– Përshëndetje psikolog Jashari. Kam një pyetje. Si mendoni ju, shtimi i numrit të divorceve në shoqërinë shqiptare është shenjë e emancipimit të femrës shqiptare, që nuk pranon me determinimin mbi bazën e gjinisë apo një defekt social me pasoja të rënda financiare sidomos për femrën që përballet me vështirësi të mëdha pas divorcit? Fatjoni.
Dr. Jashar Demiri, psikolog klinicist: – I nderuar Fatjon, divorcet nuk do të pakësohen, madje ato mund të shtohen, përderisa mjaft njerëz vendosin për martesën me nxitim ose si pa mend. Këtë e them sepse vërej ende fenomene të çuditshme si martesa me shkuesi, martesa me llogari, pra, përgjithësisht pa dashuri e pa një njohje të thellë ku martesa të vijë pasi të jenë dhënë jo pak “prova”. Edhe numri i fejesave, si një periudhë që duhet të tregojë nëse dy veta duhet të shkojnë në martesë ose jo, është pakësuar shumë. Po shfaqen edhe fenomene të çuditshme si ato të bashkëjetesës, të cilat më parë ishin të pakëta. Vërtet divorcet kanë lidhje edhe me të drejtat dhe liritë e njeriut, ama, në jo pak raste, shkaku i tyre duhet kërkuar te martesat e pastudiuara mirë. Fatkeqësisht, njeriut i bie të vendosë për këtë çështje aq shumë të rëndësishme nga e cila varet 90 % e lumturisë, në një moshë ende të papjekur e pa përvojën jetësore, pra, duke qenë gati “adoleshent”. Më duket se edhe vonesat e martesava duke menduar se “ka kohë” ose “le të shijoj edhe ca kohë beqarinë”, të kujtojnë ata të cilët nuk zënë vend me kohë në “autobusin e martesës”, por nxitojnë që ta kapin atë e pastaj pranojnë që të rrinë edhe në këmbë. Anglezët kanë një shprehje të bukur: “Mos u marto me atë i cili nuk qesh, kur ti mendon se duhet të qeshë”, por edhe më të bukur i kemi ne shqiptarët kur themi se “diten e martesës ose të mbyllet, ose të çilet dera”. Ndaj, nëse do një martesë të suksesshme, martohu me një mikun/miken tënde. Por ka edhe të tjera të çmuara si për shembull në Dibër thonë: “copës shihni anën e cucës shihi nanën”, etj. Kurbeti ka rolin e vet të keq pasi vajzat thonë “ikën pëllumbat e mbetën shkrumbet”, pra, nuk ke me kë të martohesh. Edhe fenomene të tjera si alkooli, bixhozi e droga janë “sulmuese” të martesave. Lidhjet jashtëmartesore janë përhapur shumë edhe për shkaqe të urisë seksuale, pasi numri i meshkujve është më i pakët se ai i femrave, për ca arsye që dihen. Dhuna në familje dhe keqtrajtimet janë një problem tjetër. Kam shpjeguar te një libër i imi një fenemomen që quhet pigmalionizëm (nga lashtësia: Pigmalioni i “dashuruar” me statujat “perfekte” nuk gjente në realitet të tillë femër dhe mbeti i padashuruar). Sot po dëmton shumë edhe interneti. Diku lexova se si të rinjtë japoezë, për shkak të zhvillimit të teknologjisë kanë filluar të bëjnë gjithnjë e më pak seks, sepse atë po e bëjnë në mënyra virtuale nëpërmjet internetit. Fjala tradhti bashkëshortore tingëllon si e rëndë, por megjithatë një ndër shkaqet e divorceve janë edhe tradhtitë bashkëshortore. Këto ndodhin për arsye të shumta jo vetëm nga burrat, por edhe nga gratë. Sido që gratë janë më besnike e më të interesuara për ta ruajtur familjen e martesën, përsëri veprojnë edhe tek ato jo vetëm nevoja për ngrohtësi e vlerësim, por ndonjëherë edhe një si dëshirë instinktive për të “provuar” veten sesa “çmohet” e si një lloj kureshtjeje për të bërë për “vete” një njeri të dëgjuar biznesmen, artist, shkrimtar etj. Jeta seksuale jo normale në martesë ose mania për të provuar gjendje të reja emocionale; mërzia, trishtimi, zhgënjimi, në disa raste inati ose dëshira për t’u hakmarrë ndaj parnterit si “shpërblim” për zhgënjimin ose sjelljen jomorale; keqtrajtimi i njërit bashkëshort nga tjetri etj. Këto janë edhe shkaqet më të shpesha të tradhtive pasi gratë shohin te burri i aftë, një si “mbrojtës” të tyre.
