– Doktoreshë Mira, më kanë dalë disa puçrra që më shqetësojnë shumë. Kam shkuar te dermatologu dhe ai më tha të pyesja alergologun sepse nuk ishte problem lëkure. Mos vallë jam alergjik? Çfarë duhet të bëj?
Dr. Mira Xhixha, alergologe: – Megjithëse nuk shkruani me detaje, mendoj që shqetësimet që ju paraqisni i përkasin alergjisë. Për këtë arsye, ju duhet të bëni patjetër një vizitë te mjeku alergolog, pasi është e domosdoshme kryerja e një sërë ekzaminimesh. Shkaqet mund të jenë të ndryshme, nga ushqimi, nga puna, nga faktorë të jashtëm, prandaj është e rëndësishme bërja e disa analizave për të përcaktuar diagnozën e saktë, në mënyrë që të merrni mjekimin e duhur. Nëse ju i zbatoni këto që ju thashë, problemi që ju shqetëson do të zgjidhet shumë shpejt. Unë nuk mund t’ju jap asnjë lloj ilaçi pa u vizituar nga afër dhe pa bërë analizat përkatëse.