Dark Mode Light Mode

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Follow Us
Follow Us

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use

Përparim Hetemaj i Kievos në Seria A “E dua vendin tim më shumë se ata që më quajnë tradhtar”

Ai është ndër lojtarët më të mirë me origjinë shqiptare, një prej atyre rasteve të shumtë ku dëshira dhe realiteti nuk përkojnë me njëra-tjetrën pasi Përparimi nuk përfaqëson Shqipërinë, por Finlandën. I lindur në Skënderaj të Kosovës ai u largua nga vendi i tij në moshën 6 vjeçare ku dhe u shpërngul për në gadishullin skandinav. Karrierën e nisi që në moshë të njomë ku menjëherë pikasi me talentin e tij. Tani luan në Serinë A në një prej kampionateve më të forta në botë me ekipin e Kievos dhe është titullar i përhershëm në formacionin e trajnerit Maran, pjesë e padiskutueshme e Kombëtares së Finlandës, por duket se akoma nuk është i përmbushur… Ai dëshiron të përfaqësojë vendin e tij!

Në këtë intervistë për gazetën tonë, do të njihemi me Hetemajn e fushës së blertë dhe Përparimin e jetës private. Me atë djaloshin e qetë, atdhetar dhe… të dashuruar!

 

Advertisement

Eraldo Harlicaj: – Hetemaj, ju keni lindur në qytetin e Skënderajt. Si i keni lidhjet me vendin tuaj? A e vizitoni shpesh Kosovën?

Përparim Hetemaj: – Unë jam shumë i lidhur me vendlindjen time. Si shumë bashkatdhetarë të tjerë, në vitin 1992, për shkak të dhunës dhe terrorit serb mbi shqiptarët, familja ime mori rrugën e mërgimit dhe që prej atëherë, prindërit e mi, nëna dhe babai im i ndjerë, më kanë edukuar me frymën e atdhetarisë dhe bamirësisë ndaj atdheut. Ndihem shumë mirë dhe shumë i lumtur kur shkoj në Skënderaj, pasi më duket se më mbushet diçka që më mungon në çdo vend tjetër. Më kujtohet fëmijëria ime dhe momentet gazmore me shokët. Jam shumë krenar që jam nga Skënderaj dhe jam shumë krenar që jam shqiptar!

– Si nisi rruga juaj drejt futbollit profesionist?

– Unë dhe vëllai im filluam të luanim që në moshë të re. Unë isha 6 vjeç, ndërsa vëllai im ishte 4 vjeç. Interesante ishte se ne luanim fshehtas babit, pasi ai donte që ne të shkolloheshim, këtë shihte primare. Një ditë, unë dhe vëllai po luanim pas mësimit dhe babai na shikoi duke u stërvitur me çorape leshi, sepse nuk kishim këpucë sportive. Ai u shokua kur na pa në atë gjendje, por ne kishim mbështetjen e trajnerit që foli me babain dhe e udhëzoi se ku t’i blinte mjetet sportive më lirë dhe i kërkoi atij të mos na e ndërpriste pasionin për futbollin pasi shihte që kishim të dhëna të mira. Më pas, hymë në akademinë e HJK-së (ekip finlandez) ku luajta për të gjitha grupmoshat deri te debutimi me ekipin e parë.

– Pse zgjodhët të luanit për Kombëtaren e Finlandës?

– Sa i përket kësaj pyetjeje, besoj se përgjigjja është e thjeshtë, pasi unë e ndërtova karrierën time në atë vend dhe na u dha shumë shpejt mundësia për të veshur fanellën e atij shteti. Unë u grumbullova që me ekipet e moshave të Finlandës, më pas edhe me ekipin A përfaqësues.

– A jeni kontaktuar ndonjëherë nga Federata Shqiptare e Futbollit për të luajtur me Shqipërinë?

– Po, jam kontaktuar edhe nga FSHF-ja për të përfaqësuar Shqipërinë, por në momentin që ata kanë folur me mua, ka qenë shumë vonë, pasi unë kisha veshur tashmë fanellën e Finlandës dhe nuk më lejohej të luaja për Shqipërinë.

– Po nga Federata e Kosovës jeni kontaktuar?

– Po, edhe nga Federata e Kosovës kam pasur kërkesa për t’iu bashkuar ekipit në ndeshjen e parë kundër Haitit. Unë kisha dëshirë që t’i bashkohesha, por pyeta trajnerin e Finlandës dhe ai nuk më dha leje sepse kishim shumë ndeshje të vështira për të luajtur. Trajneri i Kosovës, zoti Bunjaki, ka qenë në kontakt me trajnerin e Kombëtares së Finlandës dhe e kuptoi shumë mirë si ishte situata dhe se nuk kisha çfarë të bëja.

– A ka mundësi që pas pranimit të Kosovës në FIFA, ju të vishni fanellën e kësaj përfaqësueseje?

– Dëshira ime është që të luaj për Kosovën, por gjithçka i mbetet kohës. Të pranohet njëherë në FIFA dhe më pas të shohim nëse do t’i bashkohem ose jo.

– A jeni penduar për zgjedhjen që keni bërë?

– Po, si ta them… nuk jam penduar aspak pasi në atë kohë kjo ishte mundësia ime e vetme dhe nuk kam pasur kërkesa të tjera.

– A i ndiqni ndeshjet e Kombëtares së Shqipërisë dhe Kosovës? Ç’mendim keni për to?

