Bëhet fjalë për një zbulim që duhet të apasionojë shkencëtarët dhe adhuruesit e paleontologjisë. Fosili i një gjarpri me katër këmbë është zbuluar në Brazil. Ky është një specimen unik, që u hap rrugën shumë spekulimeve, veçanërisht në lidhje me pyetjen nëse gjarpërinjtë kishin më shumë origjinë tokësore, sesa ujore.
Ky gjarpër, i pagëzuar me emrin Tetrapodophis amplectus, ka jetuar në fillim të Periudhës Kretake, para 146 milionë vitesh. Shkencëtarët mendojnë se kjo specie ka shumë tipare të ngjashme me ato të gjarpërinjve aktualë, si një turi të shkurtër, kafkë të zgjatur, dhëmbë të përkulur, një nofull shumë të butë dhe luspa. “Ne kemi gjetur paraardhësin e të gjithë gjarpërinjve, deklaroi David Martill, profesor paleobiologjie, bashkautor i studimit. Kemi gjetur hallkën që mungonte ndërmjet hardhucës me katër këmbë dhe gjarpërit”. Sipas studimit të publikuar në revistën amerikane “Science”, këmbët i shërbenin gjarprit për të kapur pretë dhe gjatë çiftëzimit. Zhvendosja e kësaj specieje bëhej si ajo e gjarpërinjve modernë. “Gjarpërinjtë janë të përhapur kudo në botë sot dhe do të ishte mirë të mësonim se si ka lindur raca e tyre”, ka thënë Martilli. “Duket se evolucioni i tyre ka filluar në kontinentet e jugut”. Autorët e studimit gjithashtu kanë vënë theksin te mungesa e bishtit të gjatë, tipike e reptilëve ujorë, si krokodilët. Bishti i këtij fosili ishte më cilindrik, më i zakonshëm te kafshët tokësore.
Advertisement