Big Mama dhe reperi kosovar që jeton në Zvicër, Gasso, janë emrat më të lakuar të momentit në muzikë. Ata kanë sjellë një klip sa sensual, aq edhe ritmik dhe shpërthyes. Big Mama dhe Gasso janë përfolur edhe për një romance mes tyre, por se sa e vërtetë është kjo, do ta zbulojmë në intervistën që realizuam me secilin prej tyre. Për Gasson, ky është prezantimi i parë me publikun, ndërsa Big Mama risjell performancën e saj shumë shpejt pas bashkëpunimit në një këngë humoristike me këngëtarin Rati dhe humoristin Bes Kallaku…
Fabjola Kuburi: – “Bone n’club” thoni ju… Çfarë dhe si bëhet në klub, Big Mama?
Besjana Kasami (Big Mama): – Hej, si jeni? Varet me çfarë shoqërie dhe çfarë rasti. Ndodh që bëhem tapë fare (qesh), por me raste. Nuk e preferoj shumë alkoolin. Çfarë bëhet në klub? Sigurisht, kërcehet, argëtohet njeriu me miq e mikesha, thjeshtë jetë nate për t’u shijuar. Bëhet gjithçka besoj, por varet nga karakteri i njeriut. Ndoshta dikujt mund t’i ketë ngelur diçka në mendje dhe, pse të mos e bëjë? (Qesh)
– Nuk harron të na surprizosh me lukun tënd. Ku u frymëzove këtë herë?
– Unë, si çdo femër, mundohem gjithmonë të dukem bukur. Nuk frymëzohem nga dikush, por kam një ekip profesionistësh të cilët kujdesen për pamjen time dhe më bëjnë të jem rehat e bukur.
– Pjesa më e madhe e femrave e kanë problem peshën, kurse ty, publiku të do “big”. Si e shpjegon këtë?
– Jam munduar shpesh ta largoj peshën e tepërt, por u lodha! Njerëzit janë mësuar të më shohin kështu dhe do vazhdoj besoj, edhe pse për momentin nuk jam dhe aq pasi angazhimet e tepërta më kanë larguar disa kilogramë. Nuk di ta shpjegoj, por besoj se karakteri im i sinqertë i bën për vete dhe pamja nuk hyn në punë.
– Çfarë rëndësie pati pjesëmarrja e Gassos në këtë projekt?
– Unë e kam thënë që jam pro bashkëpunimeve dhe përkrahjes së talenteve të reja. Gasso ishte një nga ata dhe, pse të mos e ndihmojmë njëri-tjetrin?
– Po prezenca jote në bashkëpunimin me Ratin dhe Bes Kallakun?
– Besin e kam mik të mirë dhe ai më tregoi idenë për këngën e fundit. Mua më pëlqeu shumë dhe vendosa të jem pjesë e tyre.
– Disa portale kanë shkruar që ti je e lidhur me Gasson. Është e vërtetë?
– Jo, aspak, nuk është e vërtetë. Ai është më i ri se unë, kështu që e kam vetëm mik, koleg dhe bashkëpunëtor, asgjë më shumë. Portalet atë punë kanë, për klikime bëjnë gjëra të çuditshme.
– Po puna e festivaleve… Bigu nuk shfaqet më aq shpesh në festivale. Aq herët ke hequr dorë nga ato?
– Jo, nuk kam hequr dorë, kur kam materiale të mira prezantohem në festivale. Do të më shihni edhe andej së shpejti.
– Ti ke qenë edhe moderatore. Pse u largove nga televizioni?
– U largova për t’u fokusuar pak karrierës, por do rikthehem në shtator me një program të ri fillimisht e më pas të shohim. Kam disa plane, por si është vendi bëhet kuvendi, themi ne.
– Çfarë do ndryshosh akoma në pamjen tënde?
– Për momentin i kam flokët e shkurtëra. Sapo kam bërë një ndryshim, jam bërë brune. Ngjyrat e errëta janë në trend për momentin dhe ashtu vendosa dhe unë. I mbaj të shkurtëra sepse më pëlqen më shumë, por me raste, kur kërkohen të gjata, ndërhyjmë edhe ndryshe. (Qesh)
– Nuk ishe e kënaqur me formën e buzëve, që vendose t’i bësh më të mëdha?
– Thjeshtë vetëm të provoja se si ishte, por jam e kënaqur me këto që kam. (Qesh)
– Kam dëgjuar që do ikësh prapë në Turqi për një tjetër operacion për të hequr disa kile…
– Jo, nuk është e vërtetë, nuk do qëndroj vetëm te kirurgu unë! (Qesh) E thashë edhe më lart se nuk e kam problem peshën momentale. Atje do të iki për pikë të qejfit.
– Je i vetmi personazh i njohur që të gjitha i bën publike. Ke lënë gjë pa publikuar?
– Nuk besoj se kam diçka të padeklaruar, jam kjo që jam, siç më shihni, më njihni dhe më keni parë.
– Kur dhe si do ta kuptojmë ne që ti je vërtet e dashuruar?
– Kur të vijë koha e duhur do jem unë ajo që do të tregoj të vërtetën, jo përmes lajmeve, por me vepra sepse lidhja e vërtetë kërkon sakrificë në jetë e jo vetëm fjalë.
– Sa herë të kanë dashuruar dhe martuar gazetat dhe gazetarët?
– Shumë herë, madje jam lodhur nga këto gjëra dhe nuk ua vë veshin fare.
– Të flasim pak shqeto, hapur… Kur them Tirana, çfarë të vjen ndërmend?
– Hëm, më bie ndërmend shoqëria ime, ambientet e bukura, relaksi, gjallëri, thjesht e ndien veten shqiptare.
