Jo të gjithë njerëzit mendojnë ta bëjnë testamentin e tyre sa janë gjallë. Në Britaninë e Madhe, për shembull, vetëm gjysma e të rriturve e bën këtë gjë, duke lënë 26 milionë të tjerë pa udhëzime të qarta se çfarë duhet të bëjnë me pasurinë e të ndjerit pas vdekjes. Për disa njerëz, një testament nuk është thjesht një listë pasurish, por edhe një shans për të bërë një gjest të fundit lamtumire për njerëzit e dashur, ose për t’u treguar disa të afërmve se, në fakt, duan më shumë qenin e tyre se ata! Ja, cilat janë 10 nga testamentet më çuditshme të të gjithë kohërave për ata që kanë nevojë për pak frymëzim…
1. Një trëndafil në ditë
Aktori i famshëm komik amerikan, Xhek Beni, la një porosi të pazakontë, por prekëse në testamentin e tij, kur vdiq, në vitin 1974. “Çdo ditë pas vdekjes së tij, luleshitësi më ka sjellë në shtëpi një trëndafil të kuq të gjatë”, shkroi vejusha e Benit, Meri Livingstoun, disa kohë pas vdekjes së tij. “Mësova se Xheku e kishte përfshirë këtë gjë në testamentin e tij. Një trëndafil i kuq do të më vinte në shtëpi çdo ditë, deri në fund të jetës sime”.
2. Donacion anonim “Të paguhet borxhi kombëtar”
Një donator i ndërgjegjshëm i dhuroi Britanisë së Madhe gjysmë milioni paundë në vitin 1928, pasuri që sot vlen më shumë se 350 milionë paundë. Por, donatori ishte shumë specifik për mënyrën se si duheshin shpenzuar paratë: Ato mund të shpenzoheshin vetëm nëse ishin të mjaftueshme për të mbuluar gjithë borxhin publik anglez. Për fat të keq, borxhi publik anglez tani ka arritur shifrën 1.5 trilionë paundë, kështu që vendi nuk mund t’i prekë paratë.
3. Një fundjavë me të pira
Të gjithëve do të na pëlqente që miqtë tanë të ngrinin një gotë në kujtimin tonë kur të kemi ikur nga kjo botë, por Roxher Brauni u sigurua që kjo të ndodhte vërtet. Burri 67 vjeçar vdiq nga kanceri i prostatës në vitin 2013, duke u lënë 3500 paundë shtatë miqve të tij të ngushtë, me kërkesën që ta përdornin për një fundjavë me të pira në një qytet evropian. “U kërkojmë falje zyrtarisht dy djemve të Roxherit, Samit dhe Xhekut, që u morëm një pjesë të trashëgimisë”, shkroi njëri prej shokëve të tij në gazetë, pasi shokët kaluan një fundjavë në Berlin. “Ne e shpenzuam shumicën e shumës me birra, ndërsa pjesën tjetër, e humbëm”.
4. Krevatin e dytë më të mirë
E shkreta zonja Shekspir, e cila ka mbetur në histori si e shpërfilluar nga burri i saj i famshëm edhe pas vdekjes. Në testamentin e tij, Sheksipiri i la asaj “krevatin e dytë më të mirë”, ndërkohë që gjithë pasurinë e tij ia la vajzës, Suzanës. Antoni Nikson, një avokat anglez, thotë se ky testament, në kohën tonë, mund të hidhej poshtë shumë lehtë: “Ana mund të deklaronte, në bazë të ligjit mbi trashëgiminë, akti 1975, se Uilliami e kishte lënë atë “pa të ardhura të arsyeshme financiare” dhe të kërkonte nga gjyqi të merrte më shumë para.
5. 12 milionë $ për një qen
Në vitin 2004, miliarderja Leona Helmslei, la me shkrim që pasuria e saj 4 miliardë dollarëshe të shpenzohej për kujdesin ndaj qenve, ndërkohë që më parë, me sa dukej, kishte menduar t’ua linte të varfërve. Qeni i saj maltez, 9 vjeçar, Trabëll, mori 12 milionë $, ndërkohë që nipërit e mbesat ose ishin lënë jashtë testamentit, ose urdhëroheshin të vizitonin çdo vit varrin e të atit për të marrë pjesën e tyre. Trashëgimia e Trabëllit u pakësua në 2 milionë $ nga një gjykatës, megjithëse qenit ende i duhej të fshihej sepse kërcënohej se do ta vrisnin apo rrëmbenin.
