Unë që po ju shkruaj jam një grua që para disa kohësh kishte problemin më të madh, mbipeshën. Edhe pse jam në një moshë relativisht të re, isha shumë e shëndoshë, gati po kapja 100 kilogramëshin. Gjithçka që vishja më dukej keq dhe nuk e dija se si të veproja që të dobësohesha. Kisha provuar dieta të ndryshme, por asnjë rezultat.
Nga anët e tjera, gjithçka shkonte mirë. Kisha një biznes privat dhe me të kishim siguruar një jetesë të mirë. Zoti më dha një fëmijë dhe nuk bëra më, sepse merresha vetë me furnizimet e nuk mund t’i përballoja të gjitha. Shkoja në Turqi e merrja mall për të shitur vetë dhe për t’ua dhënë të tjerëve me shumicë. Këto gjëra më kishin penguar të bëja të tjerë fëmijë. Burri ishte një burrë i urtë dhe që nuk më pengonte për të bërë punën time. Mundohej të më ndihmonte duke shitur a gjëra të tjera, por shumicën e punëve e bëja unë. Megjithatë, edhe ndihma e tij kishte sjellë rezultatet që kishim arritur.
Pra, siç ju thashë më lart, problem i vetëm ishte mbipesha. Në fakt, në Turqi kur shkoja takoja shumë gra të shëndosha të cilat nuk e kishin problem këtë gjë. Gjithmonë më thoshin: “Përderisa nuk të shkakton probleme, s’ke pse shqetësohesh”. Nga këto fjalë sikur më largohej pak ajo ndjenjë që kisha për shëndoshjen.
Mirëpo meqenëse jam një grua e fortë dhe e shkathët, e gjeta se si do të stabilizoja këtë problemin tim. Shkova në një klinikë në Turqi edhe pse ishte shumë e shtrenjtë dhe iu nënshtrova kurave për t’u dobësuar. Po e përsëris prapë se më kushtoi shumë kjo terapi, por më në fund unë kisha trupin që dëshiroja. Mirëpo të mbaja trupin në fomë tashmë duhej edhe vetë të merresha me palestër ose me aktivitet fizik, sigurisht, edhe të haja ushqime të shëndetshme. Kur shihja trupin tim kaq të bukur dhe kaq ndryshe nga sa e kisha, do të bëja çdo gjë që të mos bëhesha më ashtu siç qeshë. Meqenëse nuk kisha dhe shumë kohë për palestër, ku duhet të respektosh oraret e gjëra të tjera, fillova vrapin. E kisha filluar vrapin edhe kur isha e shëndoshë, por djersitesha shpejt e nuk arrija të vrapoja shumë.
Kisha një vit me pamjen time të re. Tani rrobat që vishja më tregonin aq bukur sa kur isha para pasqyrës fërkoja sytë në isha unë apo një tjetër. Pra, gjithçka ishte e shkuar. Vajza kur më shihte krenohej me mua dhe më thoshte se më adhuronte për vullnetin që kisha. Edhe burrit i vinte mirë sigurisht që kisha ndryshuar për mirë. Pra, me vullnet arrihet gjithçka.
Mirëpo një natë kur po vrapoja (vrapoja natën se ditën kisha qenë e zënë me punë e nuk më kishte dalë mundësia të vrapoja në mëngjes), më dha një therje në fund të barkut dhe këmba e majtë nuk e mbajti peshën e trupit, andaj u rrëzova. Mendova se e kisha nga lodhja. U ktheva në shtëpi dhe nuk i tregova askujt. Për fat, kisha rënë në krah dhe nuk më ishin grisur tutat, kështu që bëra një dush dhe vazhdova rregullisht ritualin e darkës. Natën më zgjoi nga gjumi një tjetër dhimbje barku. Edhe ajo ishte e fortë si ajo kur po bëja vrap.
U ngrita të shkoja në banjo dhe kur u ktheva në krevat, burri më pyeti:
– Ç’ke zemër?! Nuk je mirë?
– Mirë jam mos u shqetëso! Vetëm se piva pak ujë.
Ai më besoi dhe fjeti përsëri. Mua për pak minuta nuk më mori gjumi, por më pas fjeta shumë qetësisht. Pra, m’u duk si diçka kalimtare.
Të nesërmen nuk pata asnjë shqetësim, madje pata aq shumë punë sa nuk më shkoi mendja tek e rrëzuara dhe ngritja natën e kaluar. Mendova se të gjitha gratë kanë dhimbje barku e puna vazhdoi normalisht. Pas një jave duhej të shkoja për furnizim në Stamboll. Ishte një gjë që kisha kohë që e bëja. Pastaj tani ishte e lehtë se kishim ndryshuar metodat dhe nuk ishte si në fillim të biznesit kur kishim shumë vështirësi.
Gjatë këtyre viteve isha njohur me një familje turke dhe kur shkoja për furnizim, rrija atje. Ishte një grua që jetonte vetëm me vajzën e saj, sepse burri i kishte vdekur nga një sëmundje e rëndë para disa viteve. Kisha mbaruar punë me furnizimin dhe kishim dalë të dyja bashkë për të pirë një çaj (ata e preferojnë shumë çajin, nuk e pinë kafen, sepse mendojnë se të shton stresin). Mua më kapi një dhibje barku ashtu si dy herët e tjera. Shoqja ime më pa dhe më tha:
– Ç’ke?
Unë e dija turqishten shumë mirë dhe ia ktheva: – Kam një dhimbje në bark.
– Të ka ndodhur ndonjëherë tjetër? – më pyeti e tmerruar.
