Kurat çhelmuese apo dezintoksikuese janë shumë në modë tani në SHBA dhe kanë bërë për vete edhe yjet e spektaklit. Këto kura kanë për qëllim pastrimin e organizmit nga helmet, për ta çlodhur nga stresi dhe lodhja e ditës, në mënyrë që të kesh një pamje më të shëndetshme dhe të ndjehesh më mirë. Ke një çehre të zbehtë dhe flokë pa shkëlqim? Ndjehesh e lodhur apo e stresuar? Do të doje t’i jepje fund treshes djallëzore: Alkool, duhan dhe ushqim i keq? Zbulo parimet e një kure dezintoksikante dhe… kufijtë e saj. Ndiq këshillat tona për ta realizuar sa më mirë dhe vër në praktikë programin që të pëlqen më shumë.
Pse duhet bërë?
Ashtu siç ndodh me motorrin e një makine, edhe organizmi ynë, me kalimin e kohës grumbullon mbeturina, që quhen helme dhe që ndikojnë negativisht në funksionimin e tij duke shkaktuar lodhje, zbehje të lëkurës e të thonjve, flokë pa shkëlqim, irritim, depresion dhe një rezistencë më të ulët ndaj infeksioneve.
Këto helme kanë dy origjina të mundshme:
– Të brendshme: Organizmi i prodhon vetë gjatë funksionimit të tij, sidomos gjatë tretjes.
– Të jashtme, që lidhen me mjedisin ku jetojmë dhe ato që konsumojmë: Ndotja e ajrit, duhani, alkooli, ilaçet, ngjyrosësit dhe esencat kimike…
Në parim, trupi i njeriut është konceptuar për t’i eliminuar vetë helmet, sidomos nëpëmjet veprimit të mëlçisë dhe veshkave, por mund të ndodhë që grumbullimi i tyre të jetë shumë i madh dhe ai nuk arrin dot t’i eliminojë të gjitha. Në këtë rast, qelizat kanë vështirësi për t’u ushqyer, funksionet organike ngadalësohen dhe shfaqen çrregullimet, që i kemi aq frikë.
Ku konsistojnë kurat?
Kurat çhelmuese janë të destinuara për të pastruar organizmin, me qëllim që t’i japin atij energji të re. Të gjitha kanë pak a shumë të njëjtin parim: Bëhet fjalë për reduktimin e kalorive, të evitosh ose kufizosh elementet toksike, të konsumosh ushqime të shëndetshme e natyrale dhe të favorizosh shkarkimin e helmeve, duke pirë shumë ujë, duke përdorur bimë depurative, duke praktikuar një aktivitet fizik… Kurat e shumta, pak a shumë të justifikuara shkencërisht, ndryshojnë për nga kohëzgjatja dhe mënyra që përdorin (me agjërime, duke ngrënë vetëm fruta, e perime, duke evituar kafenë, sheqerin, mishin…). Megjithëse nganjëherë konstatohet rënia në peshë, këto nuk janë dieta dobësimi dhe nuk është ky qëllimi i tyre.
Kush mund të përfitojë prej tyre?
Të gjithë mund të vuajmë nga një grumbullim helmesh në një moment ose në një tjetër, qoftë ky i shkaktuar nga një mbingarkesë ushqimore, nga stresi ose puna e lodhshme, një sëmundje ose thjesht nga një higjienë jo e shëndetshme jete. Për këtë arsye, kurat janë gjithmonë të mirëpritura; ato janë të domosdoshme për njerëzit që vuajnë nga lodhja kronike, nga probleme me gjumin, që kanë puçrra dhe lëkurë të zbehtë, probleme me zorrët, sy të fryrë dhe me qeska, probleme me tretjen dhe marrje mendsh, dhimbje muskulare ose të kockave, alergji, flokë pa shkëlqim ose me yndyrë, migrenë, djersiten natën, kanë erë të keqe të gojës, fryhen, kanë humor të ndryshueshëm, ankth, depresion, stres të theksuar… Nga ana tjetër, ato nuk këshillohen për gratë shtatzëna ose me fëmijë në gji, fëmijët dhe adoleshentët, personat që vuajnë nga ndonjë sëmundje, diabeti, probleme të veshkave, etj.
Janë vërtet efikase?
