë sa duket, ka detaje që bëjnë dallimin.
– Sa i lidhur je me muzikën e jugut?
– Interpretimet e mia të para kanë qenë këngë jugu. Një nga këngët më të suksesshme dhe më të hershme të asaj kohe ka qenë “Moj unaza gur jeshile”, e cila pati shumë sukses në kohën kur mbizotëronte prodhimi i kasetave. Muzika e jugut është dashuria e parë për mua sepse ishte kjo muzikë që më dha emrin.
– Që do të thotë se edhe kënga jote më dashur është…
– Pa diskutim që debutimi im, kënga ime e parë, “Moj unaza gur jeshile”.
– Cila ka qenë skena më e bukur ku ke kënduar?
– Ajo e mbrëmjes së Vitit të Ri në Greqi. Ishte një ndër skenat më të ngrohta sepse bukurinë në skenë e jep ngrohtësia e publikut. Ajo natë ka qenë një festë me bashkatdhetarët në Greqi dhe ka qenë magjike. Çova atje me kolegët, një pjesë të Shqipërisë.
– Po skena e ëndrrave të tua, cila është?
– Skena e ëndrrave të mia: Të jem afër çdo shqiptari në mbarë Diasporën, gjë që dua ta arrij me çdo kusht.
– Pse mendon se janë kaq në trend bashkëpunimet?
– Mendoj se bashkëpunimet janë të suksesshme, por edhe të rrezikshme. Rreziku qëndron në përzgjedhjen e kolegut. Në qoftë se kjo është e gjetur, atëherë bashkimi i dy zërave të fuqishëm jep sukses, përndryshe…
– Na trego pak për këngën e radhës…
– Projekti i radhës është një bashkëpunim me një kolege mjaft të njohur, emrin e së cilës dua ta them pak më vonë, edhe pse jam i bindur që do të jetë një sukses.
– Do të pranoje të eksperimentoje deri në ekstrem, thjesht për të qenë më i pëlqyer?
– Në njëfarë mënyre, unë kam arritur të eksperimentoj në zhanre të ndryshme, por këtë s’e bëj për të qenë më i pëlqyer. E bëj për të qenë sa më afër publikut dhe kërkesave të tij.
– Sa këngë të tuat ke deri tani?
– Unë kam sjellë më shumë këngë audio sesa klipe, sepse realizimi i klipeve ka qenë paksa i vështirë. Shpresoj që në të ardhmen të sjell më shumë klipe.
– Deri kur do të këndojë Afrimi?
– Ashtu siç kam lindur me muzikën, muzika do të më shoqërojë deri në momentet e fundit të jetës, e dua bashkudhëtare.
– Projektet për të ardhmen…
– Projekti im i fundit është turneu që po organizojmë për në SHBA me kolegen Nertila Selmanaj, si dhe një klip që e kam në planet afatshkurtra. Faleminderit.