– Përshëndetje i nderuar psikolog! Jam Albani 39 vjeç. Gruaja ime është 36 vjeçe. Për një fjalë që më thotë gruaja, unë acarohem dhe nuk e duroj dot, madje më fillon një si dhembje prapa kokës. Më pas fillon zënka. Duhet të them se gruaja është pak e ashpër dhe kërkon perfeksion në pastërti, do që çdo send të jetë në vendin e vet, etj. Çfarë duhet të bëj që të mos stresohem kaq shumë prej saj? Çfarë po ndodh me mua, ju lutem?
Dr. Jashar Demiri, psikolog klinicist: – Le ta fillojmë përgjigjen me pak humor, i nderuar lexues. Letrën tënde e lexoi edhe ime shoqe dhe më tha fjalë për fjalë: “Lum si ai për atë grua që paska!”. U përpoqa t’ia shpjegoj gruas sime jo si burrë në mbrojtje të burrave, por si psikolog, se të njëjtat gjëra, të përsëritura apo gjithmonë njëlloj, krijojnë atë që quhet lodhje ose akumulim ngacmuesish si rezultat i stërpërsëritjes. Qoftë edhe një kasetë e bukur, imagjinoni sikur ta dëgjonim shumë herë, çdo ditë pa pushim… Do të vinte një moment që edhe meloditë e saj të bukura do të na bezdisnin e më tej edhe do të na acaronin. Imagjino pastaj zëri nervoz i gruas së këtij letërshkruesi, që kërkon në shtëpi perfeksion me rregullin e pastërtive! Imagjino sa e acaron ajo burrin e shkretë, i cili mund të vijë i lodhur e i stresuar e që vetë ai ka ndoshta nevojë që të “shkarkohet” në shtëpi. Gruaja e tij mund të jetë shumë e zonja, punëtore, pastërtore e “madhe”, por nga ana tjetër, ajo mund të jetë “tepër” dhe çdo gjë e tepërt, deri edhe e mira e tepërt, kthehet në obsesion e në të keqen e së mirës. Kjo grua mund të jetë edhe pak psikovampire pedante e me ato rregullat e saj strikte krijon bezdi e parehati në shtëpi. Edhe populli thotë “mos i bjer lodrës vetëm në një vend, se griset”. Llojet e psikovampirëve janë të shumtë, deri edhe psikovampiri i sjellshëm tepër konformist. Kjo grua, mbase më shumë sesa rregullin, ka atë “maninë” që të tjerët të rrinë “sus” para saj.
Por, ka edhe një rast tjetër… nëse testimi psikologjik do ta nxjerrë me OLD (çrregullime obsesive kompulsive), ajo duhet ndihmuar dhe mëshiruar për vuajtjet e saj. Ç’do të thotë të jesh me OLD, në rastin e saj? Do të thotë se mungesa e pastërtisë dhe të rregullit i shkaktojnë ankth e vuajtje dhe rregullin ajo e kërkon jo aq si një nevojë të shtëpisë, sesa si një nevojë të sajën për të zbutur ankthin.
Po të jetë kështu, ajo duhet të trajtohet me psikolog deri 13-15 seanca dhe burrit do t’i bëja “thirrje” që ta durojë atë si një “fajtore e pafaj” derisa të shërohet me psikoterapi dhe me ilaçe, mundësisht bimore. Ime shoqe, për të gjitha këto që i thashë më dëgjoi me vemendje, por me sa duket, nuk më kuptoi plotësisht dhe shtoi: “Po, imagjino njëherë, kur unë sapo kisha larë shtëpinë e ti u fute me nxitim, nuk më dhe as përgjigje dhe pa i hequr këpucet u fute për të gjetur një letër e rrokullise një komodinë të tërë. Si të mos nxehesha unë?!”. Qesha dhe m’u kujtua edhe mua ky moment, kur dikujt po i ikte avioni e unë duhej t’i jepja me urgjencë një dokument që i duhej dhe nuk po e gjeja, pasi e kisha fshehur për ta ruajtur.
Në fakt, kisha mundësinë që edhe pse me nxitim, t’ia thoja një “më fal”, por nuk e thashë! E ktheva me humor situatën, duke i treguar për një mikun tim të zgjuar nga malësia, i cili ka një grua të sertë dhe thotë: “Ku të vete unë i ziu? Shkoj në mal, më ha arusha, shkoj në shtëpi, më mbyt Prenusha”. Gruaja qeshi dhe u ndje më mirë.
Tani desha të flas pak me ty Alban, se ti me të drejtë më pyet në letër çka po ndodh me ty. Së pari, dua të them se edhe ti je tip i mbindjeshëm, sepse kështu je gatuar, ndaj edhe stresin, ankthin që të shkaktojnë ngacmuesit e jashtëm, i përjeton me dhimbje koke. Kjo është mënyra se si reagon organizmi yt ndaj një stresi ose “ngacmuesi” i cili në këtë rast është bërë kronik e gati “konstant”. Në të tilla raste, dikush skuqet, dikush zverdhet, dikujt i lëviz tensioni, kurse ty të dhemb koka. Ti duhet të vish për të bërë ca seanca me psikoterapi për dy qëllime: Së pari, që të bëhesh paksa “i pandjeshëm” dhe të durosh pa u shqetësuar këto veti negative të gruas, pasi ajo mund t’i “kompensojë” ato me shumë cilësi të tjera pozitive e ndoshta të rralla. Siç thuhet, çdo mal, ka borën e vet mbi supe. Fjala vjen, dikush e ka gruan xheloze, dikush e ka nevrike, dikush dorëshpuar e dikush tjetër mund të ketë “antipodin” e kësaj tëndes, që nuk durohet me heshtjen e saj apo më keq, që i rri ora 12.00 edhe pse në shtëpi nuk ka rregull, pastërti, gatim, etj.
Ti, ndoshta edhe me ndihmën time, duhet t’ia shpjegosh gruas se ky lloj “reagimi” i saj po të bëhet si një “sistem alarmi”, aq sa të kap frika të vish në shtëpi se nuk durohet as ajo e as dhimbja e kokës, se ti nuk di se si ta nxjerrësh inatin, por e grumbullon nga brenda dhe të gjitha këto po të mbingarkojnë e po të krijohet mbistres. Kjo lloj “kocke” e patretur në stomak do pak “acid psikologjik” që të mos na kthehet në “kancer psikologjik”.
Ndoshta unë e teprova pak me këta terma, por dua që përgjigjen time ta lexojë edhe gruaja jote sepse ajo nuk e di se i shoqi i saj, Albani, tani rri si mbi gjemba, si në “përgjim”, pasi edhe kur gruaja është në rregull dhe e qetë, ajo do ta gjejë diçka për t’u shqetësuar për të na shqetësuar, se edhe asaj i është bërë si zakon. E mira do të ishte që ju të vinit të dy për një seancë që quhet psikoterapi çifti, pasi çdo çift, ka gjithmonë çfarë të rregullojë për të qenë mirë e më mirë. Nëse vini, zonjës suaj do t’i dhuroj një libër me titull “Sekrete për meshkujt që duhet t’i dijë çdo femër”, të cilin jo pa qëllim e kam përkthyer. Numrin dhe adresën time i gjeni si gjithmonë te gazeta “Intervista”.
Advertisement