Dark Mode Light Mode

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Follow Us
Follow Us

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use

Kristali i dashurisë që nuk e thyen dot askush

Seati nuk i tha asgjë të atit, para se të nisej. Nuk donte të prishej magjia e ëndrrës. I ndruhej ndonjë fjale të patakt, apo numërimit të brezave të gjakësisë. I dukeshin të çuditshme ato që lexonte në librat e shenjtë, se muslimani mund të martohej edhe me kushërirën e parë, por të ruaje gjakësinë deri në shtatë breza, siç thoshte i ati, ishte e pamundur. Meqë ishte blegtor, shembujt i merrte nga kafshët. Dikur i kishte bërë vaki që delja t’i lindte qengj me dy koka, ngaqë dashi kishte qenë më parë qengji i saj. Kafsha bën gabime, se nuk ka mend, por njeriut nuk i lejohet. Kur vinte puna për mblesëri, “prit, u thoshte, se duhet të pyesim” dhe më pas numëronte brezat pa fund. Mirëpo Seati nuk pyeti as ndonjë të afërm tjetër kur erdhi puna për Retën. Ishte zjarri i dashurisë ndezur në zemrën e tij, që s’donte të fikej nga ndonjë shi fjalësh të pamerituara, ngritur mbi perceptime të gabuara.
Loja e këndshme e fjalëve mes tij dhe vajzës që sot po shkonte ta kërkonte për grua, filloi në rrjetin social Facebook dhe u bë më tërheqëse me kalimin e kohës. Ata merrnin nga faqe të tjera të internetit pasazhe të bukura, citate nga njerëz të mençur të të gjitha kohërave, poezi të ngjyrosura në art, i përvetësonin e ia nisnin partnerit. Efekti i tyre ishte spektakolar! Lulja e dashurisë në zemrat e tyre ujitej përditë me fjalë të bukura, duke u rritur e zmadhuar. Këtë nuk e tregonin vetëm sytë e tyre shpuzë, që ndezin zjarre edhe kur dallgët e forta të njerëzve dashakeqë i spërkasin me nënqeshje e mosbesim të tërbuar, por edhe kur ata udhëtojnë në rrugë të pashkelura të sprovës së dashurisë. Nuk ishte pamja e jashtme ajo që përcaktonte intensitetin e dashurisë, por ajo çka njeriu ka në brendësinë e shpirtit të tij, karakteri dhe edukimi familjar.
Ai nuk vrapoi drejt aventurës që të deh dashuria, por respektoi dëshirën e vajzës për të kërkuar dorën e saj para prindërve. Vetëm pas miratimit të tyre, do të hapej porta e hyrjes në parajsën e dashurisë së vërtetë. Reta nuk ia kërkoi këtë sepse s’ishte e bindur për dashurinë e tij, por për t’u bërë një dhuratë të çmueshme në pjatë të argjendtë prindërve të saj. Jo çdo vajzë është e gatshme t’i bëjë ballë vërshimit të emocioneve që ndez zjarri i dashurisë për dorëzim pa kushte, duke harruar edhe betimin më të madh që dikur e ruanin me shumë fanatizëm për natën e parë të dasmës. Kjo tashmë është një relike varur në çengelin e kohës së vjetër, ama Reta nuk vrapoi as drejt modernes së shpejtuar, por bëri pjesëtimin e dy kohërave, në mesin e artë.
Seati nuk ishte i panjohur për prindërit e Retës. Familjet e tyre njiheshin prej vitesh. Kur zbritën në zonat urbane, koha e solli që të bënin mblesëri në të dy fiset. Kjo bënte që hyrja të ishte e lehtë, por dalja nuk dihej, edhe pse në dorë kishte gjënë më të rëndësishme, fjalën e dhënë nga personi që do të ishte më pas gjysma e jetës së tij. Madje ajo kishte marrë nga e ëma një lloj vize kalimi në tokën e premtuar të dashurisë, qëkur vuri re komunikimin shoqëror në rrjetin social. Si të thuash, ia kishte hapur shtegun e kalimit në tokën e ndaluar për një vajzë të ndrojtur dhe disi të paragjykuar nga artikulimi i ngadaltë i fjalëve, por edhe nga një defekt trupor i lindur. Vitet e fundit, Reta kishte filluar të ndiente dhimbje në të gjithë trupin, lodhje të tepruar, mërzitje, pasivitet në mësime e shoqëri. Padituria për pasojat e këtij defekti në kraharor, ndoshta mosbesimi te mjekësia shkencore, bënë që vajzën ta linin pas dore që herët. Ishin mjaftuar me mjekët popullorë, ose më mirë me thënë, te mashtruesit përzier me ngjyrim fetar, për të rritur besueshmërinë te klientët, por që nuk kishin asgjë të përbashkët me fenë që predikonin. Naiviteti dhe horizonti i cekët i mamasë së saj, bënte që të mos ishte në gjendje të ndante besimin në Zot nga predikuesit e rremë dhe sidomos, kur këta pretendonin se shëronin sëmundje që mjekësia nuk ka mundur t’u japë ende zgjidhje përfundimtare.
Seati vinte të kërkonte dorën e vajzës duke mbajtur mbi supe peshën e një familjeje të zgjeruar dhe me të ardhura ekonomike modeste. Kur u mbyll shkolla e ciklit të ulët për kontigjent të pakët nxënësish në fshatin e vogël malor, ata u detyruan të gjenin zgjidhje emergjente: Blenë një shtëpi modeste aty ku janë dhe sot, me idenë e shpërnguljes së gjithë familjes. Për shkak të borxhit që u krijua, prindërit qëndruan në shtëpinë ekzistuese për të mbajtur blegtorinë, ndërsa fëmijët shkuan në shtëpinë e blerë.
