Revolt Klan ose më saktë, Febi dhe Bruno, dinë si të vijnë për publikun, çdo herë duke bashkëpunuar me një këngëtar tjetër… Këtë verë, të gjithë kemi shijuar këngën e tyre me reperin amerikan, Vince Mc Cleeny. Ja çfarë thonë ata dhe Vinsi, gjithashtu…
Fabjola Kuburi: – Çuna, si u bë kjo këngë kaq e zjarrtë?
Revolt Klan: – Kam bashkëpunuar për “On fire” me një prej reperave më të mirë të Filadelfias, kështu që s’kishte si të ndodhte ndryshe.
– A jeni të kënaqur nga efekti që pati kjo këngë dhe klipi i saj?
– Kënga ka hyrë në të gjitha dyqanet dixhitale si itunes, google store, deezer Spotify rhapsody e të tjerë. Jemi shumë të kënaqur me suksesin e saj.
– Pse zgjodhët Vinsin për këtë bashkëpunim?
– Sepse është një talent i rrallë i hip-hopit amerikan.
– Emri juaj tashmë barazohet me bashkëpunimet. Kjo është strategjia juaj për të qëndruar gjithmonë në treg?
– Kështu e nisem me Mario Biskin me këngën “Id Lover” ku patëm hitin tonë të parë më gjerë sesa në Shqipëri, por kjo s’do të thotë se s’do të ketë bashkëpunime me shqiptarë apo kosovarë.
– Nuk më thatë pse keni zgjedhur këtë stil, duke u shfaqur në publik gjithmonë përkrah një këngëtari të huaj?
– Për të qenë ndryshe dhe për të eksperimentuar edhe në treg të huaj.
– Si është të punosh me këta emra të muzikës botërore?
– Secili prej tyre vjen nga një shtet i ndryshëm i Evropës dhe jemi munduar sadopak ta prekim tregun e atij shteti. Ndërkohë, ne kemi sjellë edhe materiale solo në shqip për tregun shqipfolës.
– Kush i shkruan tekstet?
– Për tekstet në shqip kemi punuar me Ronin, Florian Zykën, por edhe i kemi shkruar vetë.
– Thuhet se jeni rebelë në jetën e përditshme. A është e vërtetë?
– Varet nga çfarë sjell përditshmëria. (Qesh)
– Herën e fundit që realizuam intervistën, ju patët nxjerrë bashkëpunimin me bullgaren Alisia. Do të ketë ndonjë bullgare tjetër në vijim apo tani sytë janë nga “toka e premtuar”?
– Kemi një bashkëpunim me Emanuelën, një tjetër këngëtare shumë e njohur bullgare dhe jemi në pritje të shumë projekte-surprizave nga “toka e premtuar”, që nuk do të vonojnë.
– Shihni ndonjë rivalitet me grupet e tjera apo nuk e keni patur ndonjëherë këtë problem?
– Mendojmë se secili ka vendin e vet në tregun muzikor.
– Sa e vështirë është të jesh këngëtar sot?
– Shumë, pasi tregu është i mbingopur dhe që të jesh dikush, duhet të investosh te vetja, si edhe ta sjellësh materialin ndryshe nga të tjerët.
– Me kë jetoni aktualisht?
– Me njerëzit e zemrës.
– Këngëtarët përfliten si më të pasurit. Cila është pasuria juaj?
– Po kemi dy jahte, dy hotele në Majami. (Qeshin) Ky realitet është për këngëtarët më të mëdhenj të Amerikës, fatkeqësisht. Ne jetojmë mirë dhe me këmbë në tokë, por nuk jemi të pasur.
– Sa kohë i kushtoni marrëdhënies suaj me familjet?
– Studioja dhe eventet na kufizojnë, por mundohemi të gjejmë një të mesme.
– Kur mund të reagoni keq?
– Nëse na bien në qafë pa arsye neve apo njerëzve tanë më të afërt, por kjo ndodh rrallë, për të thënë asnjëherë, pasi mundohemi të jemi sa më pozitive me këdo.
– Cilët janë miqtë tuaj në muzikë dhe jashtë saj?
– Miq kemi shumë dhe, nëse themi emra, dikujt mund t’i ngelet hatri. Në muzikë janë të gjithë çunat e studios Revoltmusic dhe Timeless production.
– Ka më shumë xhelozi femërore apo egoizëm mashkullor?
