Klejvisi ju shoqëron çdo mëngjes në emisionin “One morning”, por ne e kemi shkëputur paksa nga puna për të realizuar me të këtë bisedë kaq të këndshme ku Klejvisi na tregon shumë edhe për jetën e tij personale. Ndër të tjera, lexoni edhe një histori mjaft të bukur dashurie, njohjen me të fejuarën, Anjezën… tema e kësaj bisede!
Mia B: – Klejvis, cili ishte mendimi i parë me të cilin u zgjove sot?
Klejvis Saliaj: – “Jeta ime, Anjeza, po fle akoma. Kujdes mos ta zgjosh”. (Buzëqesh)
– Mëngjeset e tua tashmë mbajnë një emër: “One morning”. Cilat janë veprimet rutinë që bën para dhe pas emisionit?
– Konsumoj mëngjesin në zyrë sepse është e pamundur ta bëj në shtëpi. Po në zyrë, pi edhe kafen e parë e të vetme të ditës. Ndërkohë, jam në telefon duke folur me bashkëpunëtorët e mi, nëse gjithçka është gati për transmetim. Zbres në grim dhe bëhem gati, ndërkohë që kryeredaktoja e emisionit më raporton nëse jemi gati apo jo. Pas emisionit ka gjithmonë një minibisedë me të ftuarit dhe me vrap në zyrë me bashkëpunëtorët, për mbledhjen e ditës, në të cilën vendosim ç’do të ndodhë për ditën pasuese.
– Si janë mëngjeset e tua pa “One morning”?
– Janë mëngjese të vona, me diellin (kur ka), të cilin arrij ta pres në krevat, me ushqim të freskët dhe jo të bërë një ditë më parë, të cilin e konsumoj ndryshe nga ditët e punës, me Anjezën.
– U bë kohë që je pjesë e televizionit. Çfarë ke fituar duke qenë pjesë e tij?
– Profesionalizimin dhe sigurinë për të punuar në media, guximin dhe zhdukjen e ndrojtjes. Kam fituar vendosmërinë dhe përforcuar, aftësinë drejtuese.
– Deshëm s’deshëm, këtë intervistë e nisëm me të fejuarën tënde, Anjezën… Për ata që ende nuk e dinë, si jeni njohur ju të dy?
– Jemi njohur në një nga baret e Tiranës, rastësisht, pas një mbrëmjeje super të lodhshme për mua. Shkova të pija një gotë me disa miq të mitë, ndërkohë që Anjeza ishte aty me disa mikesha të vetat. Atë natë asnjë gjë nuk ka ndodhur veç shikimeve, për t’ua lënë vendin takimeve të mëvonshme dhe një bisede të gjatë deri në orët e para të mëngjesit të 31 dhjetorit të katër viteve më parë. Më pas jemi takuar në vazhdimësi, derisa arrita ta bëja Anjezën të më thoshte “po”. Nuk ka qenë absolutisht e lehtë deri atëherë. (Buzëqesh)
– Ju të dy jeni tipa të ndryshëm apo të ngjashëm?
– Jemi shumë, po shumë të ndryshëm, katërcipërisht ndryshe nga njëri-tjetri. Anjeza është paksa më e përmbajtur, unë jam më ekspresiv. Anjeza është më e tërhequr përballë situatave, unë jam gjithmonë përballë tyre. (Buzëqesh) Jemi tipa dhe karaktere shumë të ndryshëm.
– Me çfarë të bëri për vete Anjeza?
– Këtu unë marr frymë thellë përpara se të përgjigjem sepse ka një kompleks gjërash, të cilat më tërhoqën tek Anjeza. Më ka tërhequr që në momentin e parë ideja e të pamundurës. Anjeza ka qenë kategorike në mospranimin për të krijuar një raport, pasi mendonte se nuk isha mashkull që mund të dedikohej me kohë të plotë në një marrëdhënie. Ka qenë skeptike në fillim, gjë që e ka pasur deri vonë dhe më është dashur shumë kohë që ta bind për të kundërtën. Ne, personazhet e medias nuk dukemi shumë familjarë, ndaj na duhet pak më shumë punë për ta vërtetuar të kundërtën.
