Përshëndetje, e nderuar redaksi e gazetës “Intervista”! Dua të tregoj historinë time, e cila megjithëse fillon shumë e trishtuar, mendoj se fundin e ka të bukur, të paktën deri tani.
Kam lindur në një qytezë të vogël, por në një familje të madhe. Gjyshërit ishin në pension dhe kanë jetuar në një shtëpi me ne, kështu që na kanë rritur ne të pestë fëmijët. Babai im punonte në zdrukthtari e mamaja në fermë, por siç ka qenë ajo kohë që duhej të ishin nursëzë edhe në shtëpi, mamaja na puthte e përkëdhelte, ndërsa babain s’e mbaj mend të na puthë, por as të na bërtasë. Gjyshi pastaj na llastonte gjithë kohën. Kujtime të bukura ato të fëmijërisë! Ashtu u rritëm e u martuan vëllai e dy motrat e mëdha. Unë isha fëmija i katërt. Mbarova shkollën e mesme dhe më ra rasti të punoja në fermë për 5 vjet. Pastaj ndryshoi sistemi dhe mbeta e papunë si fillim. Me ndryshimin e gjërave, familja vendosi që unë të shkoja në një kurs për rrobaqepëse se mendohej që do të kishte punë dhe ishte një mundësi e mirë për të dalë nga shtëpia.
Me kursin më eci mirë, ia mora dorën shumë mirë punës. Hapa një rrobaqepësi në lagjen time dhe kisha goxha punë. Kaloja kohën, fitoja goxha me punën, por edhe takohesha me njerëz, por vitet po ecnin e nuk po më dilte fati. Prindërit e mi mezi prisnin që një ditë të shkoja e t’u thoja se më pëlqente ndokush, ndërkohë që unë as kisha të dashur (atje ku jetoja unë s’bëhej fjalë). E thënë më shkoqur, prisnin se mos ndërhynte ndonjë nga ata të lagjes sepse më njihnin si vajzë të urtë e punëtore. Edhe nga pamja isha goxha mirë, por fati vjen kur do vetë. U martua edhe vëllai im që ishte më i vogli, ndërkohë që unë isha beqare.
Meqenëse u bëmë shumë në shtëpi vendosën që gjyshërit, prindërit e mi dhe unë të jetonim në shtëpinë e vjetër, ndërsa vëllai i tretë që u martua të dilte në shtëpinë e re që po ndërtohej. Hë për hë kishin një dhomë, aneks e një banjo.
– Biri im, nuk është se nuk të dua, – i tha babai, – por ju duhet t’i vini shpatullat punës. Jeni të dy të rinj dhe me kohën që ka ardhur tani ne nuk do të rrojmë si kope.
Për dhjetë vite rresht i kam ndihmuar sepse edhe nusen e doja po aq shumë sa vëllain tim. Ishte shumë e mirë. Vëllai tjetër ishte jashtë Shqipërisë e nuk kishte nevojë për ndihmën time. Kështu vitet kalonin, mua po ikte freskia e moshës, ndërkohë që edhe ato dy-tri kërkesa që pata i kundërshtova vetë se nuk më pëlqyen. Kështu, po bëhesha dyzet vjeçe beqare.
– Vetë e ke fajin, – më thoshte shpesh mamaja ime, – bishtin përpjetë. Nuk je Helena e Trojës ti që kërkon Akilin a Paridin si e kishte ai, që u martua me të.
Një ditë të bukur komshija që kisha afër më erdhi në punë e po rrinte jo si gjithmonë.
– Ç’ke Lumi? – i thashë. – Nuk po më dukesh rehat.
–Desha të të bëj një muhabet, por të lutem mos ma merr për ters…
E kuptova që ndonjë shkuesi do bënte, por nga mënyra si ma tha, mendova se do të ishte ndonjë me ndonjë të metë të madhe.
– Po fol, ç’është kjo gjë me rëndësi që të vë kaq në siklet?
– E ke parasysh djalin e hallës time, – më tha, – atë bjondin që vinte dikur tek unë?
– Me thënë të drejtën s’më kujtohet, – i thashë.