Ideja se këto kura pastrojnë organet nga pesticidet e ushqimeve, është një ide e thjeshtëzuar e problemit. Duhen më shumë se 2 ditë supëra me prime për të eliminuar këto helme nga organizmi! Mënyra më e mirë për të mos grumbulluar helme është të ekspozohesh sa më pak kundrejt tyre, pra, të evitosh duhanin, të kufizosh në maksimum kafenë e alkoolin dhe të hash ushqime bio, jo të transformuara. Në këtë drejtim, një kurë çhelmuese mund të ofrojë një alternativë të mirë. Përsa i përket agjërimit, mjekët janë dakord në këtë pikë dhe thonë se është i papërshtatshëm. Ai, jo vetëm dobëson organizmin dhe e privuar nga ushqime të nevojshme për funksionimin e mirë të tij, por, përveç kësaj, bën efektin e kundërt, pra favorizon prodhimin e… helmeve!
Kur është momenti i duhur?
Një kurë e tillë është si një sfidë e vogël me veten. Për këtë arsye, është e rëndësishme të zgjidhet momenti i duhur para se ta fillosh. Në fillim të pranverës, verës apo vjeshtës kemi më shumë nevojë për të, sesa në dimër dhe në mënyrë të natyrshme, hamë më lehtë, prandaj këto janë momentet më të përshtatshme. Mund të ndjehesh paksa i/e lodhur për ndryshimet që i imponon vetes, bile mund të vuash edhe nga ndonjë shqetësim i vogël (dhimbje koke, marrje mendsh). Më mirë është të programohet kura, të paktën në fillim të saj, në një moment çlodhjeje (fund jave, pushime…) dhe të evitohen periudhat kur po u nënshtrohesh sforcimeve fizike dhe intelektuale.
Si të mbrohemi nga helmet?
Nëse do të çlirosh organizmin nga helmet, duhet të reduktosh, ose ideale do të ishte, të evitosh disa substanca:
Sheqeri dhe yndyra: Yndyrnat me origjinë shtazore (të mishit, qumështit, ëmblësirave…), sidomos kur janë të gatuara, gjatë transformimit të tyre në trup prodhojnë helme, nga të cilat organizmi ynë mundohet të çlirohet. Sheqernat e rafinuara (pijet freskuese, karamelet, pastat…) provokojnë një fluks të madh të glukozës në gjak, që çrregullon prodhimin e insulinës. Në fillim të kurës është më e lehtë t’i eliminosh fare.
Alkooli: Nëse përdoret për pak kohë, ai çrregullon tretjen dhe mbingarkon mëlçinë. Nëse përdoret për një kohë të gjatë, shkakton dëme të pakthyeshme në qeliza. Gjatë kurës, duhet të evitohet alkooli.
Duhani: Substancat përbërëse të cigares, ashtu si reaksioni kimik që ndodh gjatë diegies, prodhojnë afro 4000 lloje gazrash dhe pjesëza, sa herë thithet cigarja, shumica prej të cilave janë të dëmshme, edhe në doza të vogla. Një duhanpirës fut në trup helme si plumbi, arseniku ose cianuri. Ai, gjithashtu, thith monoksid karboni, duke e privuar trupin nga oksigjeni. Nëse pi duhan, nuk mund të bësh kurë çhelmuese. Mbase ka ardhur momenti për ta lënë…
Kafeja: Ajo rrit tensionin arterial dhe shton helmet në trup, të cilat ai e ka të vështirë t’i eliminojë. Gjatë kurës, kafeja duhet evituar në maksimum. Nëse të duket e pamundur, të paktën kufizoje, maksimumi 3 kafe në ditë.
Produktet me prejardhje nga kafshët: Konsumi i tyre prodhon ure dhe acid urik, helme që eliminohen kryesisht nëpërmjet veshkave. Së dyti, konsumi i madh i mishit shkakton fenomene të kalbëzimit të zorrëve dhe së treti, rrit aciditetin. Si përfundim, elimino mishin dhe peshkun për disa ditë.
Gjellët e parapërgatitura ose të rafinuara: Ato janë plot esenca, kolorantë, konservantë dhe pesticide, si edhe me sheqerna, njëkohësisht janë të varfra me vitamina, kripëra minerale dhe fibra.
Çfarë duhet konsumuar?
Konsumimi i disa ushqimeve, jo vetëm nuk shkakton prodhimin e helmeve në trup, por e ndihmon atë të pastrohet:
Uji: Ai është i nevojshëm jo vetëm për funksionimin e mirë të qelizave, por nxjerr jashtë edhe helmet që prodhohen nga metabolizmi. Për të favorizuar këtë proces, duhet të pish shumë ujë, të paktën 1.5 litra në ditë dhe ai nuk duhet të përmbajë shumë kripëra minerale.
