E nderuar redaksi e gazetës “Intervista”! Së pari, dua t’ju uroj suksese e punë të mbarë në misionin tuaj fisnik. E lexoj me kureshtje të gjithën gazetën dhe vazhdimisht, më bëjnë përshtypje rrëfimet e shumë personave si puna ime, që duan të ndajnë brengën e tyre me shpresë se mos lehtësohemi.
Jam pesëdhjetë e katër vjeçe dhe jetoj në Amerikë. Sigurisht, kam lindur dhe jam rritur në Shqipëri, në qytetin e Lezhës. Ne ishim gjashtë fëmijë në familjen tonë. Jam rritur e lumtur pavarësisht vështirësive të shumta ekonomike si dhe problemeve që kishte familja jonë me biografinë. Neve na ka rritur gjyshja. Ajo na ka mbajtur, na ka përcjellë e marrë nga shkolla të gjithëve me radhë, ndërsa prindërit e mi punonin për të siguruar jetesën. Gjyshja nuk kishte pension, sepse nuk kishte punuar asnjëherë, por ka qenë një plakë trupvogël për nga natyra dhe të kërrusur e bërë dysh nga hallet e jo nga mosha. Gjyshes një djalë ia pushkatuan komunistët, një djalë bashkë me gjyshin u arratis dhe nuk arritën asnjëherë të kontaktojnë me familjen për shkak të izolimit. E vetmja pjesë e familjes që kishte krijuar vetë ishte ajo e babait tim.
Babai im nuk mbaj mend t’i kthejë ndonjëherë fjalë, jo vetëm për dashurinë që kishte për të, por edhe sepse ishte mirëfilli sojnike siç themi ne dhe këtë soj e tregonte në gjithë mirërritjen tonë. Mamaja ime ka qenë grua shumë e paqtë, shumë e drejtë, por shumë e urtë dhe të them të drejtën, ka vuajtur me ne të gjithë. Babai ishte natyrë e rreptë dhe jo vetëm kaq, por edhe problemet e vazhdueshme për shkak të biografisë e bënin që të ishte gjithmonë i mërzitur. Gjyshja, duke qenë se e kishte rritur djalin vetëm, ishte përplasur nëpër kampe përqendrimi dhe ishte transformuar si burrë. E vetmja gjë që e bënte të qeshte apo ta donte jetën, kemi qenë ne, nipërit e mbesat. E thoshte vazhdimisht se “këta fëmijë më mbajnë gjallë”. Mamaja ime, për faktin që ajo na donte neve aq shumë, kurrë nuk ka shkëmbyer fjalë me të.
Edhe ne, ashtu u rritëm, me njëqind halle. Nga natyra ishim të butë si mamaja jonë, por vështirësitë e jetës na bënë të ktheheshim edhe ne dy vajzat në burrnesha e vëllezërit të bënin si të fortë. Unë isha më e madhja e fëmijëve. Shkollën e mesme e mbarova shkëlqyeshëm, por as që mendohej të kërkoja të drejtë për bursë për universitet. Edhe vëllezërit e mi ishin shumë të mirë në shkollë, po të gjithë patëm të njëjtin fat, vetëm arsimin e mesëm. Unë sapo mbarova shkollën e mesme, desha të filloja punë, por komshija që kishim në pallat, më prezantoi me kushëririn e saj që banonte në Laç. Edhe ai kishte probleme me biografinë, por më pak se ne. Kështu, u fejova. Titi ishte simpatik dhe i dashur. U martova dhe m’u duk sikur m’u hapën sytë pas martese. Kishim shtëpinë tonë dhe unë fillova punë në uzinën e Laçit, ku punonte edhe burri. Shkonim e vinim me turne bashkë e ishim të lumtur. Zoti na gëzoi me një vajzë dhe pata fatin që të ma rriste vjehrra e të mos e çoja në çerdhe apo në kopshte. Pas katër vitesh të tjera, linda vajzën e dytë, por këtë radhë, vjehrra ime jo thjesht nuk e mbajti, por edhe më tha:
– Të ishte djalë, do ta mbaja me qejf, po ti vetëm vajza di të bësh, kështu që çoje në çerdhe si gjithë fëmijët e tjerë.
