Dark Mode Light Mode

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Follow Us
Follow Us

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use

E fejuara moldave më ndau nga familja

E dashur redaksi e gazetës “Intervista”, unë që po ju shkruaj jam një djalë nga Elbasani, që jetoj në Angli dhe kam ikur që 17 vjeç në emigrim. Tani jam 38 vjeç. Si të gjithë ose si shumicën e të rinjve, kushtet ekonomike më detyruan të ikja nga Shqipëria e familja. Mbaj mend që me lot jam ndarë e me kredi kam ikur, por tani jam stabilizuar dhe kur i kujtoj më duket sikur ishte gjëja më e paktë që mund të kaloja. Ditët e para të qëndrimit këtu kanë qenë të vështira. Normale, si kudo, fillimi është i vështirë. Me familjen mbaja kontakt pothuajse çdo ditë. Pas 2–3 muajsh fillova t’u dërgoja edhe lekë se e kapa veten. Një ditë, siç isha duke punuar në lavazh, erdhi një vajzë e bukur bjonde të lante makinën e saj. Ua mori mendjen të gjithëve sa hyri. Në punë kisha edhe një shok tjetër nga Shqipëria si dhe dy bullgarë. Të gjithë filluan ta pëlqenin e i hidhnin fjalë, mirëpo ajo ma vari vetëm mua. Unë e përmbajta veten, por ajo e shkriu akullin midis nesh e më tha se i pëlqente shumë se ia laja makinën më mirë se çdo lavazh tjetër. Pastaj më bëri kompliment për trupin. “E kam nga puna”, ia ktheva unë. Ditët kalonin dhe vura re se ajo vinte çdo ditë ta sillte makinën e saj te lavazhi ynë, derisa një ditë e ftova për kafe dhe ajo pranoi. Këtu filloi gjithçka… Këtu do të fillonte edhe jeta ime e re.
Në takimin e parë midis nesh, folëm dhe unë kujtoja se ishte britanike, por ajo më tha se ishte nga Moldavia dhe kishte ardhur me familjen që e vogël. Unë u habita, pasi kisha menduar se do ishte nga ato bjondet e pasura dhe tipike angleze. Por jo, ishte moldave. Po na shkonte shumë mirë muhabeti, ndoshta ngaqë ishim të dy emigrantë. Takimet tona sa vinte e po bëheshin më të shpeshta derisa unë i propozova. Pak më vonë ajo pranoi dhe u lidhëm bashkë. Natën e parë që kaluam bashkë, u çmenda tërësisht pas saj dhe që nga ajo ditë, harrova gjithçka tjetër. Në Shqipëri ishin shqetësuar dhe familjarët kishin pyetur familjarët e shokëve të mi këtej se nga bëhesha. Nuk e di, po ajo sikur më bëri magji. As për veten nuk mendoja më. Sa herë zgjohesha në mëngjes, çdo mendim i parë ishte ajo. Fola me familjen, mamaja ishte tepër e shqetësuar. Në Shqipëri kisha edhe një vëlla të sëmurë. Thashë me vete: “Çfarë po ndodh me mua? Çfarë po bëj kështu?”. Atë muaj nuk u dërgova dot as lekë pasi i kisha bërë dreka e darka e parti nëpër lokale luksoze me Sashenkën, se kështu quhej e dashura ime që do të doja të mos e kisha njohur kurrë!
Ditë më vonë, Sashenka më pyeti për familjen time. Më kërkoi të fliste në telefon, madje edhe më prezantoi me familjen e saj. Kur kishte vëllai im ditëlindjen, Sashenka, nga ana e saj, i dërgoi me postë disa lekë. Ngaqë ma respektonte shumë familjen, më bëri shumë për vete. Familja e saj më ndihmoi edhe me letrat, derisa i rregullova.
Një verë, pas kaq vitesh në emigracion, Sashenka e unë u fejuam. Fejesën e bëmë në Angli me pothuaj gjithë familjen e saj, si tip dreke familjare. Ngaqë prindërit e mi jetonin në Shqipëri, ne vendosëm të vinim edhe në Elbasan. Ishte hera e parë që pas kaq vitesh që vija në Shqipëri. Më dukej sikur po vdisja nga malli rrugës e në moment të fundit nuk po rezistoja dot derisa të ulej avioni. Në Londër, fejesën e bëmë në qershor, në Shqipëri po ktheheshim në gusht. Gjatë fejesës në Londër, pothuajse gjithë fisi i Sashenkës kishte ardhur nga Moldavia në Angli. Ishin më kryesorët, daja, xhaxhallarët, hallat e saj, të gjithë me shumë klas e të veshur mirë. E bëmë fejesën sipas traditave moldave.
Nejse, kalojmë te momenti që hymë në Elbasan. Sashenkës po i pëlqente shumë Shqipëria. Megjithëse unë i dërgova familjes lekë për të bërë disa rregullime, prapë shtëpia është shtëpi dhe ka një mijë e një halle. Jetoj në një lagje të vjetër të Elbasanit me shtëpi të rrënuara e me njerëz jo fort mirë nga ana ekonomike. Përpara se të shkoja, u futëm në një butik me Sashenkën dhe ajo u çudit nga kërkesa ime për të blerë disa rroba të tjera pasi duhej të përshtatej me familjen time dhe nuk mund të shkonte me rroba aq të shkurtëra si rroba banjoje, në një sebep të një rëndësie të tillë siç ishte fejesa. Aty filloi dhe debati ynë i parë. Ajo nuk e kuponte se përse duhet ta bënte këtë, por si përfundim, e binda. Takova mamanë e babanë e më pas, gjithë familjen e fisin. Nëna kishte net që priste zgjuar ardhjen time dhe kishte dalë mu në rrugë kryesore