– Epo, ai që e ka patur shtëpinë në lagjen tjetër, te rrugica e Mondës.
– U po, tani më kujtohet si nëpër tym, – i thashë, – Uuu, ai që ka patur atë gruan e bukur që ti thoshe se është fisnike?
– Po taman ai. Epo, atëherë do më dëgjosh gjatë të të tregoj për të. Ti e mban mend kur ishte goxha më i ri ai, para pesëmbëdhjetë vitesh? Ishte i ri, i bukur, elegant… Kur ai shiti shtëpinë këtu, iku në Tiranë afër prindërve të tij. Vetë punonte me hope dhe Zoti i dhuroi tri vajza, njëra më e bukur se tjetra. Pasi shkuan në Tiranë, e shoqja shiste me një tendë të vogël para derës së shtëpisë për t’i shtuar sadopak rrogës së burrit të saj dhe filluan të rregulloheshin goxha mirë, por shtëpia që blenë nuk ishte ndonjë gjë e hajrit. Ishte sa për të mos qenë jashtë që të mos i lagte shiu e të mos i rrihte era e dielli. Ti e ke parasysh gruan e tij, sa sedërlije ka qenë! I futi vetes një stres të paparë që jetonte në atë shtëpi dhe, sa herë shkonim, na thoshte: “Ju faleminderit që ma gjetët kasollen time”. Nga stresi e turpi së bashku, erdhi duke u mbyllur në vetvete e filloi të shuhej në këmbë. Kushëriri im i thoshte të shkonte të vizitohej dhe vetëm kur ai i vuri shamatën, atëherë u bind, por kur u vizitua, morëm vesh gjëmën, se ajo ishte me kancer në gji. Ishte shumë e re, tridhjetë e tetë vjeçe kur u diagnostikua dhe vdiq pas pothuajse dy vitesh, një ditë para se të mbushte dyzet vjeçe. Na ka dhembur shpirti për të sa nuk gjej fjalë të them, po tashmë kushëriri im ka dy vjet që jeton me tri vajzat e për të qenë e sinqertë, ka menduar të martohet. Ai është pesëdhjetë vjeç. Vajza e madhe vjet ka mbaruar gjimnazin, e dyta e mbaron sivjet, ndërsa e vogla është në klasën e gjashtë. Të them të drejtën, duhet ta kesh kuptuar pse po ta bëj këtë muhabet. Them të të prezantoj një herë me të…
– Epo, nuk di ç’të të them. Ai paska tre fëmijë dhe dihet që është shumë e vështirë. Vajzat do më shohin si njerkë shtrigë. Pastaj, ti e di që nuk dua të marr burrë të martuar…
– E di si është puna? Ai nuk është i divorcuar, që ti të dyshosh tek ai, por i ka ndodhur një fatkeqësi. Aq më tepër që ti ke shoqe nga lagjja tjetër dhe mund të pyesësh për të. E vetmja këshillë që do të të jap nëse pranon, është që t’i rrish sa më larg hallës time. Është plakë e tmerrshme. Atë të shkretën edhe në grykë të varrit e torturoi me budallallëqet e saj.
– Ta mendoj, – i thashë.
Të nesërmen pasdite, Lida më dërgoi djalin e saj të vogël: – Mami më tha hajde pak se dua të të tregoj diçka, – më tha djali e vazhdoi lojën me fëmijët e tjerë. Shkova të shihja e të dëgjoja se ç’do më thoshte, po nuk e dija se deri ku e kishte çuar ajo muhabetin.
Sapo hyra brenda, pashë kushëririn e saj në divan, ndërsa pinte kafe. Në anën tjetër ishte kafja ime që nxirrte avull (ma merr mendja se edhe unë ashtu fillova të nxjerr avull menjëherë), si dhe Lida, në anën e kushëririt të saj.
– Ky është kushëriri që të fola dje, – tha ajo. I dhashë dorën dhe u ula.
