Përshëndetje! Unë që po ju shkruaj jam një djalë nga një qytet i jugut, po preferoj që të mbetem anonim, për shkak edhe të historisë që do ju tregoj. Një intervistë në televizion, e njërit prej pedagogeve të mi, u bë sot arsyeja për të cilën unë po ju shkruaj. Ai po fliste për moralin dhe të pamoralshmen te një individ. Për të mos e zgjatur, thelbi i mesazhit të tij ishte ky: “Të rrallë janë njerëzit me moral, që kanë bërë karrierë në ditët e sotme. Një person mund të jetë i moralshëm, sepse të tillë e ka edukuar familja, por në momentin që ai në rrugën e tij ndeshet me njerëz të pamoralshëm, atëherë duhet t’u përshtatet atyre që të çajë në jetë, ndryshe do rrijë në vend numëro. Kështu pra, edhe një person i ndershëm, bëhet pjesë e një shoqërie të pandershme. »
Mbase u zgjata pak, por doja ta theksoja një gjë të tillë se pikërisht te njerëzit e ndershëm që ju përmenda më sipër futem edhe unë, po fati ndonjëherë të vë në një dilemë dhe duhet të bësh një zgjedhje të vështirë. Kështu po më ndodh edhe mua. Shpeshherë kemi dëgjuar dhe parë që femra është objekt i ngacmimeve kur vjen fjala për një vend pune, por me mua po ndodh e kundërta. Prindërit i kam të dy arsimtarë dhe siç mund ta imagjinoni edhe ju, rregullin, disiplinën, sjelljen shembullore, si të thuash na e kanë futur në gjak. Në vitin e dytë të shkollës së lartë, mua m’u desh që një lëndë ta bëja me një pedagoge e cila mund të ishte rreth të dyzetave. Që ditën e parë që erdhi në orën e leksionit, ajo në sy të auditorit shprehu një lloj simpatie ndaj meje. Në momentin kur po bënte apelin e studentëve, kur thirri emrin tim, u fiksua me shikimin tek unë dhe më buzëqeshi. Atë skenë e kuptuan edhe shokët e mi dhe filluan të më ngacmonin duke më thënë se “pedagogia e re të mori me sy të mirë që në orën e parë të mësimit”. Me thënë të drejtën, shikimi i saj ndaj meje më bëri të ndjehesha shumë keq, mbase edhe u skuqa në ato momente. Nuk e di se çfarë e tërhoqi atë femër tek unë, ndoshta trupi, ndoshta pamja ime. Shokët më thonë se “e ka tërhequr buzëqeshja jote e ëmbël”. Me thënë të drejtën, nuk e di, por ajo që di është se ajo vërtet filloi të bëhej një problem për mua.
Një ditë, ndërsa isha duke ecur në korridorin e fakultetit me shokët e mi, ajo ashtu si pa të keq më thirri në zyrën e saj. Më tërhoqi vëmendjen se nuk kisha dalë mirë në provim dhe më tha se po të doja, mund ta përsërisja prapë. Nuk e keni idenë sa keq u ndjeva. Doja të dija se pse po e bënte ajo këtë gjë. I kisha fiksuar sytë në një vend dhe po mendoja. Vetëm dora që më preku te flokët dhe aroma e parfumit të saj më bënë që të përmendesha. Duke më prekur nga flokët, ajo më tha: “Këtë përjashtim, po e bëj vetëm për ty”. E mblodha veten dhe ashtu me mirësjellje ia largova dorën nga flokët e mi, u ngrita në këmbë dhe i thashë: “nuk keni arsye që të më veçoni nga shoqëria. Atë që keni bërë për ata, bëjeni edhe për mua”. Pa e mbaruar mirë fjalën, ajo ma vuri dorën të buzët duke dashur që unë të mos flisja dhe ma preu shkurt: «Ti nuk je si ata, je shumë i veçantë, këtë gjë e vura re që ditën e parë që të pashë». Ia largova përsëri dorën, po këtë herë si me inat dhe u largova nga zyra e saj duke përplasur derën.
Isha interesuar për të dhe disa studentë që e kishin patur pedagoge, më thanë se po të të merrte inat, nuk bëheshe dot më mik me të. Ishte beqare dhe ishte drejtoreshë në një institucion, emrin e të cilit nuk po e them. Ua tregova këtë histori dy shokëve të mi të dhomës dhe atë filluan të qeshnin, duke më thënë se “ajo e re është akoma. Parfumi që hedh ajo të duket sikur është vajzë pesëmbëdhjetë vjeçe dhe jo dyzetë e pesë”. Ata talleshin dhe unë tallesha bashkë me ta, pa e kuptuar se kjo situatë po bëhej gjithnjë e më serioze.
