Për të takuar zotin Halim Kosova nuk e pata fare të vështirë. E dija ku ta gjeja. Si përherë, në klinikë. Shkova atje dhe trokita…
Halim Kosova: – Hyr! Uaaaa, Kasua! Hajde Kaso hajde! Ç’e mirë të solli? Do lindësh?
Kaso Kosa: – Ç’është kjo fjalë, zoti Kosova?! Qëkur kanë filluar të lindin burrat?
– Lëre Kaso, jam bërë lëmsh. Më ka hutuar politika. Ç’m’u desh mua t’i futesha kësaj të flamosure!
– Jeni penduar?
– Edhe po, edhe jo.
– Si, edhe po, edhe jo, zoti Kosova?
– Po ja, mo Kaso. Lindjet kanë rënë fare, po kur të them fare, domethënë fare-fare. Gratë s’lindin më si më parë. Edhe ato që lindin, shkojnë e lindin jashtë. Pra, nga njëra anë, mirë bëra që hoqa dorë nga gjinekologjia. Nga ana tjetër: S’ia them fare për politikë unë, Kaso. Ti më ke parë që s’kam folur asnjëherë në Parlament.
– Si ndodhi që vendosët të kandidonit për Bashkinë e Tiranës, zoti Kosova?
– Si ndodhi, the? Më mori në telefon në orën 2.22, Kryetari i PD-së sonë, Kaso. “Eja, tha se dua të të them diçka”.
– Ju mori vetë zoti Basha?!
– Nuk më mori Basha, jo! Më mori zoti Berisha. Nejse! “Ç’të ketë ndodhur, mendova që më do me urgjencë?”. Për të lindur, s’ma ha mendja të kishte lindur zonja Berisha. Jo se s’mundet, se edhe zonjat e tjera kanë lindur me vezë nga donatorë, por nga bisedat që kam bërë më parë me zotin Berisha, më kishte thënë që bashkë me zonjën e tij kishin vendosur të mos lindin më fëmijë, se do t’ua përflisnin për biznese të paligjshme.
– Dhe ju shkuat?
– Mendova se mos më donte që ta ndihmoja në ndonjë lindje të ndonjë zonje në strukturat drejtuese te partisë dhe u nisa. Mora veglat me vete. Kur e takova zotin Berisha, më tha që “ty Halim të kemi vendosur si kandidat për në bashki. Vetëm ti si gjinekolog mund ta nxjerrësh partinë tonë nga… i s’ëmës ku u futëm pas zgjedhjeve të fundit”. Aty më ranë veglat Kaso. Veglat e punës, domethënë.
– Besoni se do fitoni?
– Ku di unë, Kaso! Po të më votojnë gjithë gratë që kam ndihmuar në lindje, fitoj, po ti e di, shoqëria jonë është patriarkale. Vendimet i marrin burrat dhe gratë do bëjnë siç duan ata.
– Zoti Kosova, desha t’ju pyes. Si u ndjetë kur zoti Rama ju quajti “të lodhur”?
– Kaso, një burrë është i lodhur kur nuk i punojnë “veglat”. Po kështu, edhe një gjinekolog.
– Po për deklaratën e zotit Taulant Balla, i cili tha që “zoti Kosova ku nuk i ka futur duart”, ç’mendoni?
– Mirë ka thënë, ku nuk i kam futur, por s’besoj se zoti Balla ka lindur me ndihmën time. Pra, diku edhe nuk i kam futur. Pastaj, Kaso, detyra e gjinekologut kjo është. Mbase zoti Balla ka lindur në autobus dhe nuk e di këtë gjë, se do ta ketë ndihmuar në lindje ndonjë që është ndodhur aty rastësisht. Mbase mund të ketë lindur me ndihmën e veterinerit të fermës, ose shoferit, apo faturinos së autobusit. Ose mund të ketë lindur edhe në fushë, domethënë në ndonjë shkurre a ferrë anash fushës…
– Si ju duket fushata, zoti Kosova?
– Ku di unë! Aq sa di ti, di edhe unë. Unë s’ia thek fare për premtime. Shkoj takoj njerëzit. Po më tha ndonjë që ka gruan për të lindur, mirë. Ndryshe, ç’të llafos me ta? Iki shpejt.
– Mendoni se do fitoni?
– Fitova, humba, njëlloj është për mua Kaso, por unë nuk besoj se do fitoj, sepse ky popull nuk voton atë që i ndihmon nënën, por atë që i bën nënën… Nuk e kam problem, fitoj a humbas, por për një gjë jam i kënaqur; që me ndarjen e re të zonave elektorale, tashmë në bashki futen edhe fshatrat. Fshatarët lindin shumë më shumë se qytetarët dhe, nëse fitoj, u premtoj se do u gjendem pranë në lindje. Ky është ndryshimi im me Erion Veliajn. Ai thotë që do u gjendet pranë me “rilindjen”, unë me lindjen.
Bisedoi me shaka: Kaso KOSA