– Ky duhet të jetë filxhani im, – i thashë, ndërkohë që në kuzhinë hyri edhe burri i Lidës. Ai më dha dorën, më pyeti për familjen dhe ndërruan vendet me Lidën. Ajo erdhi nga ana ime. Për pesë minuta biseda u gjallërua nga ata të tre e më përfshinë edhe mua. Gjithçka rrodhi lirshëm. E pashë që kisha ndenjur një orë e një çerek pa e kuptuar se si kaloi koha. U ngrita kur e pashë sa kisha ndenjur, jo vetëm se kisha shumë punë. Mendova se zotëria që më prezantuan do mendonte se po vdisja për të qysh aty.
Të nesërmen, Lida më erdhi prapë në punë e më kërkonte miratimin tim, sepse kushëriri e kishte thënë “po”-në e tij. Ai i kishte thënë: “Më kujtohet, tani që e pashë si fytyrë. E mbaj mend kur kam banuar në lagjen tjetër dhe e mbaj mend për vajzë të mirë, kështu që unë jam dakord. Pyet edhe atë nëse është dakord. Por kam një problem. Dua ta prezantoj me vajzat më parë e nëse vajzat e mia do të thonë “jo”, atëherë edhe unë do të them “jo”. Nuk mund të marr dikë që të paktën si fytyrë nuk e pëlqejnë vajzat”, i kishte thënë. Më shokoi kjo fjalia e tij e fundit. Një burrë që mendon më shumë për vajzat e tij! Zakonisht, njerëzit thonë se burrat shohin vetëm të marrin nusen në krevat e fëmijët jetimë i rrit Zoti, por ai jo. Kjo më bëri të mendoj që ishte njeri me zemër, jo thjesht një baba i mirë. Një baba i mirë kujdeset për to që t’i rrisë me dashurinë e tij, t’u plotësojë kërkesat ekonomike, t’i shkollojë e edukojë, por vetëm një njeri me zemër të çiltër, mendon që edhe vajzat duhet ta “zgjedhin” njerkën.
Kështu, pranova të takohesha me të katërt. Pas disa ditësh, shkova në Tiranë për furnizim dhe e lamë që do të takoheshim atje. Më prisnin të katërt kur zbrita nga furgoni, se unë nuk dija të sillesha nëpër Tiranë. I vetmi vend që dija ishte tregu ku kisha punë. Vajzat ishin si tre engjëj. E dyta ishte e bukur si e ëma. Dy të tjerat ishin një përzierje e këndshme mes të atit dhe së ëmës.
– Në cilën kafe të pëlqen të ulemi, – më tha ai, ndërkohë që po u jepja dorën vajzave. E bënte gjithçka të dukej kaq natyrshëm, sa m’u duk sikur e njihja prej kohësh, jo sikur ishte hera e dytë që po e takoja.
– Këtu jemi në Tiranë, e unë nuk di të zgjedh, kështu që mund të ulemi ku të keni dëshirë ju.
E vogla ndërhyri, si më e shkathëta dhe më e llastuara e të atit: – Di unë një kafe këtu mbrapa. Jam ulur me dajën dhe më duket vend i bukur.
Vajza na priu dhe me të vërtetë ishte një oaz i vogël me lule dhe i qetë. Të gjithëve na ngjiti me njëri-tjetrin dhe mbaj mend që më dhimbnin edhe faqet nga të qeshurat. E kështu, meqë të pestë ishim dakord, unë u martova pas një muaji. Nuk bëmë dasëm, nuk ftuam askënd. Me burrin dhe me vajzat shkuam për darkë në një restorant që e kishin zgjedhur vajzat. Shkuam edhe tre ditë në plazh në Durrës te shtëpia e kunatit. I mbaj mend si ditë shumë të bukura fillimet e martesës sime, edhe pse e vonë. Vjehrra vazhdimisht kërkonte të vinte të jetonte me ne, por im shoq i thoshte se ne ishim shumë njerëz dhe nuk kishte vend për të. Unë e kuptoja se ai e shmangte dhe vazhdimisht më kujtohej ajo që më tha Lumi, se mamaja e tij ishte shumë e keqe. Ajo jetonte me djalin tjetër aty, afër nesh… Dy