Dark Mode Light Mode

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Follow Us
Follow Us

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use

E doja, por i thashë: “Mjaft!”

 

Thonë se meshkujt dashurohen një herë në jetë dhe kur ndodh kjo, pranojnë gjithçka në lidhje me të dashurën e tyre, madje duke shkelur mbi të gjithë. Unë që po e shkruaj këtë histori jam mashkull, akoma singëll, në kërkim të asaj flake që do të më bëjë të dashurohem. Megjithëse kam projekte për jetën time dhe një dashuri tashmë do të ndryshonte gjithçka, krahët nuk do t’ia ktheja aspak. Jam 27 vjeç dhe kam mbaruar të lartën. Gjatë viteve të studimit, sidomos në vitet e masterit u njoha me një vajzë e cila më bëri dyshues në lidhje me dashurinë.

Unë femrat i respektoj, sepse ashtu jam edukuar në familje dhe ndonjëherë kjo gjë më merret si dobësi. Atë vit të parë të masterit, pasi kisha ndenjur një vit pushim nga studimet, se nga puna aspak, kthehesha me entuziazëm, sepse shkolla, përveç stresit të provimeve, ka edhe atë kënaqësinë e vet të orëve të kafeve, që diskuton me shoqërinë e re, të krijuar në bangat e saj. Kurioziteti i parë i një mashkulli është të vëzhgojë të gjitha femrat që e rrethojnë dhe mund të them se, në atë kurs kishte goxha vajza të bukura, madje do të thoja tepër. Njëra prej tyre më bëri përshtypje. Ishte shumë trendi, e lezetshme dhe ajo që tërheq më shumë është kur tregohet indiferente. Në atë muaj të parë të shkollës, krijoheshin miqësitë dhe unë dilja për kafe me një nga djemtë e pakët që ishim, madje edhe me një vajzë të martuar me dy fëmijë. Aty pjesa më e madhe ishin të fejuara dhe ta tregonin këtë që në momentin e parë. Pjesa tjetër, ato që kishin mbetur, nuk ia vlente as t’i shikoje. Në një nga ato orët kur mungonte pedagogu dhe turreshim te kafet, si për t’u zgjuar edhe nga mëngjesi, se pa një kafe nuk të hapen sytë, i kërkova kësaj shoqes sime që ta ftonim edhe atë vajzën që më bënte shumë përshtypje e që nuk ta varte fare. Ajo pranoi, u ulëm në një kafe që për gati dy vjet do ta frekuentonim rregullisht sikur të ishte një shtëpi dhe aty filluam të tregonim pak për veten, pak për historitë tona personale dhe për ato dëshira që do të donim të ndodhnin në të ardhmen.

Advertisement

Kur flet për shumë gjëra, një nga pjesët më interesante është kur tregon diçka për veten, për jetën personale dhe lidhjet e zemrës. Kur më erdhi radha mua, unë u limitova të thosha që nuk kisha të dashur dhe kur erdhi radha e saj, prita ose shpresova që edhe ajo të thoshte “nuk kam”, por u zhgënjeva dhe u mërzita pak kur e dëgjoja të tregonte për lidhjen e vet me shumë lirshmëri, megjithëse vinte nga një fshat (ndoshta edhe prej faktit se ajo kishte ardhur me studime që në moshë të njomë). Ajo që tërhiqte muhabetin ishte se ishte dhe pirëse duhani dhe duhanxhinjtë duan shoqëri. Atë ditë u ndjeva i zhgënjyer, megjithatë u vendos një shoqëri që nuk u ndërpre. Ajo që ndodhi më pas ishte se, në vend që t’i jepja karar emocionit tim, ai shtohej edhe më shumë dhe më bënte të përjetoja iluzione karshi saj. Nuk u limitova, por vazhdova të këmbëngulja në idenë time për ta bërë për vete. Fillova t’i afrohesha më shumë, t’i flisja pakëz tërthorazi për simpatinë që kisha për të, por edhe ajo shfaqte rezistencë. Duke qenë përditë bashkë, madje edhe ndonjë fundjavë kur nuk shkonte në shtëpi, e ftoja për kafe dhe ajo pranonte. Edhe pse herë pas here më thoshte: “Unë e dua të dashurin, nuk mund ta tradhtoj”, unë nuk dorëzohesha, si çdo mashkull. Ajo, jo vetëm më emociononte, por edhe më jepte iluzione, shpresa për të ecur përpara. Në sezonin e parë, vija re sa ajo stresohej shumë dhe i përjetonte keq provimet. Unë në atë periudhë i ndenja më afër dhe ajo tregohej më e dashur, madje as të dashurin nuk e kujtonte më. Të dashurin e saj s’e kishim parë kurrë, ajo fliste vetëm në telefon me të, ai jeton në një qytet tjetër pak larg dhe shpesh i thoshim në tavolinë: “A funksionon një lidhje në distancë?”.

