Nga unë, Flamur Bërdëllima, urime për ju:
– Urimin e parë, këtë radhë e kam për shokun tim të hershëm Thoma Dhima, dikur gazetar, tani zëdhënës i Kishës Ortodokse. Më ndaloi afër postës, duke më prezantuar një djalosh që ishte një mrekulli. Pa dyshim, ishte djali i tij, të cilit ai i kish vënë emrin e të atit, Dr. Dhorit, që e doja si baba, kur isha në shkollën “Skënderbej” dhe deri në fund… Tomi! Shkurt, më lumturove, atë të shtunë 25/07/2015. Të përqafoj fort!
– Të pashë duke lexuar gazetat, të dielen me dt. 26/07/2015, e dashur shoqja ime e rrallë Nisida Knezi (Tufa). Një si tis gruaje të ka rënë në të parë. Epo, helbete, 2 fëmijë! Po, për atë Zot, këtë që do them e them si një të vërtetë dhe jo nga simpatia për ty. Qëkur të njoh e deri tani, një gjë mjaft njerëzore lodron e ndez në tiparet e tua. Është mirësia, të cilën ti e ke të gdhendur me kod. Kështu mbetsh, e dashur Nisida, që i ngroh aq shumë njerëzit, me zërin tënd, sidomos! Urime, ti kandidatja për në panteonin e gazetarisë televizive.
– Deputeti i zonës së Klosit, z. Bedri Hoxha, më foli fjalët më të ngrohta për ty Basir Çupa, kryetar i ri i bashkisë. Ende nuk jemi takuar, se operatori im (çuditërisht nga Klosi), më mirë rri pa ngrënë bukë, sesa pa mashtruar. Po, do takohemi, unë, si më i vjetër të uroj një gjë të ditur: ngrohtësinë me njerëzit, freskinë në mendime, kthjelltësi në vizione, për atë popull që sinqerisht meriton të jetojë më mirë, së paku, për fisnikërinë dhe mikpritjen. Urime mik!
– Agim Bedini, shoku im i shtrenjtë i shkollës “Skënderbej”! Ke shumë gjëra pozitive, po sidomos trupin ta admiroj. Në moshen 61-62 vjeç, pa pikë dhjami. Je, siç thotë shkrimtari Melvil Herman: “Ajo çfarë ka kulluar nga një trup njeriu”. Që do të thotë: Muskuj dhe vetëm muskuj. Të adhuroj për këtë, i dashur Gim, dhe të kam model… të paarritshëm, më duket. Sidoqoftë, të përqafoj fort. Puthi fëmijët!
– Telefonata jote, vëllai im i shkollës, Kujtim Boriçi, u bë në dt. 26/07/2015. E diel. Pushim! Por pas asaj telefonate, brenda meje filluan të “ndezin” llampat përbërësit e kaosit. Kaosi i kujtimeve, që më nxori në breg Arben Dukën, më të mirin nga ne, Fatmir Musain, ty, Fatmirin tjetër, që u bë oficer policie. Harkaj që mbiemri i tij, viti 1969. Ne (po edhe të tjerë) u hodhëm me guxim në thellësitë e poezive. Shpesh ndiheshim të humbur në pafundësinë e pacak të saj. Mirëpo… ja… Viti 2015 na gjen përsëri me penë në dorë. Ç’të them unë Kujtim?! Më ngrohe shpirtin, po edhe më trazove, që të raftë një Telebingo, të raftë!
– E hënë dt. 27/07/2015. Në televizion lexohen gazetat. Fshati Tërpan ka shpallur birin e tij Astrit Veliajn, “Qytetar Nderi”. Meqë deputetin e njoh prej kohësh, mund të them: “Është alamet djali”. Megjithëse ky përcaktim është i rrudhur, në fakt, është përfundim i një meditimi të gjatë: Si të gjithë të vdekshmit e kësaj bote, edhe ti miku im, do hapësh krahun, po për atë Zot, ato godinat arsimore në Fier, Durrës e sidomos në Berat, do të jenë edhe një përkujtesë për shpirtin tënd kaq të fisnikëruar. “Eh, këto i ka bërë Astrit Veliaj”, do thonë… Urime nga zemra, mik i vjetër!
