Fushë e gjelbër
– Përshëndetje! Kam parë në ëndërr sikur isha në një fushë të gjelbër të rrethuar me male të larta e të gjelbra rreth e përqark. Unë isha në qendër e sikur aty pranë ishte edhe mami im dhe një nxënës i cili ecte pak përpara meje duke folur me të, ndërsa mua s’më fliste. Në krah të djathtë, pashë një shpellë. Çfarë kuptimi ka, ju lutem? Faleminderit.
– Fusha e gjelbër është një shenjë shumë e mirë për të ardhmen tuaj. Do të thotë që ju keni shpresa për gjithçka në jetë dhe në fakt, e ardhmja duket shumë e qetë dhe e mirë për ju. Mamaja paraqet një këshillë për ju, që të jeni më e komunikueshme me personat që keni përreth, qofshin këta edhe më të vegjël se ju.
Borxh një femre
– Kam parë në ëndërr sikur burri im i kishte borxh një shumë të madhe parash një femre dhe po ia jepte. Çfarë kuptimi ka, ju lutem?
– Një ëndërr e tillë ka lidhje me disa dyshimet tuaja rreth bashkëshortit. Mund të kenë lidhje me punë ose ndonjë femër, por ngelen thjesht dyshime, asgjë konkrete, që të themi me plot gojën se keni të drejtë që dyshoni. Nëse keni ndonjë gjë brenda vetes ndaj bashkëshortit, është momenti t’ia shprehni. Këtë mesazh ju përcjell ëndrra.
Preva flokët
– Kam parë në ëndërr sikur preva flokët shumë shkurt, por edhe pse i kam shumë të gjatë nuk më erdhi keq që i preva, por më pëlqenin.
– Prerja e flokëve tregon heqje sikleti dhe duke qenë se nuk ju ka ardhur aspak keq, nuk do të ndiheni aspak keq edhe kur ta kaloni këtë siklet. Përkundrazi, do të ndiheni e çliruar.