Në sezonin e parë të provimeve e ndihmova në një nga provimet, pasi e njihja pedagogen dhe ajo e mori provimin pa mësuar. Në njëfarë mënyre u bëra heroi i saj dhe fillova ta ftoja edhe në darkë të dilnim bashkë si shokë. Aty fillova edhe ta prekja; në fillim duart, ndonëse vazhdonte të thoshte: “Unë kam të dashur. Çfarë po bëj?”, kurse në sytë e saj shikoja që kishte dëshirë. Pas provimeve vinte edhe dita e verës dhe ndërsa pinim kafe, një nga vajzat e pyeti si do ta kalonte dhe ajo tha se do t’i vinte i dashuri. E pashë si i shtangur… Kisha kujtuar se isha në rrugën e duhur! U nevrikosa dhe dola nga kafja para kohe.

Në orën e mësimit, ajo u ul pranë meje dhe unë as që doja ta shikoja. Ajo përpiqej të më shpjegonte se ne ishim miq dhe se ajo nuk kishte thënë asnjëherë të kundërtën. Për gati një javë as që i fola, madje as për kafe nuk e ftonim. Në disa raste ajo vinte dhe më fliste, por unë as që i ktheja përgjigje. Edhe pse kjo skenë ndodhte në sytë e të tjerëve, ajo nuk bëhej merak, por përpiqej që të pajtoheshim. Kaloi dita e verës dhe pas saj ajo më telefonoi një darkë. U tregova i ashpër me të dhe ajo shumë e ëmbël, derisa arritëm të dilnim për kafe bashkë me shoqet e saj të dhomës. Filluam të mikloheshim përsëri, madje të dukeshim si një çift, edhe pse nuk kishim arritur në një pikë të përbashkët. Një darkë më ftoi në shtëpi, ku ishin edhe shoqet e saj. Kaluam nja dy orë në mënyrë shoqërore. Kjo ndodhi u përsërit, edhe pse në shkollë nuk tregonim për këtë marrëdhënie që kishim krijuar. Një mbrëmje në fundjavë më ftoi dhe ishte vetëm. Aty iluzionet e mia po bëheshin realitet. Ne biseduam dhe si pa dashje filluam të putheshim. Në një moment ajo filloi të qahej: “Unë kam të dashur nuk mund ta bëj këtë, si më vajti në mendje kjo gjë?!…”. Atë natë nuk ndodhi asgjë më shumë se puthjet dhe ledhatimet, por në vazhdim gjërat avancuan.

Një ditë, ndërsa bisedoja me një nga vajzat që shoqëroheshim, ajo më pyeti për lidhjen time me atë. I tregova dhe gjatë bisedës ajo më tha: “Ka të dashur dhe nuk i jep drejtim, o me ty, o me atë!”. Kjo gjë më ngeli si gozhdë dhe më lëndoi pak. Tani, në këtë rast, kush ishte loloja, unë apo ai? Megjithatë, edhe unë nuk isha gati për një lidhje serioze, kështu që limitohesha të shijoja momentin, por një herë i thashë: “Mjaft me këto telefonata!”. Mbaruan edhe provimet e sezonit dhe largësia gjatë pushimeve na ftohu pak me njëri-tjetrin. Ndonjëherë edhe flisnim në telefon, por kaq. Pas kthimit në vitin e dytë, qëndrimi në shoqëri na afroi përsëri dhe një herë më tha: “Çfarë do të bëje ti për mua?”. “Asgjë”, i thashë. E kuptova se çfarë donte të thoshte me atë, po edhe pse më pëlqente aq shumë, vazhdoja të mendoja: “Kush është loloja në këtë mes, unë apo ai?”. Që nga ajo periudhë, ne filluam të tregoheshim ironikë me njëri-tjetrin ndonëse përditë uleshim në të njëjtën tavolinë, madje aq ironikë sa shoqëria na thoshte: “Mjaft ju të dy!”. Brenda për brenda s’e pranoja, por e doja, e ndjeja dhe ndoshta, po të mos ishte një tjetër në mes, do ta bëja pjesë të jetës sime.

Marrëdhënia u acarua dhe arritëm në pikën që nuk i flisja më dhe numrin e telefonit ia fshiva, edhe pse uleshim me të njëjtën shoqëri. Sot, kur e mendoj, jam i bindur se ajo la gjurmë tek unë dhe më bëri skeptik në dashuri. Kam ngelur me dyshimin: Një njeri që të dashuron, a mund të të tradhtojë me një tjetër? As vetë nuk e di… Ndoshta ajo nuk donte asnjërin prej nesh, ndërsa unë, sikur ta dinte ajo… Nejse, tani s’ka rëndësi!

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
View Comments (1) View Comments (1)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Post

Krijimet tuaja...

Next Post

Albatrit Muqiqi: Vajza që më rrëmbeu zemrën...

Advertisement