– Përshëndetje doktoreshë Mira. Jam një djalë 20 vjeç dhe kam katër vjet që kam alergji nga polenet, pra, kam rinit alergjik. Alergologia më dha disa ilaçe në fillim dhe më tha që të përdor edhe pudër, pasi kisha avull në fytyrë. Ilaçet filluan të më jepnin rrahje të shpejta zemre dhe i ndërpreva. Këto 4 vjet nuk kam pirë ilaçe për alergjinë dhe as nuk e kam përdorur pudrën pasi ma thante shumë fytyrën dhe më zbardhte shumë. Alergologia tha që duhet të bëja vaksinën, por ngaqë bënte shumë shtrenjtë për 4 vjet unë nuk e bëra, edhe pse kisha shumë alergji. Tani më bllokohen hundët, më merret fryma, më dhemb koka, teshtij. Jam vizituar edhe te dermatologia dhe më tha që kam edhe dermatit seborroik dhe për dermatitin kam përdorur krem elidel. Më pas kam përdorur një krem tjetër pasi elidel nuk kishte më në depot e farmacive, ndërsa tani përdor locapred krem. Nuk them që locapredi nuk është i mirë, por doja të dija a do të më ikë ndonjëherë dermatiti seborroik dhe a mund të shërohet pasi skuqem në pjesën e ballit, hundës e faqeve. Gjithashtu, më ha koka dhe në një pjesë afër veshit te flokët më bëhet herë pas here kore e bardhë. Unë e heq se ngjan keq dhe ajo krijohet prapë. Doja edhe disa këshilla për alergjinë nga polenet dhe, a shërohet alergjia me vaksina? Faleminderit.
Dr. Mira Xhixha, alergologe: – Alergjia nga polenet shkakton sëmundje të frymëmarrjes, bllokim të hundëve dhe vështirësi apo marrje fryme, pra, shqetësimet që keni shkruar ju. Po ashtu, edhe probleme me lëkuren, skuqje, kruarje, enjtje dhe elemente si ekzema. Medikamentet e përdorura për alergjitë e ndryshme dhe atë nga polenet janë të shumta dhe kanë efekte të mira qetësuese e parandaluese të shqetësimeve dhe rëndimeve të tyre. Në qoftë se një medikament na jep efekte anësore, duhet të rikonsultohemi me mjekun që na ndjek për të parë mundësinë e ndryshimit të mjekimit, pasi janë të disponueshme ilaçe të shumta për trajtimin dhe lehtësimin e alergjive të ndryshme.
– Ju rekomandoj të rikonsultoheni me mjekun tuaj për të marrë mjekimin e përshtatshëm me efekte vetëm pozitive. Përsa i përket mjekimit me vaksinë, ai është i vetmi i cili do të mund të bëjë një kurim të mirë të alergjisë, sigurisht, jo të përhershëm, por për një kohë relativisht të gjatë. Në qoftë se shqetësimet tuaja zgjasin më shumë se 4 ditë të javës e më shumë se 4 javë në vit dhe ndërhyjnë në gjendjen tuaj shëndetësore në lidhje me aktivitetin në punë, familje, apo ju bezdisin shumë duke ju shkaktuar stres apo gjendje ankthi, duhet nisur vaksina. Të shkuara.