“Unë i ndiej shumë prishjet e ekuilibrit familjar, shprehet një e anketuar. I dua aq shumë burrin dhe fëmijët sa jam gati të vetëmohohem për ta në mënyrën më sipërore. Që të dashurosh duhet të japësh diçka të madhe nga vetja. Dashuria e vërtetë nuk njeh as moshë, por kjo ndodh vetëm atëherë kur ti nuk je në gjendje të dallosh kë do më shumë: veten apo tjetrin…”. Kësaj gruaje fisnike e të kulturuar i kam bërë një pyetje jo të zakonshme e cila në fillim sikur e befasoi atë. Pasi i tregova dy degë gati të shqyera, por më pas të afruara e si të “salduara” te plaga, i thashë: “Megjithatë, supozoni për një moment sikur bashkëshorti juaj ka shpërdoruar besimin e dashurinë tuaj dhe është lidhur me një tjetër, domethënë, ju ka braktisur, ndonëse mund të bashkëjetojë me ju. A do ta falnit? A mund të ndodhë si te këto dy degët të cilat pasi janë afruar e ringjitur, nuk i pret as sopata këtu?”. “Falja në këtë rast nuk është e lehtë, megjithatë duhet”, tha ajo. Më kujtohet se para disa vitesh rastësisht kam parë një tablo shumë të bukur të një piktori të huaj, me diçitureën “U kthye”. Babai, pasi ka braktisur gruan e fëmijët për shkak të një dashurie të “re” e ndoshta të njëanshme, më në fund kthehet. Sigurisht, i zhgënjyer, siç ngjet zakonisht në këto raste. Kthehet, por i ndrojtur, i trupëruar dhe me një frikë në zemër. Duket shumë i penduar. Në duar mban ca dhurata për gruan e fëmijët. Fytyra e tij ka marrë një pamje të trishtuar dhe duket sikur pyet: “A do të më falni?… Nuk desha, po… se si ngjau… Nuk do t’ju braktis kurrë më!”. Por piktori ka vendosur ta dënojë rëndë atë. Gruaja dhe fëmijët i kanë kthyer shpinën të irrituar. Në mur paraqiten kornizat me fotografitë e çiftit dalë pas martesës, por portreti i “burrit” dhe bashkëshortja është grisur… Jo kaq rëndë!
Pavarësisht nga flirtet, dashuria shpesh ruhet dhe familja e bën më të fortë martesën, këtë gjë e kam “vërtetuar” vetë nga psikoterapitë e shumta me çiftet. Edhe me fe thuhet: “Është shumë herë më i mirë ai që ka gabuar dhe është penduar sesa ai që s’ka gabuar kurrë”. Bashkëshortët që e duan dhe e respektojnë njëri-tjetrin, që përpiqen ta bëjnë jetën bashkëshortore interesante, të larmishme e plot surpriza të këndshme dhe bashkëshortët e kulturuar duhet të dinë ta ruajnë bashkëshortësinë. Njohja dhe shmangia e faktorëve që dëmtojnë jetën bashkëshortore ka gjithashtu rëndësi profilaktike për të ruajtur bashkëshortësinë dhe familjen. Prandaj është me rëndësi për edukatën seksuale futja e partnerëve në martesë me bindje dhe vendosmëri për të ruajtur besnikërinë bashkëshortore, gjë që përbën edhe idealin e martesës. Madje edhe në rast se bashkëshorti i pafajshëm sëmuret, bashkëshorti tjetër duhet të vlerësojë drejt situatën pa harruar se ka detyrime njerëzore, morale e qytetare dhe keqtrajtimi apo braktisja bashkëshortore janë të pajustifikuara. Ngritja e vazhduar e kulturës së jetës seksuale dhe e marrëdhënieve bashkëshortore bën të mundur uljen e divorceve e në mënyrë të ndjeshme, të rasteve të lidhjeve seksuale jashtë martese. Prandaj problemet e jetës së rregullt familjare ndërmjet bashkëshortëve duhet të tërheqin më tepër vëmendjen e specialistëve pedagogë, mjekë, sociologë etj. me qëllim që të përpunohen forma të reja më progresive të jetës së përbashkët të partnerëve të bashkëmartuar. Në rast se gjatë lidhjeve seksuale jashtë martese lindin ndjenja të forta dashurie, atëherë ato bëhen kërcënuese për martesën, ndaj duhet vrapuar për te psikologu. Shumë autorë janë të mendimit se bashkëshortët duhet t’i njohin shkaqet dhe rrethanat që çojnë në lidhje seksuale jashtë martese, me qëllim që t’i shmangen këtij fenomeni. Sipas disa psikologëve e seksologëve, mund të përmenden si të tilla: joshja nga një seks më i bukur (sidomos kur bashkëshortët nuk e mbajnë veten); qëllimet sociale, domethënë lidhjet seksuale për nevoja ekonomike, pune ose karriere të cilat quhen edhe kontakte socio-seksuale; mania e disa femrave për të pasur “famë” qoftë edhe me lakuriqësinë e tyre, siç ndodh edhe me artistët e Hollivudit. Një postulat që thotë se “ai që nuk kënaqet me atë që ka, nuk do të kënaqet as me atë që do të donte të kishte”, gjen vend edhe këtu. Martesa do krijuar me mençuri, po edhe do ruajtur e shëruar, që të ketë jetëgjatësi.
Advertisement