Kombi ynë nxjerr talente në të gjitha fushat, prej atyre që na zbardhin faqen dhe na bëjnë të ndihemi krenarë që jemi shqiptarë. Rasti më i fundit është i Granit Bunjakut, djaloshit nga Prishtina i cili do të punojë me Eminemin. Ai ka fituar konkursin për të bërë koverin e albumit të këngëtarit dhe të koncerteve ku do të performojë Eminemi. Graniti do të jetë gjatë gjithë kohës në komunikim me Eminemin dhe do ta takojë personalisht reperin me famë botërore. Për një djalosh 24 vjeçar që studion në Universitetin e Prishtinës, kjo është një ëndërr e kthyer në realitet. Ai na rrëfen se si ka rënë në kontakt me konkursin dhe si e ka pritur fitoren…
Eraldo Harlicaj: – Granit, a mund ta prezantosh veten për një publik që nuk të njeh?
Granit Bunjaku: – Unë jam një 24 vjeçar që jetoj në Prishtinë dhe studioj në universitetin e këtij qyteti për degën e Ndërtimit dhe Arkitekturës. Që në vogëli jam marrë me art. Kam marrë pjesë në shumë konkurse ndërkombëtare dhe në vitin 2012 kam fituar çmimin Artisti i Ri i Vitit në Amsterdam, ku krijimi im u përzgjodh nga 2110 piktura.
– Si e more vesh për konkursin e koverit të Eminemit?
– Rastësisht u ftova nga një faqe në internet që merret me dizenjim. Ato shpërndanë njoftimin në internet dhe unë e mësova për konkursin dhe mundësinë e artë që po më jepej.
– Çfarë kriteresh duhet të plotësoje për t’u bërë pjesë e konkursit?
– Duhej që të ishe i regjistruar në faqen zyrtare, të kishe një punim origjinal tëndin dhe të mos kishe elemente të huazuara në internet. Të gjithë personat që i plotësonin këto kritere, merrnin pjesë në konkurs.
– A mund të na i tregosh etapat në të cilat kaloi konkursi?
– Kanë qenë më shumë se 2000 konkurrentët që kanë dorëzuar punët e tyre. Kjo ishte faza e parë. Në fazën e dytë, Eminemi ka përzgjedhur 15 punime, një ndër të cilët ishte edhe i imi. Faza përfundimtare ka qenë në bazë të votave të publikut dhe pëlqyeshmërisë së punës nga reperi i famshëm.
– A kishe besim se do të fitoje?
– Unë kisha besim te puna ime, por realisht, konkurrenca ishte shumë e madhe. E dorëzova punën, por nuk e mbaja mendjen aty. Pothuajse e kisha harruar fare se kisha dorëzuar punë për konkurs, madje nuk kam bërë as fushatë për pëlqimin e veprës time.
– Si të lindi ideja e krijimit të koverit?
– Ajo çfarë kam shprehur unë në atë çfarë kam krijuar është pasqyrimi i artit të shkronjave në artin e ngjyrës. Unë, çdo MC (mike controller) e shoh në këtë mënyrë.
– Pjesa më e veçantë e punimit është mikrofoni ku futen plumba… Nga erdhi frymëzimi?
– Duke dëgjuar tekstet e Eminemit e kisha konceptuar si të tillë, pasi ai përcjell shumë mesazhe të forta në këngë. Ka raste, edhe denigruese, por edhe kundër artistëve të tjerë, pastaj duke e lidhur me fjalën tonë të urtë se “fjala vret më shumë se plumbi” doli në dritë edhe ai kover.
– Ju, punën e kishit konceptuar para apo pasi e morët vesh për konkursin?
– Pasi e morra vesh për konkursin. E kam punuar Eminemin si profil, por nuk kisha diçka të gatshme për stilin e konkursit. Kjo punë më mori rreth 3 javë.
– Tashmë, do të jeni në kontakt të vazhdueshëm me Eminemin. A keni folur personalisht me të?
– Kam folur me stafin e Eminemit dhe normalisht, reperi ka dijeni për këtë gjë. Nuk e di nëse më ka shkruar personalisht.
– A mund të na zbulosh ndonjë nga bisedat?
– Kemi folur vetëm për punë dhe në kuadër të projektit që do të kemi.
– Është një komunikim shoqëror apo zyrtar?
– Është një komunikim që të jep shumë kënaqësi, pasi po bisedon me një prej yjeve më të mëdhenj të muzikës botërore dhe që do të mbesë në historinë e repit. Flasim si miq, por shumë seriozisht, kur vjen puna te realizimi i projektit.
– Si do të vazhdojë tani bashkëpunimi?
– Ne do të jemi në kontakt të vazhdueshëm dhe në komunikim që të flasim dhe të orientohemi për hapat e ri që do të ndërmerren. Ai do të bëjë të gjitha përgatitjet e tij dhe unë, të miat.
– A do të jesh i ftuar në ndonjë prej koncerteve të tij?
– Akoma nuk kemi diskutuar për diçka të tillë, por besoj se do të jem. Do të kem mundësi ta takoj edhe personalisht, shpresoj.
– Kjo nuk është aventura juaj e parë me kovera albumesh, pasi me sa di, ti ke bërë edhe koverin e MC Kreshës “Emceeclopedy”…
– Është e vërtetë, unë kam bashkëpunuar edhe Kreshën për koverin e albumit të tij, por jo vetëm. Kam mbuluar edhe koverat e artistëve Ergen, Nuke dhe X.
– Me çfarë merresh në kohën e lirë?
– Përveç dizajnit që e shoh si pasion dhe arkitekturës, si profesion, në kohën time të lirë lexoj dhe dëgjoj muzikë.
– Po projektet e ardhshme, cilat janë?
– Tani po punoj për realizimin e koverit të artistit BimBimma nga grupi i famshëm “NR”.
– Je dëgjues i rregullt i Eminemit?
– E kam dëgjuar shumë vetëm gjatë kohës që më duhej të punoja koverin, nuk jam ndonjë fans i çmendur.
– Sa do të paguhesh për punimin?
– Rroga nuk tregohet. (Qesh)
Si do t’i dizenjoje…
– Këngëtarët e Kosovës dhe të Shqipërisë.
– Më keni dhënë një detyrë shumë të lehtë. Koveri i duhur për artistët tanë do të më hante vetëm dy minuta punë. Do merrja letrën, format dhe do ta zhgarravisja me një laps të zi. Pastaj do të bëja edhe disa viza me ngjyra, si shenja jete, në respekt të atyre që prodhojnë muzikë të vërtetë.
– Nivelin e dizenjimit…
– Një gropë e madhe, por vetëm për atë çfarë merret nga shkollat, pasi kemi talente.
– Kryeministrat e vendeve tona, Ramën dhe Mustafën…
– (Qesh) Nuk më vjen ndonjë ide, por besoj se nuk do të ishte e pëlqyeshme për ta.
– Shqipërinë dhe Kosovën…
– Do t’i bëja bashkë!
– Autoportret…
– Gjeni. (Qesh)
– Të fundit, si ëmbëlsirë… Gazetën “Intervista”! Këtu, shprehe talentin se nuk pranoj tolerime!
– Hëm, gazetën tuaj do ta bëja si një trofe.