– Është gjë e vështirë apo ndihesh mirë kur ke një vajzë të bukur në krah?
– Unë ndihem mirë që kam Anjezën në krah dhe kaq më mjafton. Nëse është e bukur ose jo, kjo ndoshta e bën atë të ndihet më mirë me veten. Për mua, mjafton që është ajo në tërësinë e saj.
– Ndodhesh në një qytet ku s’të njeh njeri… Çfarë do të bëje diçka që nuk mund ta bësh zakonisht kur je në vendin tënd?
– S’e kam menduar ndonjëherë sepse unë jetoj si çdo njeri tjetër në vendin tim. Unë i përkas vendit tim dhe jetoj në maksimum. Bëj gjithçka që më vjen të bëj në rrugë, në kafe, në shtëpi apo kudo. Jam i shpenguar dhe profesioni im është puna ime, e cila nuk më bën mua ndryshe nga të tjerët. Koncepti i VIP-it, në Shqipëri, për mua, nuk ekziston. Nuk më duhet asnjë vend apo qytet tjetër ku s’më njohin. Unë njoh veten time dhe bëj atë që ajo më thotë në çdo kohë, qytet, vend apo hapësirë.
– Kush është njeriu i fundit që i thua “Natën e mirë”? Po “Mirëmëngjes”?
– Natën e mirë e ndaj prej vitesh tashmë me Anjezën, por mëngjesi i herët më detyron t’i them mirëmëngjes shoferit të televizionit, që më merr çdo ditë për të shkuar në punë. (Qesh)
– Je tip që më shumë kërkon falje apo fal?
– Kërkoj falje, por fal pak. Nuk kërkoj kurrë falje nëse nuk e kam gabim, qoftë dhe për t’i bërë tjetrit qejfin. Nuk fal asnjë rast të mosmirënjohjes dhe për këtë kam humbur edhe njerëz të rëndësishëm, që në një moment të jetës së tyre e kanë shprehur këtë gjë ndaj meje. Nuk fal kurrë fjalët e thëna pabesisht, nga persona të ashtuquajtur “të besuar”, pas krahëve. Nuk fal intrigën dhe mungesën e theksuar të edukatës, të cilën fatkeqësisht, e has shpesh.
– Kujt i ke kërkuar falje së fundi?
– Nuk di me saktësi të them një rast së fundmi, por besoj se Anjezës.
– Ka ndonjë gjë që e bën më të lehtë suksesin?
– Unë besoj, mendoj dhe kam provuar se të qenit i suksesshëm është një lëmsh i madh diskutimi. Mendoj se puna intensive, e nxëna në vazhdimësi, leximi në çdo kohë dhe mirësjellja, në çdo rast, janë çelës suksesi.
– Nëse ka diçka të pamundur, cila është ajo?
– Unë mendoj se në jetë, gjithçka është e mundur. Vetëm një gjë është e pamundur: Të rikthejmë në jetë personat e dashur, që vdekja na i merr.
– Çfarë të bën të ndihesh mirë?
– Përqafimin e prindërve të mi, e ruaj si ilaçin që më shëron nga çdo e keqe. Një telefon me ta, duke qenë se tashmë jetoj prej 10 viteve i shkëputur prej tyre, më bën të adhuroj faktin që ekzistoj. Akoma edhe më shumë kur më vizitojnë në Tiranë. Më ngre në qiellin e shtatë buzëqeshja e Anjezës dhe prania e mbesës së vogël Rea. Rea më bën të shkëputem nga realiteti dhe të kaloj në kampin tim të lumturisë. Ditët me të janë parajsë.
– Çfarë ta prish humorin?
