Blerina Çizmja: – Tea, ti qëndrove brenda në shtëpi plot tre muaj. E pate të vështirë të mësoheshe me jetën jashtë, këto ditë?
Tea Zhuli: – Avash-avash po mësohem… Jam vetëm në Tiranë dhe më pëlqen ky fakt, sepse më pëlqen t’ua dal mbanë gjërave vetë, të mësoj rrugët, vendet, të filloj të kërkoj edhe një punë, të interesohem për shkollën…
– Çfarë kishe më të vështirë, në përballjen me jetën jashtë shtëpisë?
– Akoma nuk kam patur ndonjë gjë të vështirë. Jam ambientuar mirë.
– Po brenda në shtëpi, çfarë pate më të vështirë?
– Faktin që jo të gjithë janë si unë! Unë shpresoj që edhe të tjerët të kenë mirësinë time, të mos bëhen gjithnjë të këqinj dhe në këtë pikë e kam parë që kanë qenë ndryshe, por prapë nuk e kam lënë veten time të ndryshoja. Gjithmonë kam qenë vetvetja. Jam futur atje brenda dhe kam thënë: “Në qoftë se do të arrij në finale, do të arrij me atë që jam, nuk ndryshoj!”.
– Të erdhi keq që nuk shkove deri në finale? E prisje të shkoje?
– Tani, normale që më erdhi keq, ngaqë të gjithë ne kemi vajtur atje për një çmim dhe kishim nevojë të gjithë, por ja që nuk vajta dhe e pranova këtë fakt. Ishte normale ndoshta që një njeri si unë nuk do të arrinte deri në finale sepse me aq sa kuptova, që të shkosh në finale, duhet të shkelësh mbi kokën e të tjerëve. Unë këtë gjë nuk doja që ta bëja dhe dola!
– Dhe, ata që kanë shkuar në finale janë njerëz që shkelin mbi të tjerët?
– Shumica po. Fatjoni është ai që shkel mbi të gjithë. Edhe Noa, kur ishte e nevojshme, ka shkelur mbi të tjerët, Alba po, Xhesi nuk e di… ajo ka qenë gjithmonë njësoj. Fabiani është ai që bën dy batuta dhe pastaj fle gjumë, kurse Veseli është një njeri shumë i mirë dhe e respektoj shumë. Shpresoj që të fitojë më i miri dhe të japë një mesazh pozitiv edhe për të gjithë ne që jemi jashtë. Nuk është gjë e mirë të fitojë një njeri që ka shkelur mbi të gjithë dhe nuk ka dhënë një mesazh pozitiv.
– Nga ata që janë aty brenda, kush e ka dhënë mesazhin pozitiv, sipas teje?
– Veseli… Ai ka ditur të mbajë provokimet e Fatjonit dhe për çdo gjë që ka bërë ka patur një arsye të tijën, gjithmonë ka shkuar në atë drejtim që ai e ka menduar dhe nuk është manipuluar nga të tjerët.
– A mendon se Veseli është munduar të të përdorë?
– Jo. Me atë që kam kuptuar unë, Veseli sa herë që unë kam patur nevojë, sa herë që të tjerët më hidheshin përsipër, gjithmonë më ka thënë “rri e qetë”, nuk më ka bërë asnjëherë ndonjë gjë të keqe, ndonjë gjest, nuk më ka thënë fjalë që të them: “O bobo!”. Jo me mua, por me të gjithë, edhe me Fatjonin, që i ka vajtur kundër gjithmonë, ka ruajtur qetësinë e tij, nervat dhe durimin, që është shumë e vështirë ta bësh atje brenda dhe, me një njeri si Fatjoni.
– Meqenëse jemi te përdorimi… Tani që dole dhe ke parë gjithë çfarë ka ndodhur në atë shtëpi, je dakord me atë që të tha mami për Nikun?
– Unë nuk e quaj përdorim, sepse për mua përdorimi është një gjë tjetër. Kam rënë dakord me atë që ai ka përfituar nga unë, nga miqësia jonë, nga e mira që i kam dhënë dhe nga vlerësimi që i kam bërë unë si njeri. Gjithnjë kam folur për Nikun, gjithmonë e kam vlerësuar si njeri dhe nga ana ime ka qenë një miqësi, por nuk më ka pëlqyer aspak kur kam parë ato videot, ku ka thënë: “Tea nuk i thotë me fjalë, por i thotë me sy”… Unë nuk e di se çfarë ka parë Niku në sytë e mi, ato që ka dashur ai apo ato që kam treguar unë.
– Do të thuash që ti nuk ke patur ndjenja për Nikun?
– Jo, nuk kam patur.
– E ke takuar tani që ke dalë jashtë?
– Jo, nuk e kam takuar fare dhe nuk kam folur fare me të.
– Pse?
– Tani për tani, nuk dua… nuk e ndjej të nevojshme ta bëj. E di që ai e ka të nevojshme të m’i sqarojë disa gjëra, por unë për momentin nuk e kam të nevojshme.
– Çfarë të ka prekur më shumë nga sjellja e Nikut?
