Këto ditë, Alida ka qenë në Tiranë dhe arsyeja kryesore ishte realizimi i klipit e saj më të fundit në bashkëpunim me finlandezen Tarja Malmstrom. Këtë herë Alida vjen gjithashtu edhe me një luk krejtësisht të ndryshuar. E ndërsa kurioziteti për të mësuar sa më shumë rreth këtij bashkëpunimi është i madh, nëpërmjet përgjigjeve të saj mjaft të sinqerta, Alida na rrëfen se nuk mbyllen me kaq sukseset për këngëtaren sepse projekte të reja janë në realizimin e sipër. Pjesë e këtyre të fundit është edhe hiti veror që do ta sjellë shumë shpejt…
Mia.B: – Alida, këtë verë duket se do kemi një hit shqiptaro-finlandez. Për pjesën tjetër, po të lë të flasësh ti…
Alida: – (Buzëqesh) Bashkëpunimi që do të sjell këtë herë është një baladë së bashku me pianisten finlandeze, Tarja Malmstrom. Ajo ndodhet këto ditë këtu bashkë me grupin e saj. Por jo vetëm kaq… (Buzëqesh) Do të sjell edhe hitin veror, që sigurisht nuk kishte si të mungonte këtë vit.
– Çfarë rrjedhe merr dita jote kur je në Tiranë?
– Kur vij në Tiranë dua t’i mbaroj të gjitha punët menjëherë dhe më bëhen aq shumë saqë ka pasur shumë raste që kam gdhirë me net të tëra dhe shkoja direkt për aeroport.
– Çfarë u ke shijuar më së shumti këtyre ditëve në Tiranë?
– Këto ditë jam kënaqur jashtëzakonisht sepse kam takuar pas 23 vjetësh shoqen time më të mirë të tetëvjeçares dhe jam ndjerë shumë e lumtur. Gjithashtu, pata më shumë kohë sesa herët e tjera për të dalë.
– Në këtë klip vjen mjaft ndryshe edhe në luk. E bëre posaçërisht për klipin apo ishte ai momenti kur femra e ndjen të nevojshme ta ndryshojë pamjen e saj?
– Ndryshimi ndodhi sepse kishte ardhur momenti për këtë ndryshim.
– Sa e orientuar je në “kaosin” e tregut tonë muzikor?
– Nuk më çorienton aspak kaosi që po ndodh në treg sepse unë qëndroj akoma dhe gjithmonë ashtu do jetë, në atë rrymë me të cilën i jam prezantuar që në fillim publikut.
– Gjestet që shoqërojnë zgjimin në mëngjes?
– Zilja e mëngjesit ose mesazhi i parë që më vjen në VVhatsApp. (Buzëqesh)
– Ke dikë, të cilin u bënë kohë pa u takuar dhe do të doje ta kishe pranë për të bërë një bisedë me të?
– Gjithmonë ëshë dikush të cilin ke dëshirë ta kesh pranë për të bërë një bisedë, ndoshta edhe e ngelur me pikëpyetje, por unë nuk mendoj më për ç’ka ikur ose ka kaluar, është humbje kohe për mua. Pikësynimi im është të shoh përpara dhe të kujdesem për atë që kam dhe jo atë që s’e kam.
– Një vend, ku gjen gjithmonë prehje e qetësi në çaste nevoje për mendim, reflektim…
– Te prindërit.
– I kërkon mamit të të përkëdhelë si atëherë kur ishe e vogël?
– (Buzëqesh) Përkëdheljet janë tashmë të tepruara, por di të them që në çastet më të vështira të jetës ka qenë mami ajo që më ka bërë të marr vendimin, ndoshta të hidhur për momentin, por që sot e ndjej se ka qenë vendimi më i saktë se kurrë.
– Jeta jote, nuk ka qenë si në përralla?
– Aspak. Jeta si në përralla mund të jetë ndoshta në ëndërr sepse jeta reale është jeta me vështirësi dhe pengesa nga më të ndryshmet.
– E mban mend përrallën me të cilën je rritur?
– Jo, nuk e mbaj mend më.
– Në ç’masë dominon te ti siguria në vetvete?
– Jam 100 për qind e sigurtë në çdo vendim që marr.
– Po të pasigurt, çfarë të bën?
– Mund të ndodhë shumë rrallë kjo gjë…
– Je natyrë që kërkon perfeksion?
– Gjithmonë. Jam shumë strikte.
– Cili është vesi më i keq që të ka mbërthyer kohët e fundit?
– Kërkoj shumë nga dita. Do të doja më së miri që dita të kishte 36 orë.
– Për çfarë do të doje t’i jepje kohë vetes?
– Për pak më shumë kohë për veten. Do kisha dëshirë shumë të kisha kohë për not e sport sepse më mungojnë pak kohët e fundit.
– Po situata që do të të acaronte më tepër?
– Moskorrektësia.
– Je gjendur ndonjëherë në ndonjë situatë të sikletshme?
– Ndodh shpeshherë në jetë të kesh raste të tilla, por edhe asaj ia kam gjetur ilaçin.
– Midis mundësive të ndryshme, zgjedh më të realizueshmen, më të rrezikshmen, më pak impenjativen, apo më stimuluesen?
– Më të rrezikshmen. No Risk, No Fun (Pa rrezik, nuk ka argëtim). (Buzëqesh)
– Të bësh muzikë është gjëja që di të bësh më mirë?
– Jo aspak. Jam një amvisë shumë e mirë, një mami shumë e mirë, di të gatuaj shumë shumë mirë dhe jam një strikte dhe stresuesse shumë e mirë. (Qesh)
– E ke vënë re pranë cilit person qesh më shumë?
– Kur më shohin njerëzit me Nestin, më shohin vetëm duke qeshur. (Qesh) Është i vetmi person që m’i di telat.
– Sa rëndësi ka për ty përshtypja e parë? Zakonisht mbetet ajo e para apo ndryshon gjatë rrugës?
– Është shumë e rëndësishme për mua! Normalisht, përshtypja e parë, gjatë njohjes me tjetrin ndryshon, por ajo të ngelet gjithmonë në mendje.
– Jam kurioze të di si do të ishte Alida në versionin mashkull?
– (Qesh) O Zot, më mirë jo!
– Receta për një dashuri që zgjat?
– Nga njëra anë të lëshosh, nga ana tjetër të shtrëngosh.
– Fal lehtë?
– Jo kollaj.
– Do të konkurroje me një femër tjetër për dashurinë e një mashkulli?
– Jo, aspak.
– Cila është e vërteta rreth dashurisë?
– Të duash dhe të të dojë dikush, është gjëja më e bukur në jetë.
– Ia vlen të presësh në jetë? Për çfarë?
– Natyrisht, nëse është diçka shumë e vlefshme, natyrisht që do të prisja…