ERË MALLI
Ditët shkuan, por malli jo
Koha vrapon si e marrë
Në të shkuarën ne mbetëm
Pas lamë dashurinë e vrarë.
Bëjmë sikur jemi harruar
Veç një shkëndijë mjafton të ndizet
Zemrat ende s’janë shëruar
Ajo dashuri prapë mund të ngjizet.
Kot nuk thonë, plagët mos i luaj.
Ndjenjat më mirë të flenë gjumë
Ta lëmë kohën të bëjë punën e saj
E mos prit më kthim nga unë. Aida Previzi
FLAVIOS… (birit tim)
Ishte e dielë e 15 gushtit
Kur Ti erdhe në këtë botë
Kur të pashë ty, biri im
nga gëzimi derdha lot…
Ishte gjëja më e bukur
Që më ndodhte ndonjëherë
S’paska lumturi më të madhe
Ta mbash fëmijën në krahë e prehër.
Tani, 10 vjetorin e kalove
Po rritesh shpejt, po bëhesh burrë
Por ajo ndjenjë aq e ëmbël
Vazhdon të jetë si dikur…
Biri im, i shtrenjti Ti
Shumë të dua, Ti mirë e di
Të uroj shumë fat e lumturi
Si për ty e çdo fëmijë!
Qofshi bekuar bijtë tanë
Kudo shkofshi anembanë
Zoti ëndrrat jua plotësoftë
Urata e prindit ju shoqëroftë… Vale Kalemi
Do t’më kujtosh
Do t’më kujtosh kur të vijë koha
Në një moment a në një tjetër
Sepse nuk është kaq e lehtë
Të harrosh diçka të vjetër
Do të mjaftojë një bisht duhani
Një taketuke mbushur me hi
E kur të shihesh pas atij xhami
Do të mendosh për mua ti
Do të mjaftojë një filxhan kafe
Ashtu me llumë dhe i palarë
Pas çdo kafeje shkëmbenim llafe
Ziheshim, thoshe: “Ik, o i marrë!”
Do të mjaftojë një këngë e bukur
Që unë gjithnjë mbaja në buzë
Aty pranë sobës do të rrish strukur
Kujtimet do t’i bësh tërkuzë
Do të mjaftojë një gotë rakie
Që të kujtosh surratin tim
E pija fshehur, por ti s’e dije
Gjersa më pe në një varrim
Do të kujtosh sa herë në vjeshtë
Kur gjethet bien si me të shkundur
Do t’fërkosh sytë edhe veshët
Do të thuash: “Nuk është e mundur”
Do të mjaftojë një lule maji
Të kujtosh ditën kur të takova
Mbi prag do t’mbytesh ti nga vaji
Do përshpërisësh: “Desh të harrova”. Romeo Gegushi