vajzat e mëdha, sapo mbaruan shkollën e mesme, u martuan dhe në shtëpi ishim me vajzën e vogël. Pas gjashtë muajsh, unë mbeta shtatzënë. Ishte një mrekulli se unë isha dyzet e një vjeçe, ndaj në fillim nuk i thamë askujt. Të dy burrë e grua i trembeshim reagimit të vajzave, por ishte gjë që duhej thënë. Kur isha dymbëdhjetë javëshe dhe bëmë ekon, im shoq vendosi t’i thoshte vajzës që kishim në shtëpi, më të voglës. Kur i treguam, ajo shpërtheu si një vullkan i vërtetë dhe ky vullkan vazhdoi derisa djali u bë një vjeç. Gjatë gjithë shtatzanisë dhe sa djali ishte i vogël, unë kam ndenjur e mbyllur në dhomën e gjumit. Vajza thoshte që kuzhina i përkiste asaj dhe se ne nuk duhej të kalonim fare andej. Im shoq vendosi ta respektonte këtë dëshirë të vajzës se ishte i sigurt që ajo do të ndryshonte. Në gjithë këtë zallamahi, kunati im ai që kishte shtëpinë në Durrës dhe që ishte mirë ekonomikisht, erdhi dhe i bëri një propozim vajzës. I tha që do bënte ndërhyrje në shtëpinë tonë, do të bënte aneksin dhe ballkonin bashkë e do të sajonte një shtëpi garsonierë, që ajo të rrinte më vete.
– Nga ana financiare, të përgjigjem unë, derisa të mbarosh shkollën e lartë. Edhe punimet i bëj unë, edhe për ta mobiluar zgjidh ç’të duash ti e t’i blej unë. Të lutem vetëm të mos bëhemi gazi i botës. Çdo femër lind që të bëhet nënë! – tha më në fund.
– Epo atëherë të vazhdojë të bëhet nënë, – tha ajo. – Të premtoj që nuk do të bëj më sherr. Nuk do të flas, por as nuk dua të më flasin.
Dhe kështu vazhduam për një vit të tërë. Më ishte mërzitur jeta të jetoja si e burgosur në dhomën e gjumit. Një ditë, vajza më thirri në kuzhinë dhe më tha:
– E di pse nuk pranova që të më bëhej dhoma ime?
– Jo, – i thashë.
– Sepse nëse martohem unë, në këtë dhomë që do të sajohet, do të kërkojë të vijë gjyshja. Ajo ia ka nxirë jetën mamasë sime deri ditën që vdiq dhe unë nuk dua që kjo të ndodhë edhe me ty, – tha dhe i rrodhën lotët çurgë.
Iu afrova dhe i kapa dorën. Në atë çast, m’u afrua dhe pyeti: – A mund të të përqafoj?
– Sigurisht, – i thashë, dhe e mbajta ashtu në gji nuk e di për sa kohë. Na ndau vetëm diçka që na guduliste në këmbë. Im bir kishte ardhur këmbadoras se ishte mërzitur vetëm me lodrat. Nuk e kisha dëgjuar të qante, po vetëm e pashë që më tërhiqte nga tutat që ta merrja. Vajza u shkëput nga unë dhe e mori të vëllain në krahë.
– Më fal, yll i vogël. Ti je aq i pafajshëm sa edhe unë. Ti do mamanë tënde dhe ja ku e ke, unë dua mamanë time, më ka marrë malli po s’kam ku e gjej. Po ne të dy do t’ia kalojmë mirë.
Që nga ajo ditë, familja jonë mori emrin e vërtetë familje. Fëmijët rrinë bashkë, edhe vajzat e martuara e duan djalin dhe vijnë shpesh ta takojnë. Jam e lumtur që kam jo vetëm djalin, por edhe vajzat, jam e lumtur që janë të zgjuara dhe gjykojnë sikur të jenë të rritura. Nuk di si do t’ia shpërblej vajzës së vogël… Megjithëse e zemëruar në njëfarë mënyre me të drejtë me mua, vendosi të mos mendonte për rehatinë e saj, por për timen. Edhe sikur nënë të më kishte, ndoshta nuk do të mendonte aq shumë për mua. E dua shumë dhe falënderoj Zotin që më bëri pjesë të një familjeje të tillë, kaq të bukur!
Advertisement