Më e bukur se Helena!
Paske lindur për të ndezur vena
Dhe me zjarre të djegësh në gjumë
Thonë që je aq e bukur sa Helena
Por unë them që ti je ca më shumë
Bukuroshe shigjetare më godite
Top në vend më palose me shkëndija
Paske lindur me dy sytë si mexhite
Vetullshtizë, mund të quhesh, Dashuria
Thonë që je aq e bukur sa s’ka fjalë
Unë Romeo quhem, por ti jo Zhuljetë
Kur del ti, edhe guri bëhet gjallë
Porsi diell që shpërndan gjithë retë
Ah! Po kush e di se ç’je moj perëndi
Krijesë që toka rrallëherë e mban lart
Ti s’ekziston madje as nëpër fantazi
Je një ndër gjërat që bota quan Art!
Po!
Art ka bërë Zoti, mbi çdo art tjetër
Ashtu shtruar-shtruar me qejf, të krijoi
Nuk je send që skicohesh nëpër letër
Kur të bëri, veç për vete ai mendoi
Ti linde edhe zjarr ndez nëpër vena
Kush të pa, patjetër, s’fjeti gjumë
Eh, çfarë ishte para teje ajo, Helena
Ti moj xhan je patjetër shumë më shumë
Veç një çast të sheh syri dhe gremiset
Edhe zëri ngec dhe kyçet brenda gojës
Gjuha shpon e djeg e gjitha nis mahiset
Shumë më e bukur se Helena e Trojës! Romeo Gegushi
Dashuria ime për ty
Dashuria ime për ty si uji i burimit
Që nëse uji i shteron s’është më burim
Dashuria ime për ty i ngjan agimit
E nëse dielli më s’do lindë, s’quhet agim…
Dashuria ime për ty i ngjan pranverës
E nëse lulet më nuk çelin nuk është pranverë
Dashuria ime për ty ngjason me erën
Që fryn e s’ndalet asnjëherë…
Dashuria imë për ty…, ah për ty dashuria ime
Do të jetë një qiell mbushur “të dua”
Jam i sigurt, këto nuk janë premtime
Dashuria ime për ty, do të vdesë me mua! Bledi Ylli
Mësohem
Në këtë vajtim të pazëshëm të heshtjeve të mia,
gjë që rrallë e bëj, ndonjëherë,
se unë nuk vajtoj, për një arsye të thjeshtë,
nuk dua t’i shtoj trurit vrasje shtesë,
heshtem në heshtjen që ka vlerë.
Vajtimet në heshtje, jo se janë më të mirat,
por të japin mundësinë e paqes me veten.
Aty bën bilance, nxjerr përfundime
dhe mësohem, ngadalë, me të keqen. Ollga Selmani (farmacistja)
Je gjithçka kam dhe dua
– Sytë e tu janë plot dritë e jetë,
si dete pa anë e pa fund,
më përpijnë brenda tyre,
dhe po të dua të dal nuk mund…
– Tëndja buzëqeshje më ngroh shpirtin,
më ushqen e mban gjallë,
është si ëndërr e dëshiruar,
që e kërkoj sa herë ndiej mall…
– Buzët e tua janë të magjishme,
ndezin zjarr në zemrën time,
ndienjë që nuk do të venitet kurrë,
as përtej jetës sime…
– Portreti yt është i imi thesar,
në memorien time fole ka ngritur,
sa herë më mungon e të dua pranë,
është aty duke më pritur…
– Je gjithçka ëndërroj dhe dua,
shumë më shumë se kuptimi i fjalës dashuri,
pasqyra ku dua te shihem çdo ditë,
sinonimi i fjalës LUMTURI… Bujar Salla
Kafenë e pimë bashkë
U bë kohë e gjatë,
që kafenë e pimë bashkë,
si kur jemi pranë,
edhe kur jemi larg.
Kur jemi përballë
nuk themi asnjë fjalë,
përtypemi mendueshëm,
në heshtje ngadalë.
Kur jemi larg,
flasim me tonin mall,
edhe pse sa vjen,
ndodh rrallë e më rrallë.
Ja, tani, zëre se jam aty,
të shoh me filxhanin në buzë,
edhe pse me shokë përreth,
mendjen tek unë e ke,
me telefonin në dorë,
jo për të formuar numrin tim,
nga ti, prej kohësh,
asnjë mesazh s’më vjen.
Ta lexoj padurimin,
kur mes qindra emrash,
emrin tim kërkon,
zemra fillon të rrahë shpejt,
sapo fjalët m’i lexon,
e kur fjalët për ty mungojnë,
ta lexoj në sy trishtimin,
më vjen keq i dashur,
që sot po të lë zhgënjimin… Aida Previzi
Sepse nuk je
Toka ngjan me furrë që djeg,
gjethet u shkundën pa qënë vjeshtë.
Pulëbardhat s’vijnë në të detit, breg
gjithçka u shua, gjithçka hesht.
Po unë ku dreqin shkoj tani,
këtë ditë gushti që përvëlon.
Nuk e kuptoj në këmbë si rri,
dhe ajri gjakun ma helmon.
Nuk dua më as frymë të marr,
as diell të shoh, as yll e hënë.
Le të hapet toka të bëhet varr,
lule mbi mua, rrënjë të zënë. “Shekuj të një jete” Angjelina Ndoj
Shiu i marrë
Do t’bjerë shi diku, pik-pik
Dikush do ta shohë atë me ëndje
Nuk e di pse dreqin ndiej si frikë
Nga ky kujtim, në k’të buzëmbrëmje!
Ti je larg botës, ashtu si unë
Diku e fshehur, në vendin tënd
Unë kam një zemër që të do shumë
Edhe një shpirt që për ty dhemb!
Por ti s’ke shpirt, je një copë letër
Vargje që rrjedhin në poezi
Kujtimi yt, më prek në sedër,
të të urrej, por s’kam se si!
E në të kundërt më shumë të dua
Si pjesë nga shpirti im e ndarë
Si t’shoh përballë të miat duar
E të mos mundem dot t’i marr…
Ndaj ky shi godet pareshtur
Më jep frikë… më bën të marrë! Bledi Ylli