M’u duk sikur më rrahu dhe nuk ishte vetëm fjala e vjehrrës, por ajo do të pasohej edhe me fjalët e problemet që do të më hapte burri im. Pa mbaruar akoma lejen e lindjes, mora vesh se ai më tradhtonte me një grua tjetër, që ne e kishim kolege në punë. E mora vesh se i gjeta në shtëpinë time. Ai nuk e priste që do të kthehesha nga Lezha dhe e kishte marrë dashnoren e tij në shtëpi, ndërsa unë u ktheva se vajza e dytë m’u sëmur te prindërit e mi e unë, duke ditur problemet që më kishin filluar me burrin tim, pata frikë të qëndroja më gjatë. Por, ç’mund të bëja? Të ndahesha, nuk e përballoja dot jetën e vetme. Pastaj, do të më përgojonin aq shumë, si e bija e armikut të popullit dhe babait tim do t’i sillja edhe të tjera probleme. Kështu, vendosa të duroja. Prindërve të mi u tregova sepse nuk dija me kë tjetër mund të flisja. Vëllai im i dytë, kur e mori vesh, erdhi në shtëpi dhe gati u rrah me burrin tim për tradhtinë e tij, por kjo doli në dëmin tim. Sapo burri u sigurua që vëllai im iku, m’u sul mua dhe më rrahu në sy të vajzës së madhe, sikur të isha një copë druri. Meqenëse isha me raportin e lindjes, munda të rrija e mbyllur derisa m’u shëruan të nxirat nga e rrahura. Vajzat po rriteshin dhe ai vazhdoi të njëjtin avaz, sa me një grua me tjetrën. Mua më kishte në shtëpi sa për ta larë e pastruar, shkurt, si shërbëtore. Kështu vazhdova dhe për disa vite, që mua më janë dukur shekuj, derisa ndryshoi sistemi.
Sapo ndryshoi sistemi, vendosa të bëja një shkollë dhe fillova fakultetin me korrespondencë. Burri im tallej gjithmonë me mua, por s’më bënte asgjë përshtypje për çka i përket atij dhe familjarëve të tij. Ndërsa unë vazhdova shkollën, uzina e Laçit pothuajse u mbyll dhe ai mbeti pa punë. Unë, meqenëse mbarova dy vite shkollë, fillova punë si mësuese në një shkollë fillore në afërsi të Laçit. Tashmë, gjërat ishin kthyer në krahun tim, por unë i kisha ngjarë nënës sime; nuk mund të sillesha në të nëjtën mënyrë me të. Vendosëm të provonim të kishim dhe një fëmijë të tretë se mos do kishim shans të lindnim djalë dhe me të vërtetë që Zoti e dëgjoi lutjen time. Pasi linda djalin, kisha mbaruar shkollën dhe fillova punë menjëherë, por rroga për të mbajtur tre fëmijë dhe dy të rritur, ishte shumë e vogël. Më në fund, burri im e mblodhi mendjen që duhej të punonte e jo të numëronte fustanet e grave të qytetit. Babai im kishte një mik në Tiranë që na ndihmoi dhe këtu, jeta ime më në fund mori kthesën përfundimtare. Titi filloi punë shofer në një ambasadë në Europë dhe pasi punoi atje për një vit, arriti të na merrte edhe neve me vete. Por “lufta” e ’97-tës në Shqipëri bëri që të ndryshoheshin ambasadorët dhe sigurisht, edhe shoferi ikte bashkë më ambasadorin.
Ne në Shqipëri nuk donim të ktheheshim, fëmijët ishin përshtatur shumë shpejt me gjuhën dhe vendin, por nuk kishim asnjë shans të qëndronim. Atëherë në ditët e fundit në ambasadë, ambasadori na ndihmoi të iknim për Amerikë.
Të parët, u nisëm unë, me vajzën e madhe dhe me djalin. Kaluam për mrekulli pa probleme dhe atje shkuam te një shok i vëllait, që na premtoi të na ndihmonte. Pas nja dhjetë ditësh, erdhi dhe burri im, me vajzën e dytë.
Fillimi në Amerikë ishte një kalvar i vërtetë vuajtjesh, por me gjithë kushtëzimin se ishim pa dokumente, burri im nuk e kishte me qejf punën dhe gjendjen ekonomike e kishim keq. Megjithatë, unë prapë isha më mirë nga ç’do të isha në Shqipëri.
Vajzat filluan të ambientoheshin me shkollën. Gjashtë muajt e parë…
Vajzat filluan të ambientoheshin me shkollën. Gjashtë muajt e parë i lija fëmijët gjithë ditën para televizorit që të mësonin të flisnin. Burri im flinte gjumë, ndërsa unë punoja në tre shtëpi të ndryshme si pastruese.
Të tria shtëpitë ku punoja ishin afër njëra-tjetrës dhe të zonjat e shtëpisë më ndihmuan që të gjeja edhe punë të tjera. Ndërmjet punëve që më gjetën, ishte edhe pastrimi i një klinike dentare. Dentisti ishte i divorcuar dhe jetonte i vetëm. Ai më tha se kishte nevojë t’i pastroja edhe shtëpinë dhe unë, sigurisht, kisha nevojë për punë. Punova për rreth një vit në pesë shtëpi e në klinikë dhe realisht, lodhesha, por isha e lirë. Javët e para kur pastroja shtëpinë e dentistit ai punonte, por më pas filloi të rrinte në shtëpi. Kjo nuk ndodhte shpesh, por kur ai qëndronte, kisha një lloj frike, dyshimi. “Mos i ka humbur gjë dhe dyshon tek unë?”, mendoja. Edhe kjo më duhej, të më iknin dy punë dhe të merrte fjala dhenë, ndërkohë që nuk kisha marrë asgjë. Mes gjithë këtyre dyshimeve e frikërave të mia, një ditë kur po pastroja klinikën, ai më erdhi pas e më tha:
– E dashur, mos ki frikë nga unë. Nuk kam asgjë me punën tënde. Thjesht, ti më dukesh femër interesante, edhe pse je emigrante dhe punon si pastruese.
