– E nderuar redaksi, kam një hall të madh me burrin. Kur lindi djali, ai nuk rrinte në shtëpi, nuk sillte para dhe unë i bëja vetë të gjitha punët. Ne jetojmë me qira dhe ai vetëm qiranë paguante, asgjë tjetër. Unë kisha rrogën time të vogël dhe me të ushqeja tim bir, paguaja faturat, kurse vetë haja një herë në 48 orë. Shkoja në fakultet, jepja provimet dhe investoja për familjen. Ne kemi pas blerë një tokë dhe ai më thotë “po ndërtojmë shtëpinë”, por më gënjen. Ai nuk flet me mua për asgjë kur e pyes për banesën, më thotë “ndërtimi do përfundojë pas një viti”, edhe pse unë do të duhej të rehatohesha që në qershor. Ai nuk sjell ushqime në shtëpi, nuk rri me ne, nuk di sa para fiton, thotë se shumë persona i kanë para borxh dhe nuk ia kthejnë. Kur merr rrogën, ikën me tre ditë nga shtëpia. Shpesh, më detyron të paguaj ndonjë faturë telefoni ose më merr para dhe mbetem pa ushqim. Ai ka ndryshuar kështu qëkur lindi fëmija. Më kërkon të bëj seks me të, por mua më është neveritur dhe më e keqja, pas lindjes së fëmijës, kam zbuluar që ka edhe një fëmijë me gruan e parë, një vajzë 12 vjeçe dhe unë s’e kam ditur. Ish-gruaja e tradhtonte, këtë ma kanë thënë fqinjët e lagjes ku ka jetuar më parë. Me vajzën nuk është shumë i lidhur, se ajo jeton me nënën e vet. E kuptoj se ai e do në shtëpi, por unë s’e pranoj dot këtë fakt. Ai i jep para për ushqimin e vajzës, kurse për fëmijën tonë nuk ia ndjen fare. Ka filluar edhe të më qëllojë. Kam menduar të ndahem prej tij, jam 36 vjeçe dhe ai është 40 vjeç. Kur më qëllon, më kërkon falje, por e përsërit prapë. Më thoni ju lutem si të veproj, të ndahem prej tij apo si? Unë jam mësuese, kurse ai, inxhinier ndërtimi.
Marsela Marsi, psikologe: – Të më falësh, por duhet të të bëj unë disa pyetje: Ai të thotë se po ndërtohet shtëpia dhe ti mendon se të gënjen… Kaq e vështirë është ta vërtetosh konkretisht nëse po të gënjen, apo jo? Pasi ke bërë një fëmijë me të, ti mëson se ai ka një fëmijë 12 vjeç dhe paguan para për të. Po kur pyete se pse e la gruan e parë, siç thua, të gjithë të treguan se gruaja e tradhtonte dhe askush nuk të tha se ai ka një fëmijë me të?
Ai ikën me tre ditë nga shtëpia dhe ti e ke kaq të pamundur ta vërtetosh se ku po shkon? Kam frikë se në të vërtetë, ti nuk do as vetë ta dish se ku shkon ai, sepse i trembesh të vërtetës, por çfarë ka ngelur më për t’iu trembur tani, nëse situata mes jush është vërtet kjo që ti tregon në letër?
Më pyet a ta ndash apo jo… Kam edhe unë një pyetje të fundit për ty: Pse të mos e ndash? Për çfarë të duhet një burrë që nuk kujdeset për ty, për familjen, për fëmijën e tij, një burrë që në vend që të të ofrojë qetësi, arrin edhe të të qëllojë? Për çfarë mund ta mbash ende një burrë të tillë? Shpesh, ndërsa përballem me raste të ngjashme me tuajin, më ndodh të pyes veten: A na mësojnë neve që në fëmijëri se ç’është familja, apo thjesht na kanë thënë se familja është shumë e rëndësishme dhe ne s’arrijmë dot ta kuptojmë se familjen nuk e mban në këmbë vetëm një anë e çiftit, por të dy bashkë?! Të jetosh në familje do të thotë të kesh detyra e përgjegjësi, të marrësh prej saj të mirat, që janë qetësia ekonomike e shpirtërore, kënaqësitë që të japin fëmijët e dashuria, por edhe të ndash përgjegjësitë e detyrimet dhe kjo vlen për burrin dhe gruan. Ne mund ta falim një burrë apo një grua që bën gabime, duke ia vënë në dukje që të mos i përsërisë më, por nëse ky burrë apo grua nuk di t’i rregullojë, përkundrazi, i trash ato, atëhere nëse do të qëndrojmë ende me të, faji nuk është më i tiji, por i yni.
Krijo një ambient të ngrohtë për fëmijën tënd, i cili nuk ka asnjë faj në këtë rast dhe jepi duart këtij burri që nuk është as bashkëshort, as baba e as kryefamiljar. Nëse ti e fëmija do të keni vërtet vlerë për të, do të kthehet duke mbajtur përgjegjësitë e veta mbi supe; nëse jo, atëhere le të jetojë atje ku kalon ato ditë që zhduket nga shtëpia dhe le ta mbajnë me bukë ata, te të cilët ai çon paratë me të cilat duhet të mbajë familjen. Të më falësh, pasi mund të dukem shumë e ashpër, po ky rast nuk ka nevojë as për fjalë të bukura, as për qetësi, por vetëm për veprim. Nëse doni veten dhe fëmijën tuaj, tregojini këtij njeriu se nëse ju do, duhet të dijë t’ju fitojë! Ju uroj një jetë të qetë në vazhdim.
Advertisement