Ditën tjetër, ajo erdhi shumë e revoltuar në orën e leksionit. Dukej sikur gjithë inatin e kishte me mua. Në momentin kur po shpjegonte mësimin, po shkruante në dërrasën e zezë dhe me thonjtë e saj të gjatë si mace e egër, gërvishtte tabelën në të cilën shkruante. Në këtë mënyrë krijonte një tingull që na vinte të gjithëve në siklet. Ajo i kuptonte reagimet tona, por as që ia ndjente fare, përkundrazi, kjo gjë e gëzonte. Përsëri me atë sjelljen e saj prej egërsire, ajo bënte që unë të bëhesha objekt diskutimi mes shokësh. Ata më ngacmonin duke më thënë «aman ore bëja njëherë të qetësohet, se na hoqi trutë e kokës me këtë sjelljen e saj prej histerikeje.». Ata qeshnin dhe unë qeshja bashkë me ta. Një ditë tjetër ajo më ftoi në zyrën e saj, në kompaninë ku punonte. Shkova e takova dhe ajo, me shumë mirësjellje, më ofroi një vend pune. Si fillim do të punoja si ndihmës dhe me kalimin e kohës, kur t’ia merrja dorën punës, do të nisja punë në profesionin tim. Kjo ide më pëlqeu, gjatë kohës së pushimeve verore e mendoja dhe vendosa të punoja në kompaninë e saj. Për herë të parë e kuptova se ç’lloj kënaqësie të jepte puna, sidomos kur është e profilit tënd. Shokët e mi mendonin se unë kisha patur marrëdhënie me drejtoreshën time, që më siguroi një vend pune në kompaninë e saj, por në fakt nuk ishte kështu. As unë vetë nuk po e kuptoja, edhe pse isha i sigurt se ajo nga momenti në moment do të m’i shprehte ndjenjat e saj. Ajo ishte nga ato femra që, kur e donte një gjë, e merrte me çdo kusht dhe ajo së cilës i trembesha, ndodhi kur më duheshin edhe dhjetë ditë nga fillimi i vitit të ri shkollor. Ajo më thirri përsëri në zyrë, e veshur në një mënyrë tepër elegante dhe më ftoi që të drekonim bashkë. Nuk e refuzova ftesën e saj, isha kurioz të dija se çfarë kishte ndërmend të më thoshte.
Shkuam me makinën e saj në një nga lokalet jashtë Tiranës dhe biseda nisi kështu: “Kam vendosur të të ngre në detyrë, ashtu siç edhe të premtova në fillim, por ajo që dua prej teje është që ti të jesh shumë besnik ndaj meje që po ta bëj këtë nder”. Nuk po e kuptoja fare se çfarë po kërkonte të më thoshte. Më pas ajo më tha: “Që ditën që të kam parë në auditor, e kuptova menjëherë se ti nuk je si gjithë djemtë e tjerë, ti dallon prej tyre. Unë dua që të punosh gjithmonë me mua, dua që të jesh krahu im i djathtë”.
Nuk dija se çfarë vendimi të merrja, por ajo që dija shumë mirë ishte se ajo nuk e bënte të gjithë këtë gjë pa ndonjë interes. Ajo kishte filluar një lojë të re dhe të «ëmbël » për të më bërë për vete. Dy alternativa më kishin mbetur: ose të filloja punë dhe të isha rob i saj për gjithë jetën, ose të filloja punë si kamerier, ashtu siç bëjnë shokët e mi. Vërtet isha në një udhëkryq dhe nuk po dija të zgjidhja rrugën e duhur. Të vetmit që u hapesha ishin shokët e mi, por ata i binin shkurt, «zgjidh punën » kështu më thoshin. Problemi ishte se për mua hallet do të vinin më mbrapa. Prindërit e mi gjithmonë më kanë mësuar se suksesin në jetë duhet ta fitosh me punë të ndershme, por si i bëhet hallit kur jeta të ndesh me njerëz të pandershëm?! Ja pra, ku dolëm në shprehjen e pedagogut tim filozof (për të cilin kam shumë respekt), se edhe njeriu i ndershëm bëhet imoral në momentin kur has me njerëz si në rastin tim.
Përgjigjja që i dhashë shefes sime ishte se si fillim duhet të mbaroja shkollën dhe pastaj do vendosja se çfarë do bëja me punën që ajo më ofroi. Ajo prapë u tregua e zgjuar, përsëri nuk hoqi dorë nga e saja, ra dakord me argumentin tim. Ndërkohë, ajo nuk i ka shkëputur lidhjet me mua, pothuajse çdo fundjavë më fton për drekë dhe pothuajse çdo ditë më merr në telefon për të më pyetur se si shkoj me shkollën. Ajo që po shikoj, është se gjithnjë e më shumë po bëhem viktimë e lojës së saj, lojë e cila e pati një fillim, por nuk e di a do të ketë një fund. Shokët nga ana tjetër më kritikojnë dhe më thonë se nuk duhet të jem djalë mamaje, duhet të provoj eksperienca të reja. Uroj që e gjithë kjo histori të zgjidhet në mënyrën më të moralshme të mundshme, përndryshe, do jem përsëri i detyruar t’ju shkruaj se si do vazhdojë historia ime me pedagogen, e cila u bë dhe shefja ime dhe shpresoj të mos jetë më shumë se kaq…