Ushqimet bio: Këto ushqime kanë pak helme, pasi për prodhimin e tyre nuk përdoren pesticide, nuk kanë kolorantë, konservantë, esenca kimike dhe hormone.
Erëzat aromatike: Erëzat, përveçse u japin shije dhe aromë ushqimeve, të lejojnë të hash në mënyrë të shëndetshme dhe kanë veti pastruese.
Frutat dhe perimet: Kanë shumë cilësi, kanë pak kalori, kanë fibra, vitamina, kripëra minerale dhe ujë. Disa kanë veti diuretike (shkarkojnë lëngjet e tepërta nga organizmi), si: asparagu, kastraveci, agrumet, frutat e pyllit. Disa me fibra, siç janë fiqtë apo kumbullat, ndihmojnë zorrët.
Çaji: Ai është diuretik, stimulues dhe ka substanca antioksidante, prandaj është një aleat i mirë në një kurë çhelmuese.
Ndihmësat natyralë
Për të shtuar efikasitetin e kurës, përveç ndryshimit të zakoneve ushqimore, është mirë të përmirësohet gjithë higjiena e jetës:
Për të eliminuar shpejt helmet, përdor gjithçka që mund të provokojë djersitjen: sauna, hamam, ushtrime fizike, aerobi etj.
Që të bësh të mundur që trupi të eliminojë në mënyrë të qetë helmet, çlodhu dhe relaksohu me masazhe e banja të gjata.
Për të përmirësuar funksionimin e disa organeve, thith sa më shumë ajër të pastër dhe oksigjen: Bëj shëtitje në pyll, në breg të detit dhe bëj ushtrime për frymëmarrjen.
Disa kura
Kohëzgjatja: 1-2 ditë
Ushqimi
Dita e parë: Supë me jeshillëqe, perime të ziera, çaj dhe ujë.
Dita e dytë: Përveç supës dhe perimeve, edhe 3 kose natyrale dhe fruta të tipit: Qitro, kivi ose mollë.
Mënyra e jetesës: Çlodhje dhe ajër i pastër. Shëtitje të qeta dhe gjumë në drekë. Lëre trupin të pastrohet qetësisht, që të rimarrë veten.
Kohëzgjatja: 1 javore
Ushqimi
Zgjidh ushqime të pasura me vitamina dhe kripëra minerale: fruta dhe perime të freskëta, drithëra integrale (bukë e zezë), bishtajore (fasule, bizele, bathë, të pasura me proteina vegjetale).
Mëngjes: Fruta dhe bukë e zezë e thekur dhe çaj, ose drithëra.
Drekë: Peshk ose pulë e zier, drithëra (oriz, bukë e zezë, makarona…) dhe perime të ziera, si edhe fruta të freskëta.
Pasdite: fruta të freskëta, të thata ose lëng frutash.
Darkë: Supë perimesh, sallatë, bukë, fruta të freskëta.
Fizkulturë: tre herë në ditë nga 5 minuta frymëmarrje me bark.
Çdo ditë një aktivitet fizik, të paktën 30 minuta. Një herë në 3 ditë, një masazh relaksues.
Plan anti-duhan
Kohëzgjatja: 5 javë
Ushqimi: Një regjim alkalin për të luftuar aciditetin e shkaktuar nga duhani. Përdor:
Të gjitha perimet, sidomos asparagun, kungujt, karotat, patatet, spinaqin, selinonë, fasulet.
Të gjitha frutat, sidomos shalqinin, papajën, kivin, ananasin, rrushin, mollët, kajsitë, hudhrat, kosin natyral, arrën e kokosit, arrat, bajamet.
Pjesa tjetër e ushqimeve, sidomos mishi, pula, produktet me bazë qumështi, orizi, etj, favorizojnë prodhimin e acideve. Gjatë kurës anti-duhan, duhet të marrësh idealisht 70% ushqime alkaline dhe 30% ushqime acide.
Duhet të pish shumë ujë, të praktikosh ushtrime relkasimi dhe frymëmarrjeje të thellë. Përdor çajrat e ndryshëm dhe çdo dy ditë, praktiko ecjen sportive, notin, shëtitjen më këmbë ose me biçikletë, me një ritëm mesatar.