– Nuk i njohim këto sporte. (Qeshin)
– Cila ka qenë prapësia më e madhe që keni bërë kur keni qenë adoleshentë?
– Adoleshentët prapësira bëjnë. Specifike s’na kujtohet, por kemi bërë edhe ne ca në kohën tonë.
– Cila ju ka mbetur në mendje?
– Fatkeqësisht, s’kanë mbetur shumë në mendje.
– A keni ndonjë shenjë që ju ka mbetur që atëherë?
– Jo. Shenja mund të kemi lënë, por vetë nuk kemi. (Qeshin)
– Kë keni pasur më frikë në familjen tuaj, mamanë apo babain?
– Asnjërin, prindërit i kemi si shokë.
– Cilën nga këngët tuaja keni më për zemër?
– S’besoj se ka këngëtar që i ndan këngët. I duan të gjitha njëlloj, si gishtat e duarve që të dhembin njëlloj.
– Çfarë ju ngeli merak nga gjithë kjo intervistë?
– Që t’ju përshëndesim juve, gazetën “Intervista” që ka qenë pranë nesh në të gjitha projektet dhe të gjithë fansat e këdo që na ka përkrahur në rrugëtimin tonë në muzikë, duke u premtuar shumë këngë të reja e të bukura.
Vince Mc Cleeny: Revolt Klan, i zgjodha vetë!
Fabjola Kuburi: – Vins, si do t’u prezantoheshe atyre shqiptarëve që nuk të njohin?
Vince Mc Cleeny: – Jam një reper amerikan nga Filadelfia, me mendje shumë të hapur për muzikën. Punoj në vende të ndryshme të botës dhe bashkëpunoj me artistë të huaj nga i gjithë globi.
– Po me Revolt Klan, si u lidhe? Si nisi bashkëpunimi juaj?
– Një natë, rastësisht, pashë një video të Revolt Klan në Youtube dhe më pëlqeu shumë stili i tyre. Menjëherë fillova të shikoja mundësitë e një bashkëpunimi në nivel ndërkombëtar. Revolt Klan më duken shumë interesantë dhe të këndshëm. Mendoni… unë nuk e kuptoj gjuhën e tyre, por gjithsesi më duken shumë me stil dhe më pëlqen mënyra e tyre e interpretimit.
– A mund të na thuash se cili nga produktet e tua është më i suksesshmi?
– Mendoj se të gjitha këngët e mia kanë qenë në nivel të lartë dhe fansat e kanë treguar këtë me pëlqimin e tyre. Unë jap 100% të vetes kur prodhoj muzikë. Përpiqem gjithmonë të sjell diçka ndryshe, tinguj të rinj dhe kontributin tim.
– E njihje Shqipërinë më parë?
– Unë kam qenë në Shqipëri kur realizuam videon dhe vizitova disa vende shumë të bukura për pushime, pse jo, edhe për të jetuar. Shqipëria është e bukur.
– Cila është shprehja jote e preferuar?
– Let’s burn this place… (Le ta djegim vendin me muzikë…)
– Çfarë është familja për ty?
– Dashuri dhe respekt. Përjetë!
– Çfarë mendon se ditë pas dite do shkojë më mirë?
– Mendoj se një ditë gjithçka do të jetë më mirë për mua e familjen time dhe për botën, sigurisht.
– Beson te shpirti binjak?
– Besoj te shpirti binjak për mua dhe për çdo njeri në botë. Ti mund të zgjedhësh të jesh vetëm, por mos harro që bota do të duket një vend i shkretë në atë mënyrë.
– Çfarë kanë të përbashkët me ty festat, femrat, akooli dhe paraja?
– Është atmosfera normale e pa stres për mua. (Qesh)
– A ka një dashuri në jetën e Vinsit?
– Po, jam i fejuar prej 5 vjetësh. Ndihemi mrekullisht mirë bashkë.
– Mendon se duan më shumë femrat apo meshkujt?
– Të dy mund të duan.
– Cili është hapi i radhës për ty në muzikë?
– Të bëhem numri 1 në botë, jo vetëm në një vend.
– Në fund, a ke diçka për të shtuar?
– Dua t’ju falëndëroj për këtë intervistë dhe shpresoj që fansat të vazhdojnë të më mbështesin kudo ku janë nëpër botë. Një big-up për Revolt Klan që pranuan të bënim këtë bashkëpunim dhe më prezantuan edhe në Shqipërinë tuaj.