Si sot një vit më parë ishim në ankth dhe mezi prisnim ardhjen tënde në jetë, Roan. Zoti na bekoi dhe ja, sot ti mbush një vjeç. Të urojmë me gjithë shpirt të bëhesh edhe 100 vjeç, të jesh i lumtur e me fat. Kristi, mami dhe babi.

Me këtë urim bashkohet edhe stafi i gazetës “Intervista” që i do fort të dy bukuroshat; Kristin dhe Roanin.

Urim dedikuar zyshë Zelës. Shumë e dashur mësuese Zela, mësuese e kaq e kaq brezave. Po të përshëndes edhe unë një herë në gazetën ku punoj. Respekti ndaj teje është kaq i madh dhe i pashlyeshëm. Faleminderit që ke qenë afër çdokujt në të mirë e në të keq. I gjithë Librazhdi ka respekt për figurën tënde. Në çdo institucion që ke qenë ka pasur nevojë për profesionalizmin e kulturën tënde. Të uroj veç të mira te njerëzit e tu të dashur e shëndet. Për mua, ka qenë fat që të kam njohur, zyshë Zela Koka. Me respekt, Arlis Alikaj, Librazhd.

Nga unë, Flamur Bërdëllima, urime për ju:
– E njoh prej vitesh e vitesh dhe pas vitesh të tjerë, bukuroshen si barbi Ela Zajmin. Një fytyrë paqësore plot mirësi. Tani, e shoh bashkë me Uvilin (bashkëshortin) që shëtisin nipin andej nga liqeni. Një bukurosh që quhet Roi. “Eh, si vjen jeta!”, them, po prapë mendja më rri tek Ela, që edhe pse gjyshe, ka kaq freski. U bëfsh 100 vjeç, mikja ime plot mirësi.
– Kur të pashë me Edin dhe bebushin, një pasdite mesgushti, aty afër kryesisë së Kuvendit, shumë gjëra më shkuan në mendje, e dashur Ilva Tare. Së pari, një foto ku jam unë, ti, Babaramo dhe Ela Baçi, te “Galeria e Arteve”, vite e vite e prapë, vite më parë. Ti, aq kinge! Pastaj parti i Nard Veizit, aty tek Ekspozita. Ti afër Elës dhe prapë kinge. Pastaj filluan gocat e Telenorbës të martohen me radhë: Leda, Ornela. Dhe ja, ku i vë kapak “kapitenia” e tyre e dikurshme. Më ngrohe shumë, e dashur Ilva. Një fëmijë i bukur në karrocë. Zoti e bëftë me motër ose vëlla! Urime nga zemra!
– Kur të pashë, si zv/Ministre e Punëve të Jashtme, në një takim, m’u bë zemra mal, e dashur Odeta Barbullushi. Kemi biseduar disa herë kur ishe në stafin drejtues të UET-së, për Shkodrën dhe intelektualët e saj. Për Jul Kastratin, veçmas. Do të më pëlqente ta mbyllja këtë urim me vargun e famshëm “Goc Shkodrane, ti e kuja je”, po unë e di se e kujt je dhe je alamet gruaje. Paçka se edhe diplomatet kanë kaq finesë dhe bukuri! Të uroj nga zemra, suksese në këtë detyrë me rëndësi.
– E dashur Voltana Ademi! Unë jam nga Gramshi, po me shpirt them: “Shkodra ime e dashur”. Lidhet kjo me vitin ‘79, kur punova 9 muaj në Bahçallëk, kur punoja shofer (‘95-‘98) dhe merrja “diçka” për shitje, si dhe vitet e fundit si gazetar, që më kanë krijuar kaq miq; deputetë, projekte, kryetarë bashkish, po edhe plot e plot njerëz të thjeshtë. Të lutem, Voltana, bëje që të ndrisë siç e meriton emri i saj. Sidomos te punësimi dhe prapë punësimi. Puna do t’i kthejë dinjitetin, ti që ke CV-në, njerëz që janë marrë me çimenton dhe ke gjak Gjylbegu, diku e di fort mirë këtë. Të uroj gjithë të mirat, njeri i fortë!