– Po kur them Prishtina?
– Njësoj, nuk bëj dot dallime.
– Sa ka qenë numri i saktë i lidhjeve që ke pasur?
– Të themi se akoma asnjë, nuk do besonit? (Qesh)
– Dy fjalë për Rita Orën…
– Thjesht e mrekullueshme, e mahnitshme. Çdo fjalë tjetër është e tepërt.
– Hera e fundit që ke marrë diçka fshehurazi se të ka pëlqyer?
– Nuk bëj ashtu gjërash unë!
– Me kë fle Big mama?
– Vetëm.
– Fle me rroba apo pa rroba?
– Me pizhama.
– Të ka zënë ndonjëherë gjumi me telefon në dorë?
– Shpeshherë.
– Ftesën për darkë të kujt personazhi publik, do ta refuzoje?
– Nuk e di, nuk më ka ndodhur të më ftojë dikush i panjohur!
– Ftesën e kujt, do ta pranoje pa u menduar?
– Ndonjë miku apo mikeshe, pa përmendur emra, se janë shumë.
– Cila do të ishte çmenduria më e madhe që do të bëje në publik?
– Unë, të gjitha i kam bërë publike.
– Sikur të kërkonte një femër të të puthte, si do të reagoje?
– Ku, në faqe?! Nuk do reagoja fare, do ta puthja. (Qesh)
– Nëse një këngëtare zhvishet 90% në klipin e saj të fundit, çfarë ngelet për klipin tjetër?
– Të gjejë edhe një mashkull dhe të ketë marrëdhënie me të në klipin e radhës. (Qesh)
Gasso: Big Mama është ndryshe nga të gjitha!
– Ç’kemi Gasso? Ku gjendesh dhe me çfarë po merresh në këto momente?
– Përshëndetje! Për momentin gjendem në Zvicër. Po punoj për projektet e radhës.
– Është hera e parë që flet për gazetën, ndaj na trego diçka për veten…
– Unë jam Gasso, vij nga Gjilani, jetoj në Zvicër, jam 26 vjeç. Bashkëpunimi me Big Mamën është projekti i parë të cilin e kam sjellë para publikut, por së shpejti do vij edhe me projekte të reja të cilat shpresoj të pëlqehen po aq sa edhe kënga me Bigun.
– Pse Gasso?
– Ah, më ka mbet si shkurtim i emrit tim Gazmend. Qëkur kam qenë i vogël, disa më kanë thirr Gazi, disa Gasso dhe më mbeti kështu.
– Ti jeton në Zvicër, por karrierën do ta realizosh në atdhe. Pse?
– Po, sigurisht, malli për atdheun bën të vetën. Unë dua dhe do jem gjithkund në botë ku ka shqiptarë, por duhet nisur nga vendlindja, apo jo, si mendoni ju?!
– Pse zgjodhe piërisht Big Mamën për t’u prezantuar për publikun?
– Sepse është një ndër këngëtaret më të suksesshme në skenën shqiptare, ka stil të veçantë dhe e çmoj shumë. Me një fjalë, është ndryshe nga të gjitha.
– Të kanë lidhur paksa me Bigun mediat… Apo ke qenë i lidhur me të vërtetë?
– Jo, me Bigun në fillim kemi qenë vetëm bashkëpunëtorë, por tani më është bërë si pjesë e familjes, e dua si motër, konsultohem për gjithçka me të, si për karrierë, si për gjithçka. Të tjerat janë vetëm trillime të disa portaleve me të cilat as nuk jam lodhur të merrem.
– Sa e bukur mund të jetë jeta e një reperi si ti? Sa e vështirë, nga ana tjetër?
– E vështirë nuk është edhe aq, vetëm se jeta private ka humbur, ndërsa të mira ka shumë, duke filluar që nga vlerësimet e publikut që janë shumë të rëndësishme për mua.
– Mes reperave më të mirë shqiptarë, emrat e Getoar Selimit dhe Unikkatilit janë më të përmendurit. Po ti, kush mendon se është reperi më i mirë që kemi?
Jo, ka edhe më të mirë. Secili bën llojin e muzikës së vet, po unë preferoj më shumë D.u.d.a-n.
– Kur ke qenë adoleshent, ka qenë ëndrra jote të jesh këtu ku je sot?
– Po, si çdo adoleshent edhe unë kam pasur ëndrrat e mia, të cilat kam shpresuar që do t’i realizoj dhe muzika është njëra ndër to.
– “Bone n’club” është kënga që do të mbahet mend si ajo që të prezantoi në publik?
– Po, është kënga ime e parë që e kam sjellë para publikut dhe besoj që do të mbahet mend ashtu.
– Na trego ndonjë ngjarje interesante, meqë je në fillimet e tua?
– Të them të drejtën, karrierën e kam filluar me këmbë të mbarë, publiku më ka pritur shumë mirë dhe shfrytëzoj rastin ta përshëndes. Nuk ka pasur ndonjë ngjarje të veçantë, të cilën ia vlen ta përmend.
– Cili do të jetë bashkëpunimi i radhës, apo do vish vetëm këtë herë?
– Në fillim të korrikut, do vij përsëri me këngë të re. Është e vërtetë që do jetë përsëri duet, por emrin nuk e zbuloj dot. Ja, erdhi korriku dhe do ta shikoni vetë kush është.
– Çfarë do na thuash për mbyllje?
– Së pari, ju faleminderit për hapësirën që ma keni dhënë të prezantohem para lexuesve të gazetës suaj. Ju përshëndes dhe shihemi në projektet e ardhshme. Faleminderit.