– Truri njerëzor, i pa limit, me fantazitë që prodhon, na çon jo rrallë në një gjendje sikur jemi në një ishull të bukur. Ishulli është i gjithi i yti. Por, në jetë, nuk ka më të bukur, sesa “ishulli” me emrin familje. Këtë ndjesi provova, kur të takova herën e fundit, i dashur Ilir Adili. Lus Zotin të jetë një lumturi deri në një gjyshëri të thellë. Të përqafoj fort!
– Të them që u mrekullova kur dëgjova rezultatin me Moldavinë, them të vërtetën, i dashur Adi. Duke i hedhur një sy pesëvjeçarit sportiv, them se aty në atë ekip, veç të tjerash, është respektuar personaliteti krijuesi i çdo sportisti. Kjo është kaq e rëndësishme! Urime Adrian Take, dhe… pikë.
– Për fat, shtypi i ka pasqyruar më se mjaftueshëm goditjet që KLSH-ja i ka dhënë antiligjit. Kohët e fundit, ka një spekter më të gjerë (KESH, Tatime, “Q. Studenti” etj.) dhe intensitet më të lartë. Epo, populli përballë këtij realiteti thotë “ju lumtë, këtu bie era shtet!”. Ndaj të uroj fort nga zemra, miku im Bujar Leskaj! Ke një theksim dhe përsosje të tipareve të KLSH-së nën drejtimin tënd. Njerëzit i ngroh fakti se nuk influencohesh fare nga tesera e partisë që mban fajtori. Edhe një herë, urime nga zemra!
– Vetëm kur largohem nga ti, i dashur Teo Mërtiri, e kuptoj ç’kam fituar. Kam fituar atë që: ndihem mirë pasi kam takuar një njeri aq të ditur. Me sa lehtësi flet për kansuj, për gra të bukura (Elena) për Tatzatin, Sasajn, Bostonin e Amerikës. Dhe të gjithë të lidhura me një bisedë të vetme. Çfarë informacioni! Çfarë sistemimi! Krijimtari. Origjinalitet: Urime Ted! Dhe këtë po ta thotë nga zemra një njeri që nuk ka parë pak, në këtë jetë, në këtë planet, që quhet Tokë! Të përqafoj fort Teo!
– Takimi i studentëve të TBU-së me Ministrin e Drejtësisë N.Naço, më zgjoi një meditim të beftë, i shtrenjti shoku im Artan Hoxha: Se të njoh ty dhe stafin, dijen e ke kuadër konceptual metodologjik, mbi të cilin mblidhet dhe përpunohet informacioni, për të marrë vendimet dhe për të vepruar për arritjen e qëllimeve të caktuara. Mendoj se pikërisht edhe për këtë, ai universitet ka arritje “betoni”, që nuk i lëkund asgjë. Urime! Puthe fort vajzën!
– Marrja (në fakt dhënia) nga ana e Qytetit të Shkodrës, “Qytetar Nderi”, për ty i dashur Osman Mula, papritur më kujtoi se… nuk je më aq i ri. Por, je larg, ah, sa larg, sa për të të thënë “je plak”. Pleqëria është aty, e pagjumë, por sa më fort të jetë i lidhur njeriu me jetën, aq më pak ka të bëjë ai me të ashtuquajturën “pleqëri”. Prandaj, ta gëzosh titullin, i pamoshi Osman Mula. Të fala Evisit, që është kinge!
– Megi quhej vajza jote, e dashur Tina (Eglantina Gjermeni). 9 vjeçe. Sa do të doja që kur të rritej, të kishte të njëjtin kapital intelektual, si e ëma. Do të thotë, të kishte aftësitë për të mësuar dhe përdorur në mënyrë krijuese dijet. Dhe sidomos, të kuptonte, ç’do të thotë të kesh dobësi për një njeri si E. Gjermeni! Të përqafoj fort!
– Nuk e di sa i aksessueshëm do jetë mendimi im për librin “Pronësia Intelektuale”, i dashur Fatos Dega. Sepse unë mendoj, që për nga sistematika e mendimeve, ti i ngjan një farkëtari plak, plot kujdes në vendosjen e veglave, për t’i gjetur me sy mbyllur. Po, mua më “ha” thellësia dhe finesa e mendimeve brilante. Dhe, të mendosh se nuk je Maks Veberi. Qoftë edhe Artan Fuga. Pra, nuk je sociolog, por inxhinier. Për atë Zot, them: Të lumtë pena, Tosi!
Advertisement