– Të pashë në ceremoninë e marrjes së detyrës zoti Tonin Uldedaj. Nga një anë u gëzova, se je vëllai i Gjokës, njeri me zemër të madhe. Nga ana tjetër, m’u kujtua sa shpenzime kam bërë për të pirë me ty një kafe, aty tek ish-Hotel “Turizmi” Lezhë, apo tek ai resorti juaj me tulla të kuqe, ku për pak shoferi yt desh më shtypi me benzin e tij të zi dhe të bukur e pastaj librat që të kam dërguar dhe… asnjë përgjigje! Megjithatë, të uroj nga zemra t’ia dalësh mbanë aty në Shëngjin, që është një perlë për Shqipërinë. Kërkon jashtëzakonisht kujdes dhe ndershmëri. Gjithsesi, nga zemra, urime. Tani, po qe se shkon në rregull në punë, di ku të të takoj për atë kafen.
– Ah, sa më pëlqen intervista jote, me B. Malon, i dashur shoku im i vyer Abaz Hado. E gjitha aq e ndjerë. Por, mua më mbeti mendja te puna e rëndë e prindërve të tu në fermë, gjë që më kujtoi, se që fëmijë bëje prashitje misri apo harrje rrushi dhe ku për 10 ditë, merrnit 370 lekë të vjetra. Edhe pse e bëje normën, si të rriturit dhe të binte bretku. Bujqësia, sa e vështirë! Po ato prindër rritën një Abaz Hado, që e do dhe e respekton gjithë Shqipëria, së pari për njerëzillëkun e tij. Sytë i kam të përlotur në këto çaste, po të përqafoj fort, njeri i mrekullueshëm.
– Basketbollistë dhe gazetarë në të njëjtën kohë! Pra, jo se njëra është histori, tjetra aktualitet! Jo, ndodhin të dyja në të njëjtën kohë. Quhet Miranda Sinani dhe punoka te “Telegrafi”. Aty ku kam shumë miq dhe me të tjerë nuk më lidh tipi. Normale! Ndihem dy herë i lumtur. Dikur kam luajtur edhe unë basketboll dhe ua kam mësuar tre-hapëshin 3-4 vetëve, që më vonë u bënë pjesëtarë të ekipit kombëtar të Shqipërisë, ndër të cilët shkëlqen I. Trebicka. Por, edhe kam shkruar, në të njëjtën kohë. Ja, që paska edhe një tjetër. Unë e di se ç‘thesare dhe begati shpirti duhet të kesh për t’i përballuar të dyja. Çfarë vendosmërie e hekurt! Janë njerëz të rrallë, me mendje të shkathët dhe reflekse të rrufeshme. Dhe… për atë Zot, ti ishe për t’u pirë në kupë. Gjynah që s’të kam njohur më parë, po këtë kënaqësi ma dha B.Malo, në emisionin e datës 19.08.2015. Urime nga zemra për gjithçka, Miranda!
– Si mijëra të tjerë, edhe unë jam nga ata që ka “rënë” brenda me ty, Z. Vasjari. Shoh çdo 10 minuta klipin që ke realizuar me Elgit Dodën. Po ajo freski, që nga “Po ta dije ti”, për të cilën kam shkruar më shumë se një herë. Po ata sy magjikë, po ato këmbë të mrekullueshme, për të cilat ti kujdesesh aq fort. Më kujtohet si e gdhive para një viti në Elbasan, kur ti kishe një koncert. Koncerti mbaroi në 12 të natës, por shoferi më ish larguar. Dhe e gdhive (po me qejf), duke të patur ty në mendje. Tani, qesh dhe them: Ah, kjo bukuria femërore! Kë nuk le pa marrë në “qafë?! Gjithsesi, të uroj edhe si arkitekte dhe bashkëshorte!
