Sot është e shtunë
Sot është e shtunë,
Mbetet edhe një ditë;
Dashurinë ta braktis unë,
Dhe ajo të humbas të ritë.
Sot është e shtunë,
E ajo zemër copëtuar.
Lotët që i rrjedhin lumë,
Duke pritur e përvëluar!
Eh, shkuan plot dy vjet!
Qëkur e braktisa;
E di, shpirti i saj thërret,
Që kur tradhtinë nisa!
Sot është e shtunë,
E diela e dasmës po troket.
Vallë atë pse e lash’ unë?
Oh, ndërgjegje sa po më vret! Flamur Cepele
E bukura
E morën nga mali një lule një herë
Që rrinte e çelur dimër e verë
S’kish lënë me natyra jo, jo pa i dhënë
Sa natën, e bukura shkëlqente si hënë…
Nuk mbeti njeri, plak apo djalë
Që zemrat e tyre të mos rrihnin si valë
T’i shihje veç ngjyrat, pale hijeshinë
Kush vinte nga fusha thosh me psherëtimë…
Nuk kaluan shumë kohë nga lulja e madhe
Dhe lulja u zverdh se ishte në halle
“Është sy” thanë disa,
të tjerët në zë “mos dheu i fushës nuk ish për të ?”
Ndaj lulja u tret nga malli i malit
dhe mbeti në fushë veç prushi i zjarrit.
U fol për lulen gjatë nëpër këngë
Sa njerëzve u mbeti e bukura në mend. Lavdosh Sinanaj
Ku je poet? S’më përgjigjesh
Vështroj i heshtur buzë liqenit të paqtë
Me mall valëza afrohet përqafon bregun
E ndjeshme ikën kthehet si një vashë
Fryn puhizë e lehtë e më largon zhegun.
Kënga e ëmbël e mjelmës bardhore
Më zgjon nga mendimet jeta thërret
U ngrita çapitem mes rërës liqenore
Nga shpirti më del: zgjohu, ku je poet?
Gumëzhijnë zogjtë Drilonit në shelgje
Pulëbardhat gjurmojnë të kapin peshk
Me ty kërkoj të eci liqenit mes vargjesh
T’u thurim vjersha vashave nën hije me fresk
Ku je poet? Përgjigjmu, gjumi të ka zënë?
Më shikon sonte lart nga drita e një ylli
vargu yt shkrirë me vashat dritë hënë
Baris heshtur mes shelgjesh të këtij pylli.
Më ndjeve poet mes zërit të mjellmave
Mes valës që bregun puth e largohet
Mes cicërimash zogjsh dalin folezave
Mes rrufitjes së kafes besoj të kujtohet.
Të ndjeva poet Lasgushi kur vargjet lexoj
Mëngjesit ku rrezja e parë sa hapi synë
Të ndjeva në zërin e vashave kur shikoj
Këtu liqenit të paqtë derdhur Zoti magjinë. Pullumb Ahmeti
Mrekulli mbi mrekullitë
Kur dielli ëmbël me ty flirtonte
E derdhej bujshëm mbi bukuri
Ç’më shumë mundej të sajonte
…mrekulli mbi mrekulli?!
Butësisht, të prekte edhe nata
E hënën të gjithë hidhte te ti.
Ç’dritë argjend mbi flokë të gjata
…mrekulli mbi mrekulli!
Kur vera në gotë, priste e etur
Buzët e tua plot ëmbëlsi.
Unë përballë, mahnitur mbetur
…mrekulli mbi mrekulli!
E dekoltetë që vishje mbrëmjeve
Tunikë që mbanin perënditë
Mbi ato supe, parajsë e ëndrrave
…mrekulli mbi mrekullitë! Bledi Ylli
Muza ime
Më braktis ndonjëherë, nxituar
Por pa ty unë ndjehem bosh
Nisem vetë për të t’kërkuar
Pa u dashur t’më kërkosh…
E di vendin ku strehohesh
Ku me zemrën ti bën flirt
S’ka nevojë t’më prezantohesh
Se e di çfarë mbaj në shpirt!
Muza ime që ikën-vjen
Përmbi zemër t’kam kurorë
Mjaltë-vargjet ti i gjen
Unë i shkruaj se kam dorë…
Prandaj ti s’bën dot pa mua
Natyrisht, dhe unë pa ty
Ti frymon aty ku dua
Thellë në shpirtin tim, aty!
Mijëra vargje me ty kam shkruar
Me ty o muzë që ikën-vjen
Nuk lë vend pa të kërkuar
Por është lapsi që të gjen…
Diku aty mbi letër shtruar
Shtruar, shtrirë! Nuk di ç’të them! Bledi Ylli