– Nëse Anjeza nuk buzëqesh dhe diçka ne familjen time nuk shkon.
– Je shofer i mirë?
– Në fillim të këtij viti unë kam marrë patentën, për shkak të nevojës, sepse edhe punën e kam goxha larg nga shtëpia. Tani po ia marr dorën, por jam shumë i kujdesshëm. Makinën e shoh si një mjet në shërbimin tim, kështu që i kushtoj më shumë rëndësi kokës time sesa llamarinave të saj. (Buzëqesh)
– Pushimet e tua më të gjata…
– Dua apo nuk dua, pushimet e mia më të gjata janë as më pak e as më shumë se 15 ditë dhe të tilla kanë qenë që prej moshës 17 vjeçare, kur kam filluar të punoj.
– Cilin emocion nuk do të arrije ta shpjegoje dot me fjalë?
– Dashurinë, a mundet dot dikush ta shpjegojë me fjalë? Nëse dashurinë do ta shpjegoje me fjalë, unë mendoj se nuk do të dilte koha ta bëje me vepra, ndaj kam preferuar më shumë këtë të dytën.
– Me kë të shijon një kafe e mirë?
– Unë pi vetëm një kafe në ditë, në mëngjes, sapo hyj në zyrë, por një sakrificë për të pirë një të dytë, do të ishte vetëm me nënën time.
– Je vonë për diku… Si justifikohesh?
– S’jam kurrë vonë, madje jam gjithmonë 10 minuta më para dhe në këtë pikë nuk fal. Vonesat janë gjithmonë një arsye e fortë për të debatuar ashpër me çdokënd që më lë të pres. Në fakt, nuk pres njeri! (Buzëqesh)
– Paragjykon apo përpiqesh gjithmonë t’i kuptosh të tjerët?
– Dikur kam qenë shumë paragjykues. Ndoshta mosha ka bërë të vetën, por sot jam një person që pranoj gjithçka ndryshe, deri në momentin që nuk më cënon. Nëse më cënon, gjykoj dhe nuk paragjykoj.
– Çfarë nuk do të kishe guximin ta bëje kurrë?
– Të dhunoja një femër.
– Çfarë do të doje të të ndodhte nesër?
– Të zgjohem sërish në mëngjes dhe të falënderoj Zotin për një ditë më shumë në jetën time.
– Cila është lumturia për ty?
– Një shpirt i mbushur me dashuri, energjia për ta jetuar ditën si të ishte e fundit. Të kesh pranë njerëz që buzëqeshin dhe janë të lumtur prej faktit që të kanë pranë. Lumturi është të provosh në kuptimin e plotë të fjalës se ç’do të thotë të kesh familje.
– Në jetë duhet të bëjmë atë që na bën të lumtur apo atë që duhet bërë?
– Absolutisht, atë që na bën të lumtur. Unë mendoj se zemra nuk gënjen asnjëherë.
– Jeta do të ishte e mërzitshme pa…
– …lindjen e një jete të re…
– Çfarë do të të bënte të humbisje qetësinë?
– Mosmirënjohja, përgojimi, imoraliteti. Nuk mund të bëj kompromis me asnjërën nga këto.
– Si do ta përshkruaje shefin tënd me tre fjalë?
– Njerëzor, këmbëngulës, familjar.
– Çfarë mendon se mendon ai për ty?
– Përveçse mund të them se kam një marrëdhënie shumë të mirë me të, s’di të them se çfarë mendon. Për këtë mund të pyesni atë. (Buzëqesh)
– Nga gjithçka që të rrethon, çfarë të duket më e çuditshme?
– Njeriu. Qenia, e cila ndryshe nga kafsha, mund të mohojë edhe pjellën e saj.
– Në këtë moment, do të doje një biletë avioni për ku?
– Do të pranoja pa hezitim një biletë për të fjordet e mrekullueshme suedeze. (Buzëqesh)