V.O: Edhe një gjë do ta them Zoi: Shyqyr që je shqiptare “bio” 100 për qind, se përndryshe do mburreshin të tjerat, të paktën për gjysmën tënde. Dhe atëherë, kush e di sa do të binin në gjendje “Blackoutin”, si thotë titulli i këngës tënde të fundit? Mua më duket pa kuptim, po kuptim je Ti!
– I dashur Erion Veliaj! Unë nuk kam shitur fiq, po për këtë, të heq kapelen. Veçse dua të dish që në vend të fiqve, unë kam mbajtur plot 22 vjet thasë mielli në kurriz, në Fabrikën e Miellit nr. 1. Punoja natën dhe diten vazhdova dhe mbarova 2 fakultete. U bëra edhe me ndonjë titull. Por, çudi, asnjëri nuk më bëri minister. Ministër jo e jo, po më lanë edhe pa punë, pasi falimentoi gazeta “Pasqyra” e KSSH-së. Mbi 20 letra të kam çuar, po ti nuk më dhe përgjigje. Edhe kur ishim te vakia e S. Olldashit (bashkë me E. Gjermenin) më përcolle. Por, populli thotë: Të rrimë shtrembër e të flasim drejt: Unë shtrembër po rri se më dhemb mesi (22 vjet hamall), por po flas drejt. Të uroj nga zemra për trotuaret. Duket sikur Tirana është shumëzuar me 2. Lus fort Zotin, mos të të ikë vullneti, siç ka ndodhur këto 25 vjet, ku të gjithë e fillojnë me yrysh dhe mbarojnë… Lus Zotin, me gjithë mend, o dhëndrri i shokut tim Arben Xoxa. Gjithsesi, shumë urime. Po të dërgoj edhe një libër timin, me këtë rast!
– Po të flas si prind që jam, e dashur Aleksa, vajza e mikut tim të vyer, Krenar Zejno. M’u bë zemra mal, kur të pashë me lule dhe kartolina që po ia çoje nënës për datëlindje. Me dhimbje e them (po nuk mund të hesht) se fëmijët e mi vijnë tek unë vetëm për lekë. Nuk u bie ndërmend nëse jam sëmurë apo kam ndonjë gëzim! Nejse, kështu i ka edukuar ish-gruaja, por ata mbeten fëmijët e mi. Për t’u kthyer te ti: Të uroj me zemër që të duash të dy prindërit, pa dallim, gjithë jetën! Të përqafoj fort, dhe… mbaj një hudhër me vete, mos të të marrin msysh, se je bërë… ç’të të them! Urime pra dhe nëna 100 vjeç!
– Me daten 18/09/2015 të pashë në televizor miku im i vjetër, aktualisht drejtor i Analtirit, Ilir Mataj. Fole për vështirësitë e shoferave shqiptarë që paguajnë një taksë të padrejtë kur shkoje në Itali. Dhe jo pak, po mbi 20 mijë kamionë çdo vit. Dhe kështu, 25 vjet. Iku Prodi, nuk bën gjë Berluskoni, jo e jo, por edhe Renci doli rrenc. Të uroj fort për shpirtin qytetar që ke, që denoncon premtime të dhena, por të pambajtura. 20 mijë shoferë janë një armatë, që po të mos e paguanin atë taksë të padrejtë, do të kishim makinat xixë. Edhe një herë të uroj fort, i dashur Ilir, djalë trim!
– Mamaja e Bora Zemanit, (po edhe në një gazetë e lexova), më tha se kjo e fundit do të fillojë te Supersporti një emision. U bë 6 vjet që e ndjek ecurinë e saj. Gazetare e motit, emisione për fëmijë, koordinatore këngësh dhe ja tani sporti. Që t’i bësh mirë këto të ndryshimet, do shumë dhunti, po duket se Bora i ka. Ndaj urime dhe puthe fort Arborin, që është nipi i një shoqes sime të shkollës dhe që ti e ke vjehrrë! Urime, mikja ime që je aq kinge, edhe pasi ke lindur!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *