Nëpër çatitë e shtëpive
– Motra ime ka parë në ëndërr sikur ecte nëpër çatitë e shtëpive të komshies, kurse unë i thoja: “Zbrit moj se le nam, nuk është mirë kështu”. Ajo nuk pyeste fare, por vazhdonte të fluturonte. Çfarë do të thotë?
– Ecja nëpër çatitë e shtëpive tregon sukses për atë që e shikon. Fluturimi përfaqëson lirinë që e dëshiron kaq shumë ky person. Motra juaj ndoshta ndihet si e burgosur dhe ka nevojë për hapësirën e saj, ndaj edhe shikon ëndrra të tilla. Një parashikim tjetër i ëndrrës është se tregon që në momentin që ajo do të jetë më e lirë, do të ketë sukses sepse çatia, siç ju thashë më sipër, përfaqëson sukses në jetë, sidomos në këtë rast, siç ma përshkruani ju.
Nusja e vëllait
– Ç’do të thotë të shikosh nusen e vëllait e cila lutej për fëmijë? Papritur në dritare iu shfaqën ca lule dhe disa qengja të vegjël. Ajo, në vend që të gëzohej, i largoi nga vetja. Pres një përgjigje. Faleminderit.
– Një ëndërr e tillë tregon që nusja e vëllait ka probleme për të ngelur shtatzënë dhe këtë problem të sajin, ju e përjetoni të gjithë si familje. Ju ndoshta vetë personalisht mendoni se është faji i nuses. Kjo ëndërr tregon se keni brenda jush diçka që ju bën të mendoni se ajo është fajtore, por në fakt nuk është ashtu, sepse qengjat që keni parë e lulet, tregojnë pafajësi dhe dëshirën e saj të madhe për të pasur fëmijë. Largimi i tyre do të thotë që për momentin, nuk do të ketë sukses, por kjo s’do të thotë që t’i humbë shpresat. Një kontroll mjekësor dhe qetësi nga ana e saj do të ndihmonin shumë që të ndodhte mrekullia.