– Që ka përfituar nga miqësia që unë i kam dhënë. Unë gjithmonë i kam treguar atij miqësinë time, që do jemi edhe jashtë siç jemi këtu, i kam thënë “ti je njeri shumë i mirë, të kam si shok”. Është e vështirë të kesh shokë atje brenda. Kjo ishte ajo që unë e gjeta te Niku dhe i thosha “sa mirë që gjeta një njeri si ti këtu brenda”. Ai e dinte shumë mirë këtë gjë dhe përfitoi. Dhe, ndodhi ajo gjëja që ndodhi pastaj…
– Të erdhi keq që u vure në mes të një trekëndëshi?
– Po, më erdhi keq.
– Pse ndodhi kjo?
– Nuk është se desha unë që të ndodhte, por atje u fokusuan më shumë në mënyrën se si rrinte Veseli me mua. Unë u kam thënë të gjithëve: “Tea, kur të futet këtu brenda, do jetë vetëm dhe do të dalë vetëm”. Nuk është se e kisha të vështirë apo se më pengonin telekamerat a ndonjë gjë tjetër që të krijoja një lidhje aty brenda. Kam dashur unë, që të eci vetëm.
– Edhe po të kishe ndjenja shumë të forta për një person aty brenda, kështu do të veproje?
– Dëgjo, unë i vlerësoj aq shumë ndjenjat sa besoj se në një lojë si ajo, fokusohesh vetëm në lojë dhe nuk ke kohë për ndjenjat.
– Nesër, kur Veseli të dalë, çfarë marrëdhënieje mund të krijohet mes ju të dyve?
– Nuk e di çfarë marrëdhënieje mund të krijohet mes meje dhe Veselit, sepse unë atje brenda nuk e njoha Veselin. Ne flisnim vetëm për gjëra që ndodhnin të shtunave dhe, vetëm dy javët e fundit filluam të flisnim më shumë. Kur të dalë, nuk e di se çfarë do ndodhë. Normale që do të flas si me të gjithë banorët, por nuk është se kam caktuar ndonjë gjë se ç’do të bëj unë me të…
– Por një rrugë e hapur është për t’u njohur, apo jo…
– Rruga e hapur është për të gjithë banorët, nuk ka për të ndodhur vetëm për Veselin.
– Pse qave atë natë kur Fisniku doli nga shtëpia?
– Më erdhi keq nëse e kishte penalizuar fakti i krijimit të atij trekëndëshit.
– Tani që ke dalë, ç’të ka thënë mami ndonjë gjë më shumë sesa të tha atë natë që të takoi brenda në shtëpi?
– Asgjë, më ka thënë “rri e qetë”, “bëj atë që ndjen”, por është fokusuar gjithmonë në raportin mes meje dhe asaj, nuk ka ndërhyrë asnjë nga raportet e tjera, as ai me Nikun, as me Veselin… Është thjesht kurioze të dijë si jam, si nënat…
– A ka ndonjë person që ti mendon se duhet të kishte ndenjur më gjatë në shtëpi?
– Kristi! Ne kishim marrëdhënie të mirë bashkë ngaqë ishim nga i njëjti qytet dhe humorin që neve na mungonte e solli ai. Kristi na bënte për të qeshur dhe i kalonte me humor edhe debatet. Kishim nevojë për humorin e Kristit. Pastaj ndodhi ajo situata ku ai i vajti mbrapa Fatjonit dhe u penalizua vetë. Nëse nuk do ta kishte bërë atë gjë, mendoj se e meritonte finalen.
– Në total, ç’mund të më thuash për eksperiencën tënde Big?
– Ishte një eksperiencë shumë e bukur, që duhet ta provojnë të gjithë. Të ndihmon të njohësh gjëra te vetja që nuk i njihje dhe të bën më të fortë. Është një rrugë që hapet, nëse di ta shfrytëzosh mirë. Është një gjë që ndodh vetëm një herë, kështu që unë ndjehem me fat që e kam provuar.
– Ti, si mendon ta shfrytëzosh?
– Në maksimum, duke filluar nga shkolla. Pastaj, do të pres të shikojmë se çfarë gjërash do të më dalin.
– Mes këtyre gjërave që pret, ka vend ëndrra për në televizion?
– Pse jo? Ama, gjithmonë duke filluar me shkollën, se atë e kam objektivin e parë.
– Po tani, jashtë shtëpisë, si shkon marrëdhënia juaj?
– Kemi folur dhe kemi një marrëdhënie të mirë me të, si shokë. Më ka ndihmuar shumë për Tiranën, se unë nuk di nga të vërtitem. Kështu, marr Kristin në telefon dhe i them: “O Kristi, duhet të vete këtu e aty…”. Ai më thotë: “Mos ki merak se vij të marr unë tani e të shpie”. (Qesh) Më ka ndihmuar shumë.
– Ka ndonjë gjë që s’ta pyeta dhe që do të ma thuash?
– Po, dua të falënderoj të gjithë ata njerëz të cilët që në momentin që kam dalë nga shtëpia, më takojnë në rrugë apo më shkruajnë mesazhe shumë pozitive. Më ndihmojnë shumë… Çdo gjë që kanë shkruar më ka ndihmuar shumë. I falënderoj shumë të gjithë ata që më kanë mbështetur…