– Jam një emigrant i rikthyer në Shqipëri prej 2 vitesh, i datëlindjes 05.07.1950. Kam punuar në Itali dhe kam paguar sigurimet shoqërore pranë INPS. Kam gjithsej 9 vite me kontribute të derdhura. Në Shqipëri kam 20 vite kontributive dhe këtë vit plotësoj moshën e pensionit. Dua të di, a përfitoj ndonjë pension sipas legjislacionit italian? A mund të bashkohen vitet në Shqipëri me ato në Itali?
Naim Balluku, Zv. President, përfaqësues i degës INAS për Shqipërinë: – I nderuar letërshkrues, përsa më shkruani në letrën tuaj, ju sqaroj: Së pari, bashkimi i periudhave kontributive nuk është i mundur, sepse ende nuk ka një marrëveshje dypalëshe ndërmjet shtetit shqiptar dhe atij italian për njohjen reciproke dhe bashkimin e periudhave kontributive. Ashtu sikurse shkruani, ju e plotësoni moshën për pension në Shqipëri më datë 05.07.2015, ku do përfitoni një pension proporcionalisht me vjetërsinë që keni dhe bazën e vlerësuar. Përsa i përket pensionit në Itali, duhen plotësuar disa kushte që po jua sqarojmë më poshtë:
– Punonjësit e siguruar deri në datën 31.12.1995, kanë të drejtën e daljes në pension në qoftë se mund të plotësojnë të paktën 20 vjet kontribute (1040 kontributet javore) dhe punonjësit e siguruar pas datës 31.12.1995, kanë të drejtën e daljes në pension në qoftë se ata mund të kenë jo më pak se 5 vjet kontribute (260 javë) dhe e përfitojnë pensionin në moshën 70 vjeç; Por në rast se ju jeni regjistruar pranë INPS dhe keni paguar kontribute mbas datës 01.01.1996 me sistemin kontributiv, në rast se merrni statusin e të riatdhesuarit, përfitoni pension me moshat zyrtare të daljes në pension në Itali, pa qenë domosdoshmëria e plotësimit të moshës 70 vjeç, me jo më pak se 5 vite kontributive. Aktualisht, mosha e daljes në pension për burrat është 66 vite e 3 muaj.
Para hyrjes në fuqi të Ligjit Bossi-Fini (Ligj 189/2002), punonjësit e vendeve joanëtarë të BE-së, me riatdhesimin e tyre (nëse do të ishin me dokumentacion të rregullt) përfundimtar para datës 10 shtator 2002 – pavarësisht mungesës së marrëveshjeve reciproke ndërmjet Italisë dhe vendit të tyre, kishin të drejtën për të marrë një rimbursim të kontributeve të paguara deri në atë kohë (Ligji 335/1995 neni 3, paragrafi 13). Në këtë mënyrë para hyrjes në fuqi të ligjit Bossi – Fini, emigrantëve shqiptarë të riatdhesuar dhe të gjithë ekstrakomunitarëve që kishin punuar në Itali me dokumentacion të rregullt, u kthehej e gjithë shuma e kontributeve ne kesh, duke shlyer në këtë mënyrë detyrimin e shtetit italian kundrejt këtyre personave. Me miratimin dhe hyrjen në fuqi të Ligjit Bossi-Fini, ndryshoi edhe trajtimi i emigrantëve të riatdhesuar, tani jo më me kthimin e shumës së kontributeve të paguara, por në disa favore për përfitimin e pensioneve të pleqërisë dhe familjare.
– Në rast riatdhesimi përfundimtar, punonjësi ekstrakomunitar me kontratë të ndryshme nga ajo sezonale, gëzon të drejtën për përfitimin nga sigurimet shoqërore, të maturuar në Itali dhe përfiton të tilla të drejta, edhe kur nuk ekziston një marrëveshje reciproke me vendin e origjinës (bazuar në Ligjin Bossi–Fini, 18 paragrafi 13 i Ligjit 30 korrik 2002). Dokumentacioni i kërkuar për të marrë statusin e të riatdhesuarit është ky:
– vërtetim nga njësia vendore e pushtetit lokal të zonës, që të përmbajë datën e saktë të hyrjes përfundimtare në atdhe si dhe adresën e tij aktuale.
– fotokopje të pasaportës, duke përfshirë edhe faqen ku ndodhet vula e fundit e kthimit në Shqipëri.
– vërtetim nga organet kompetente (drejtoritë e tatimeve) në atdhe, që kanë ndërprerë aktivitetin e punës. Këto dokumente duhet të përkthehen nga përkthyes të miratuar nga Ambasada Italiane në Tiranë, lista e së cilës ndodhet ne Webin e ambasadës dhe duhen miratuar nga kjo ambasadë.
– dokumenti i çregjistrimit nga komuna ku emigranti ka qenë banues në Itali. Mbas përgatitjes së këtyre dokumenteve, personat e interesuar duhet të marrin një takim në ambasadë, për të paraqitur këta dokumente dhe për të marrë statusin e të riatdhesuarit.
– Për pensionet e pleqërisë për të riatdhesuarit kushtet janë: Për përfitimin e pensioneve të pleqërisë, duhet të dallojmë dy raste, sipas së cilëve, pensioni llogaritet me sistemin kontributiv, apo me sistemin retributiv (me pagat).
- Në rastin e parë, punonjësit ekstrakomunitarë, të punësuar mbas 1 janarit 1996, mund të përfshihen për pension pleqërie në rast riatdhesimi, të llogaritura me sistemin kontributiv, me plotësimin e 66 viteve e 3 muaj (është bërë shtesa me koefiçientin e jetëgjatësisë), edhe nëse nuk kanë plotësuar kërkesat e parashikuara, pra, edhe nëse nuk kanë plotësuar 20 vite kontribute.
- Në rastin e dytë, punonjësit ekstrakomunitarë të punësuar para periudhës 01.01.1996, mund të përfshihen, në rast riatdhesimi, në pension pleqërie, të llogaritur me sistemin retributiv, ose të përbërë, vetëm kur plotësojnë 66 vjeç e 3 muaj (është bërë shtesa me koeficientin e jetëgjatësisë) si për burrat, ashtu edhe për gratë dhe vetëm kur plotësojnë jo më pak se 20 vite kontribute. Të interesuarit duhet të dorëzojnë aplikimin përmes kanaleve të mëposhtme:
Web: www.inps.it servizi On-line – Servizi per il cittadino.
Telefon – duke kërkuar Qendrën e Kontaktit të integruar në numrin 803164 falas, ose nga një numër celular në 06.164.164. Kjo qendër është e autorizuar për të marrë pretendimet për përfitime dhe shërbime dhe për të përmbushur nevojat e atyre që nuk kanë aftësitë e nevojshme apo mundësi për ndërveprim me INPS nëpërmjet kompjuterit;
– Duhet të dini që institucionet dhe ndërmjetësuesit e autorizuar, siç janë patronatet, ofrojnë për qytetarët shërbimet e nevojshme telematike, falas. Për modularin që duhet plotësuar, klikoni këtë link:
– Patronati INAS CISL Albania ju ndihmon për të gjitha procedurat e kërkuara dhe të gjitha shërbimet që ne ofrojmë, janë pa asnjë pagesë. Ju falënderoj për besimin.