– Doktor Agroni, unë që ju shkruaj jam një vajzë 26 vjeçare. Kam qenë e lidhur dhe jam ndarë pas dy vjetësh, në momentin kur lidhja po bëhej zyrtare. Po e përjetoj shumë keq këtë ndarje. Kam përzierje dhe të vjella, që s’i kam provuar kurrë më parë. Më duket sikur më dhemb i gjithë kraharori. Edhe pse ka kaluar pak kohë, shoh që kjo gjendje më është bërë kronike. Shqetësimi më i vogël më bën të kaloj të njëjtat gjëra; marrje mendsh, të përziera dhe më vjen për të vjellë. Jam vërtet shumë e mërzitur dhe dua të di se çfarë është kjo. Si mund të shërohem?
Dr. Agron Islamaj, neurolog: – Së pari, më vjen keq për gjendjen në të cilën ndodheni, por duhet t’i jepni kurajo vetes. Tashmë, dalim te letra juaj, në të cilën duket qartë se ju jeni njeri i ndjeshëm dhe si pasojë e situatave të vështira, keni shfaqur shenjat e një “neuroze” të lidhur me aparatin tretës (stomak e zorrë). Shenjat që jep ky shqetësim janë: diarre, të vjella, dhimbje koke e karakterit rëndues, mospërqendrim, gjumë të keq, rënie në peshë, luhatje të tensionit dhe ndryshime të pulsit, skuqje apo zverdhje të lëkurës, urinim të shpeshtë, djersitje, ndryshim të temperaturës etj. Këto raste mund të shoqërohen edhe me çrregullime të frymëmarrjes ose të sferës gjinekologjike, konkretisht, ndikon në ciklin menstrual dhe mund të çojë deri në ndërprerje të tij. Konsultat dhe analizat e gjakut periferik e atij venoz rezultojnë në normë. Do t’ju këshilloja të mos i krijoni vetes situata të vështira dhe të jeni më optimiste për jetën. Gjithashtu, duhet të shmangni pije të tilla si kafeja apo çaji. Shëtitjet në natyrë e ushqimi i mirë kanë ndikim tepër pozitiv. Barnat që mund të përdorni janë:
1) Tafranili 25 mgr. 2×1/2 kokërr në fillim e më pas 2 x 1 kokërr.
2) Diazepami 5 mgr. ose Libraxi 2.5 mgr 1 kokërr një orë para gjumit.
3) Sol Vital Fost Mixt 10 ml., një flakon në ditë me gjysëm filxhani ujë, pas buke në mëngjes, çdo dy ditë.
4) Sol Neurobioni 10 ml., një në dy ditë në tule ose kokrra 3×1 në ditë çdo dy ditë.