Në fillim u stepa e u tërhoqa, por nuk pata kohë të reagoja më shumë sepse ai u largua. Ditën tjetër, kur më duhej të pastroja shtëpinë, ai po më priste në shtëpi dhe më tha:
– Prita që ta pi kafen e mëngjesit me ty. Të thashë, më dukesh femër interesante dhe dua thjesht të flas me ty. Kafet po i bëj unë.
Ai bëri kafet e filloi të më pyeste për jetën time. I tregova për çka më pyeste e në fund, ai më përkëdheli dorën, tha “mirupafshim” e iku. Kështu, filluam të flisnim më shumë me njëri-tjetrin si në shtëpi, ashtu edhe në klinikë. Kur i kisha treguar për jetën time, ndër të tjera, i tregova që e kisha mbaruar shkollën shkëlqyeshëm.
– Atëherë, pse nuk vazhdon një shkollë dy vjeçare këtu dhe më ndihmon mua në laborator? Do të jetë punë shumë më e mirë dhe më e paguar për ty.
Qesha me të madhe për çka më tha dhe i thashë që shkolla nuk ishte për mua tani që isha dyzet e pesë vjeçe. Pas dy ditësh, m’u desh t’i merrja leje sepse djali im kishte dalë i pari në një olimpiadë matematike që ishte zhvilluar në qytet dhe duhej të isha edhe unë në ceremoninë e shpërndarjes së çmimeve. Dentisti ma dha gjithë ditën pushim kur e mori vesh për çfarë më duhej leja.
– E kam për nder të kem në punë mamanë e një djali kaq të shkëlqyer dhe, përveç kësaj, tani të jap urdhër që edhe ti të vazhdosh atë kursin për laborante.
Dhe kështu, unë fillova të kërkoja dëftesat e shkollës së mesme në Shqipëri dhe dhashë provime pas provimesh derisa u regjistrova. Sigurisht, të gjitha këto i bëra me ndihmën e dentistit. Pak nga pak, rashë në dashuri me të. Edhe ai këtë priste. Kisha dyshuar që ai donte vetëm të më fuste në shtrat e pastaj të më hidhte në rrugë, por jo. Ishte ai personi që më nxiti të vazhdoja shkollën edhe në Amerikë, edhe pse në moshë goxha të madhe dhe me një punë vetëmohuese, sepse më duhej të ushqeja edhe fëmijët. Gjatë gjithë kësaj kohe, burri im jo vetëm që nuk punonte, por filloi të bridhte pas fustaneve edhe në Amerikë.
Kjo lloj sjelljeje më shtyu akoma më shumë në krahët e punëdhënësit tim. Gjithçka filloi aq natyrshëm mes nesh sepse ne kishim kohë që flisnim si shokë, por natyra ime e sinqertë dhe nuk mund të duronte që të isha edhe e martuar, edhe me të dashur tjetër në punë, ndaj vendosa t’ua thoja fëmijëve dhe burrit tim. Kur u thashë, vajzat e miratuan menjëherë sepse po rriteshin me mentalitet tjetër dhe e kishin parë që marrëdhënia jonë kishte qenë për të qarë hallin. Pastaj, fakti që burri im nuk punonte fare, ua kishte nxirë jetën edhe atyre. E kështu, mes histerizmave të burrit tim, unë i kërkova të ndaheshim, por për çështje dokumentesh, nuk kishim si të ndaheshim ligjërisht. Atëherë zgjidhja ishte vetëm që të jetonim në shtëpi të ndryshme. Të tre fëmijët ndenjën me mua. Unë fillova të dilja lirshëm me të dashurin tim të ri dhe ai vinte shpesh në shtëpinë time. Edhe unë shkoja në të tijën, jo më si pastruese, por si shoqja e krahut. Më në fund, morëm edhe dokumentet dhe filluam procedurat e divorcit me burrin. Më dukej sikur çdo gjë po zvarritej, sepse realisht, nuk e duroja dot më. Më në fund, jam divorcuar prej tij dhe jam martuar me një amerikan. Kam martuar dhe të dyja vajzat e jam bërë gjyshe. Edhe burri im i dytë është i lumtur kur vajza ime e madhe na vjen në shtëpi me vajzën e vogël. I thotë vetes gjysh gjithë kohës dhe duket i lumtur. Më në fund, edhe unë, në moshën pesëdhjetë vjeçare, gjeta paqe e lumturi. Por, nëse unë jam e lumtur, duhet të pranoj me keqardhje që për prindërit e mi divorci im ka qenë i tmerrshëm. Ata jetojnë në Shqipëri dhe vuajnë paragjykimet e komshinjve. Ndaj, në këtë letër, do të doja t’u thoja gjithë prindërve: Mos shikoni e dëgjoni komshinjtë, shikoni vetëm lumturinë e fëmijëve tuaj!