6. Lule për Sidmauth
Bankieri anglez milioner Keith Ouen e kishte ngritur nga zeroja pasurinë e tij. Kur u diagnostikua me kancer në moshën 69 vjeçare dhe iu dhanë vetëm disa javë jetë, ai vendosi t’ia linte pasurinë prej 2.3 milionë paundësh vendit të tij të preferuar të pushimeve, Sidmauth në Devon. Paratë iu dhanë shoqërisë Sid Vale, me kushtin që disa prej tyre të shpenzoheshin për një milion rrënjë lulesh që do ta mbushnin qytetin bregdetar plot ngjyra. Në trashëgiminë e tij specifikohej se kapitali nuk duhej prekur, por interesi, afro 125 mijë paundë në vit, duhet të shpenzohej për mirëmbajtjen e qytetit dhe dy fshatrave ngjitur.
7. Merr para vetëm nëse martohesh
Për disa bashkëshkortë të zhgënjyer, testamenti dhe dëshira e fundit është shansi i fundit për ta fyer partnerin/en e tyre edhe një herë tjetër. Kështu ndodhi edhe për poetin gjerman Hainrih Hajne, i cili ia la pasurinë gruas së tij, Matildës, në vitin 1856, me kusht që ajo të rimartohej. “Kështu do të ketë të paktën një burrë që do t’i vijë keq për vdekjen time”, shkroi ai. Avokati Nikson thotë se ky testament është një shaka e keqe, të cilin do të mund ta hidhje në gjyq në kohën tonë: “Nëse Hajne nuk do t’i kishte lënë pasuri tjetër Matildës, ajo sot mund ta hiqte qafe kushtin duke e refuzuar dhuratën. Pas kësaj, meqë ata të dy nuk kishin fëmijë, Matilda, duke u bazuar në një ligj të kohëve të fundit, mund ta trashëgonte gjithë pasurinë e tij pa asnjë kusht”.
8. Një trashëgimi e hidhur
Milioneri nga Miçigani Uellington Bërt, e përdori dëshirën e tij të fundit për të mbajtur larg parave familjen e tij. Kur ai vdiq në vitin 1919, la në testament se pasuria e tij do t’u kalonte pasardhësve vetëm 21 vjet pas vdekjes së mbesës të fundit që ishte gjallë. Ajo vdiq në vitin 1989 dhe 21 vjet më vonë, në nëntor 2010, trashëgimtarët ndanë pasurinë e tij, të quajtur “trashëgimi e hidhur”, prej 110 milionë $.
9. Vetëm nëse homoseksuali martohet me një grua
Në vitin 2007, kur u lexua testamenti i Frank Mandelbaumit, u zbulua se ai u kishte lënë nipërve dhe mbesave një pasuri prej 180 mijë $. Megjithatë, aty kishte një klauzolë që i përkiste djalit të tij, Robertit. Fëmijët e Robertit do të merrnin pasuri vetëm nëse Roberti do të pranonte të martohej me nënën e tyre brenda gjashtë muajve nga lindja e tyre. Këtu ka vetëm një problem të vogël: Roberti është gei dhe po e rrit djalin e tij, Kuperin, me të shoqin. Një avokate angleze thotë se ky testament në Angli do të mund të hidhej në gjyq: “Është e mundur t’i lësh pasurinë dikujt nën disa kushte që trashëgimtari mund t’i kontrollojë, por kjo nuk mund të bëhet për kushte që janë jashtë kontrollit dhe mundësisë së trashëgimtarit (siç është të qenit homoseksual)”.
10. 70 të panjohur nga libri telefonik
Ka gjëra që duken si skenare filmash. Kur aristokrati portugez, Luis Karlos de Noronja Kabral da Kamara shkroi testamentin e tij, ai u la një pasuri të konsiderueshme 70 të huajve, të zgjedhur rastësisht nga libri telefonik i Lisbonës. “Unë mendova se ishte një shaka mizore”, deklaroi një trashëgimtare 70 vjeçare në një gazetë. “Nuk kisha dëgjuar kurrë më parë për atë burrë”.