Vitet kaluan, por prindërit nuk u bashkuan me pjesën tjetër të familjes, ndonëse vazhdojnë të jenë kontribuesit kryesorë në të ardhura për pjesën tjetër. Gjatë kësaj kohe, Seati mbaroi gjimnazin dhe më pas provoi disa herë emigracionin, shumë herë klandestin, derisa një ditë autoritetet doganore e qerasën me një gjobë të majme, duke e privuar edhe nga çdo shtet tjetër evropian. Dy nga motrat u martuan, por fati nuk u eci mbarë. Njëra do të divorcohej vetëm pas pak muajsh martesë, kurse tjetra, kur ishte bërë me fëmijë. Të detyruara nga rrethanat, duhej të punonin te fermerët që kishin nevojë për fuqi punëtore, ndonjëherë edhe në qytet, disa dhjetëra kilometra larg, duke marrë mbi vete koston e gumëzhitjes së fjalëve jo të denja. Siç ndodh rëndom në provinca, jeta liberale është kosto për të ardhmen, pasi kthehesh në objekt thashethemesh dhe të privojnë nga objektivi që i vë vetes në zgjedhjen e partnerit. Kështu e shtyn kohë pas kohe ringritjen e familjes, ndërsa vitet që rriten si pa u ndierë, kthehen në disfavor, më pas dhe pamundësi objektive për qëllimin kryesor të martesës, rigjenerimin; shkaqe të mjaftueshme që Seati duhet t’i merrte në konsideratë për të ardhmen e tij.
Duke thyer heshtjen e krijuar, Seati bëri të ditur se kishin biseduar ngeshëm kohë më parë, duke hetuar në brendësi të shpirtit të njëri-tjetrit dhe kishin gjetur atë pasuri ndjenjash të mjaftueshme, që nëse i bashkonin në vitet e ardhshme, do të ecim gjithë jetën në lumturi. Ai kishte vajtur me mendim të stabilizuar e gjykim të pjekur, duke marrë më parë edhe aprovimin e vajzes, e cila mund ta thotë vetë mendimin e saj.
I ati i vajzës, disi i çuditur për guximin e Seatit dhe mosbesues në fjalët e tij, se mos këto dilnin nga goja e shpejtuar para mendjes, pyeti të bijën se sa duhej t’i besonte këtij djali. Ai ngeli i shastisur kur ajo i pohoi se për Seatin, zemra i diktonte fjalët më të bukura. Kur ishte pranë tij, zëri i dridhej nga emocionet, ndërsa larg, ndjente humbësi të pafund. Ai ishte njeriu që nuk do t’i dorëzohej vetëm fizikisht, por të cilit do t’i dorëzonte gjithë botën e saj shpirtërore. Kurrë nuk ishte ndierë ndonjëherë më e gëzuar, më e lumtur, më e plotësuar se ato kohë. Pa Seatin, jeta e saj dukej krejt e zbrazët e pakuptimtë, e kotë. Kështu i pohoi Reta të atit, duke flakur tutje ndrojtjen e dikurshme të një vajze të ndrydhur.
Rezervat që kishin për familjen e djalit, duke i gjykuar me syzet e prindit, por edhe si provincalë të thekur pas kësaj dashurie të shfaqur me tepri, dukeshin shumë të parëndësishme. Të kënaqur për zgjedhjen e mençur të vajzës, pa ndonjë konsultim të veçantë, hapën portën e zemrës edhe për pjesëtarin e ri të familjes. Madje, për ta bërë edhe më të afërt se këdo tjetër, i propozuan që Seati të bashkëjetonte me ta. Reta e meritonte këtë nder jo vetëm se ishte vajza e fundit dhe në njëfarë mënyre zvendësonte vëllain e munguar nga pamundësia, por edhe si mbështetje për shkaqe shëndetësore.
Seati nuk ishte aspak i përgatitur për këtë befasi të këndshme dhe delikate njëkohësisht. Të këndshme, pasi kështu nuk do t’i duhej të punonte gjatë për sigurimin e një banese për familjen e re dhe do të ishte më i qetë, pasi i druhej kontradiktave të gruas së ardhshme me kunatat e saj. ai nuk donte të ishte i padrejtë me asnjë, por as të thyente kristalin e dashurisë në zemrën e Retës, nuk do ta dëshironte kurrë. Delikate, pasi do t’i duhej të mbante mbi vete një lloj epiteti të pakëndshëm që u vihet dhëndurëve kur shkojnë te nusja për të jetuar. Por, përderisa qëllimi kryesor ishte familja bazë, lumturia e saj në vite, për më tepër dhe lehtësim kushtesh ekonomike, do të bënte çmos të thyente mentalitetin absurd që ndonjëherë ta përplasin në fytyrë si pazotësi maskiliste. Dashuria e pakufishme për Retën e shtyu të pranonte edhe kushtin e vënë, nëse mund ta quajmë kështu, bashkëjetesën me familjen e nuses.
Kristali i dashurisë do të ndriste si margaritar në qafë të viteve, pa u thyer nga askush. Të paktën kështu shpresojnë dhe besojnë ata, shtegtarët e mendimeve të lira, pa e ditur se rruga e jetës nuk do jetë aq e lehtë…

Nga J. Muçollari

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Add a comment Add a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Post

Njoftime nga Shqiperia

Next Post

Kujdes nga çrregullimi bipolar!

Advertisement