– Po, edhe nja dy herë të tjera, po më kalon shpejt dhe do jem mirë, mos u merakos.
– Eja të shkojmë në spital. – tha menjëherë ajo.
– Në spital për një dhimbje barku? Ç’më bëre të qesh tani. Po të gjitha grave iu ndodh kjo.
Ajo këmbënguli dhe nuk ia prisha. I kishte mbetur merak se burrin e saj nuk e kishte çuar në spital kur kishte dhënë shenjat e para dhe besonte se po ta kishte çuar në spital qëkur kishte ndonjë shenjë të lehtë, tani do të ishte gjallë. Shkuam në spital dhe menjëherë më bënë një eko. Më kujtohet fytyra e mjekut turk kur po më bënte ekon. Ai mori një pamje të dhimbsur kur më pyeti se sa vjeçe isha.
– Ç’është doktor? – e pyeta. Ju thashë dhe më lart se turqishten e dija mirë.
Ai më tha se ekon do ta shihte doktori tjetër që më kishte vizituar në fillim. Aty dyshova se diçka jo e mirë po ndodhte. Nejse, pas shumë analizash dhe ekosh vërtetuan se kisha një masë tumorale në bark. Duhej të operohesha sa më shpejt të ishte e mundur. Ishte një kthesë e papitur në jetën time dhe të familjes sime. Nuk ma merrte mendja se për tre-katër dhimbje do të futesha në operacion. Nuk diskutohet se nuk e vija në dyshim aftësinë e doktorëve turq, por besoja se mund të kishin gabuar. Unë isha në gjendje shëndetësore shumë të mirë, përveç atyre rasteve të dhimbjeve të barkut që nuk kishin zgjatur shumë.
Pas gjithë këtyre mendimeve të mia, operacioni duhej bërë se s’bën. Erdhi burri dhe vajza, për të më qëndruar afër. E çuditshme! Kisha shkuar si zakonisht për furnizim dhe tani isha para operacionit. Kjo sëmundje këtë ka: Rri e fshehtë e të jep përshtypjen se je e fortë e nuk ka asgjë që të mund e ndërkohë punon në heshtjen e saj derisa nxjerr kokën me një dhimbje e ti merr vesh se nga brenda je kalbur.
Pra, nisi për mua një tjetër “luftë”. Tani, jo më kundër shëndetit të tepërt apo për të fituar të ardhura të mira për familjen time, por kundër një sëmundjeje vdekjeprurëse. Vajza ishte shumë e mërzitur. Kur më pa në spital, ia plasi të qarit e me kokën në gjoksin tim më tha:
– Nuk mundem ta besoj mami. Ndoshta gabojnë mjekët. Nuk ka mundësi që të jesh sëmurë. Ti dukesh kaq mirë!
– Mos u mërzit, bija ime. Çdo gjë do të shkojë mirë. Një operacion dhe gjitçka kthehet si më parë.
Në fakt, operacioni doli me sukses. Pas operacionit, kur dola nga spitali, qëndrova për disa kohë te shtëpia e mikes sime dhe ajo më shërbeu aq shumë sa e mora veten shpejt, kështu që u nisa për në Tiranë. Kishte kaluar më shumë se një muaj nga koha kur duhej të kthehesha në dyqanin tim dhe pashë se shumë gjëra nuk ishin ashtu siç duhej. Burri ishte munduar dhe ia kishte arritur në njëfarë mënyre që biznesi të mos falimentonte, por ne punonim gjithmonë bashkë dhe kjo kishte pak ndryshim.
Megjithatë, tani ndjehesha mirë dhe do mundohesha të bëja çdo gjë ashtu siç ishte më parë. Tani më duhej të mos sforcohesha aq shumë sa më parë, por duhej të punoja sepse kisha lënë gjithë djersën time në këtë biznes. Mirëpo tani nuk kisha edhe aq shumë fuqi. Kur punoja gjatë, duhej të ulesha të pushoja se mbulohesha nga djersët. Një ditë burri më tha:
– Duhet të marrim një punëtor që të bëjë pjesën kryesore të punës. Kështu do të sëmuresh përsëri.
– Nuk kam besim tek asnjeri. Jam mësuar të punoj e të mos i përziej njerëz të tjerë në biznes.
– Kam biseduar edhe me vajzën e ajo është dakord të vijë të punojë pasditeve pas mësimit.
– Dhe të lërë mësimet pas dore? Jo, unë këtë gjë nuk e bëj edhe po ta di se vdes këtu në dyqan!
– Mirë, pra do të marrim një punëtor dhe kjo është e vendosur nga unë. Nuk të lë unë ty të sforcohesh, sikur ta di se do falimenojmë e të mbesim pa bukën e gojës!
Këto fjalë të tijat që buronin nga shpirti nuk kisha si t’i kundërshtoja. Ishte e vërtetë. Nuk mund të isha kurrë ajo që kisha qenë më parë. Edhe pse tani kemi marrë punëtorë të tjerë, biznesi ecën mirë, ndërsa unë kujdesem për veten dhe ndjek të gjitha këshillat e mjekëve. Tani për furnizim shkoj bashkë me burrin në Turqi. Sa herë shikoj gratë e shëndosha turke më kujtohen kur më thonin se shëndeti i tepërt nuk është problem. Eh, sikur ta dija këtë më parë, kur isha shëndoshë e mirë e merakoesha për peshën! Dikur shpenzoja para për t’u dobësuar në kilinikat turke, tani i shpenzoj për analiza e ilaçe. Megjithatë, të gjitha analizat më kanë dalë mirë e të paktën 5 vjet jam e sigurt. Nëse nuk përsëritet pas pesë vjetëve, ia hodha…