– Po, i ndjek dhe shpresoj që të fitojnë gjithmonë dhe të jenë të parët në renditje. Kombëtarja e Shqipërisë ka pasur shumë progres dhe shpresoj të arrijnë kualifikimin e shumëpritur që e dëshirojmë të gjithë shqiptarët. I kam ndjekur në të gjitha ndeshjet dhe më vjen shumë keq për ndeshjen e Beogradit. Shpresoj të vihet drejtësia në vend nga gjykata e KAS-it, pasi janë një grup me lojtarë shumë të mirë dhe cilësorë. Kombëtarja e Kosovës është një ekip i ri dhe ka shumë punë për të bërë, por ka shumë talente që me pranimin e Kosovës në FIFA do të afrohen pranë ekipit dhe në këtë mënyrë, do të rritet edhe cilësia.

– Ju keni në ekip Armando Vajushin. Si i keni marrëdhëniet me te? Po me shqiptarët e tjerë që luajnë në Serinë A, Cana, Berisha, Hysaj, Strakosha dhe Andi Lila?

– Vajushi është një lojtar dhe një djalë shumë i mirë. Kemi marrëdhënie të shkëlqyera dhe shpresoj t’i jepet mundësia të tregojë vlerat e tij, pasi ka një potencial vërtet të madh. Jam përballur me të gjithë shqiptarët e tjerë dhe gëzoj respektin maksimal për të gjithë.

– Tifozët ju quajnë tradhtar…

– Gjithsecili ka të drejtë të shprehë mendimin e tij lirshëm, por normalisht, më vjen keq që dëgjoj dhe përballem me të tillë situatë. Njerëzit që flasin nuk i dinë kushtet dhe rrethanat që më janë krijuar. Unë e dua vendin tim sa çdonjëri prej atyre që më quan tradhtar. E pranoj se jam shqiptar dhe do ta bëj këtë gjë gjithmonë.

– Ku ndryshon Hetemaj brenda fushës, nga Përparimi jashtë saj?

– Ndryshojnë në disa aspekte pasi në fushë, natyrisht, duhet të jesh më i egër, më i përqendruar, ndërsa në jetën time të përditshme jam një natyrë shumë e qetë, i dashur dhe mundohem vetëm të sjell gëzim te familja ime.

– Si është një ditë e zakonshme për Përparimin?

– Një ditë e zakonshme fillon me zgjimin herët dhe gjimnastikë. Pastaj shijoj mëngjesin që është një vakt shumë i rëndësishëm. Më pas është stërvitja me ekipin. Kur nuk jemi të grumbulluar, gjej kohë edhe për vete, ndërsa kur jemi të grumbulluar, jam gjithmonë i fokusuar te ndeshjet. Në tërësi, dita ime fokusohet te futbolli, pasi duhet të mbajmë gjithmonë regjim për të mbajtur formën optimale.

– Përveç futbollit, çfarë hobish të tjera keni?

– Më pëlqen muzika… Të sqarohem, jo të këndoj vetë, pasi do të trembja njerëzit (qesh)… Më pëlqen të udhëtoj dhe kohën e lirë mundohem t’ua kushtoj njerëzve të mi të dashur.

– Meqë dolëm te njerëzit e dashur, a është Përparimi i dashuruar?

– Po, jam tri herë i dashuruar pasi njerëzit e mi më të shtrenjtë janë nëna, motra dhe vëllai im.

– Përveç nënës dhe motrës, a ka ndonjë femër tjetër në jetën tuaj?

– Më vjen keq, por nuk dua të flas për këtë pjesë.

– Fatbardha, motra juaj, merret me politikë. Çfarë marrdhëniesh keni ju me politikën dhe a ka mundësi ta shohim Përparimin në një të ardhme në këtë fushë?

– Më pëlqen të ndihmoj njerëzit dhe mundohem ta këshilloj edhe motrën herë mbas here, pavarësisht se ajo ka përvojë shumë të madhe. Nuk e besoj, pasi nuk e shoh të ardhmen time në atë fushë, por kurrë mos thuaj kurrë!

– Ku e shihni veten pas 10 vitesh?

– Një gjë është e sigurtë; në fushën e lojës jo njëherë, pasi do të isha 38 vjeç… Nuk e di. Të ardhmes nuk i dihet asnjëherë.

– Vëllai juaj, Mehmeti, është gjithashtu futbollist. A ka qenë e lehtë për mamanë tuaj me dy sportistë në shtëpi?

– Po, me Mehmetin stërviteshim së bashku. Ishim të rinj dhe kishim shumë energji, ishim natyra impulsive, bënim rrëmujë dhe e kishim kthyer shtëpinë si në një palestër të dytë. Mami, por edhe Fatbardha, e kishin shumë të vështirë të na përballonin pasi shpesh ziheshim edhe me njëri-tjetrin se kush ishte më i mirë. Jam shumë krenar për familjen time, pasi na kanë edukuar me dashuri dhe na kanë ushqyer vlera të vërteta atdhedashurie e mësime të vlefshme për jetën. Babai, pavarësisht se nuk ishte dakord në fillim për sportin, më pas na ka mbështetur gjithmonë.

– Ju mungon?

– Shumë… Një pjesë shumë të madhe të suksesit tim ia dedikoj atij dhe shpresoj që me punën time ta kem bërë krenar.

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Add a comment Add a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Post

Projektligj i ri për dhënien e nënshtetësisë në Greqi Ndryshime të reja edhe për lejet e qëndrimit

Next Post

PAK FJALË PËR POETIN DHE POLITIKANIN ATDHETAR, HYSNI MILLOSHIN!

Advertisement