për të më pritur. Nëna ime është një nënë tipike shqiptare, me njëqind rrudha nga njëqind halle që e kanë kërrusur para kohe të shkretën. Më bëri përshtypje Sashenka, që sillej shumë çuditshëm, e puthte nëna ime, kurse ajo gjithë turinj, sikur kishte pështirë. Në darka hante shumë pak e më kërkonte të dilnim më shumë jashtë. Familjes sime i bënte shumë përshtypje kjo gjë, por mbanin rezerva se mendonin për lumturinë time e nuk më tregonin, për të mos e prishur atë, pasi fejesa ime ishte edhe gëzimi ynë i parë. Erdhi dita e fejesës, vetëm pak ditë pasi kisha ardhur unë. Ishin ftuar të gjithë. E bëmë në shtëpi. Ndërkohë, atë ditë kisha përgatitur edhe disa zarfa të vegjël për t’ua shpërndarë disa të afërmve. Meqë kisha ndenjur për një kohë të gjatë në emigracion, u kisha futur diçka të vogël brenda.
Rreth një orë pasi kisha përgatitur të gjithë zarfat, e gjeta Sashenkën duke qarë. E pyeta se çfarë kishte dhe ajo më tha se i kishin humbur lekët në një nga ditët kur kishim dalë. “Mos u mërzit o shpirt, i thashë. Nuk ka problem”. Kisha bërë shumë shpenzime me rrugën, disa rregullime të shtëpisë, operacion të vëllait të vogël që ishte sëmurë. U mërzita, por edhe isha pa zgjidhje, kështu që vendosa të mos ia shpërndaja lekët fisit, por t’i përdorja për ditën e fejesës. Fejesa u bë me sukses, derisa pas saj, plasi sherri. Dy nga kunatat e fisit i kapa mat duke debatuar me nënën time e duke i thënë: “Ne të kemi ndjekur në çdo sebep dhe djali yt kaq vite në Angli e nuk u dha diçka të vogël fëmijëve tanë. Si nuk ka menduar për ne që ne e përcollëm kur iku e ju kemi ndihmuar?”. Më erdhi shumë inat, por nga ana tjetër edhe i kuptova se “nuk kanë punë”, mendova. Në atë moment, e pashë të arsyeshme të ndërhyja e u thashë që ata nuk e dinin si i kisha punët.
– Çfarë pune? Me makina, e shtëpi të rregulluar e të gjitha i ke!
– Po mirë, – ua ktheu mamaja ime, – me djersën e vet i ka.
Është e çuditshme se si një zënkë kaq e vogël degradoi saqë erdhën xhaxhallarët, u përfshi dhe babi dhe në fund mbaroi me një: “Këtu nuk është për të shkelur”.
Do të ktheheshim në Angli e nëna tha: “Ik bëj jetën tënde e martohu andej. S’ke më punë këtej”. Por edhe në Angli, ra bomba tjetër. Pas 2-3 ditëve të para, Sashenka më kërcënoi me ndarje e më ndaloi të dërgoja lekë te familja. Më kontrollonte e më tha që të ardhurat tona kishin rënë pasi kishte harxhuar shumë në Shqipëri. E telefonova nënën dhe i thashë që nuk u dërgoja dot lekë derisa të stabilizohej situata se isha në konflikt me të fejuarën. “Të jeni ju mirë, tha ajo, se ne do bëjmë si do bëjmë”, ndërsa babi më qortoi dhe e mbylli telefonin duke më thënë: “Nuk ke më punë me ne. Erdhe këtej e më fute në sherr me vëllezërit”. Aty, edhe unë ia ktheva ashpër.
Sa u ktheva në shtëpi, pashë se Sashenka më kishte lënë një letër ku më thoshte lamtumirë e se nuk kishte nevojë për mua e familjen time të mjerë, se ata duhet të punonin vetë për të nxjerrë lekët e tyre si familja e saj e se më kishte gënjyer kur më kishte thënë se i kishin humbur lekët, pasi e kishte bërë që të mos bëja më tepër shpenzime në Shqipëri. U ndjeva sikur m’u përmbys e gjithë bota. Sa rregullova diçka, m’u prish një tjetër e i humba të dyja, por nga ana tjetër e falënderova Zotin sepse nuk doja ta kaloja jetën me dikë që nuk dinte se çfarë ishte sakrifica. Ishte mësuar me punë zyre e nuk e konceptonte dot të ndihmonte familjen.
Ja, se çfarë janë gratë e botës! M’u duk vetja idiot, aq sa edhe i shfrytëzuar, sikur isha aventuara e moldaves që më mbante për seks e pa pikën e turpit më hodhi në rrugë, “por nuk i bën përshtypje, thashë, e huaj, ashtu është mësuar!”. Në këto momente, jam shumë i stresuar. Nuk di si të kthehem të familja, nuk di si t’i rregulloj gjërat. Aman me siguri di një gjë: Edhe prift do bëhem e nusen do ta marr shqiptare! Nuk ka si gjaku yt e gjuha jote. Të rrahin e të bashkojnë hallet. Këtë hall po ma qanin edhe ca shokët e mi këtej, që ishin martuar e ishin bërë të dobët, kockë e lëkurë. Vjen burri i lodhur nga puna, ha veç gjëra të thata. Të mos dijë gruaja të bëjë një punë shtëpie e një gjellë?! Fatin tim zhgënjyes nuk ia uroj askujt. Për momentin, po mendoj vetëm si do të zgjidhen gjërat, aq më shumë që ia theva zemrën e babait që e kam konservator e më doli nami se kam qenë një herë i fejuar…

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
View Comments (2) View Comments (2)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Post

Si të kujdesem për një bimë bonsai?

Next Post

Me çfarë ta mjekoj shenjën në buzë?

Advertisement