– Doktoreshë Mira, vajza ime vuan nga një kollë e shpeshtë. Kur lëviz, djersitet dhe ka temperaturë. Është vetëm 7 vjeçe. Vë re se kjo gjendje i është theksuar më shumë që nga pranvera e këtej. Çfarë duhet të bëj që të shërohet?
Dr. Mira Xhixha, alergologe: – E nderuar zonjë, së pari, duhet të dini që kolla ka shumë shkaktarë, prandaj vajzës suaj i duhet bërë patjetër një vizitë tek alergologu, për të gjetur shkakun, pasi ajo mund të ketë ndonjë alergji të stinës. Te fëmijët, ato që shkaktojnë më shpesh kollë të shfaqur gjatë ndryshimeve klimaterike janë të ftohurat e zakonshme të cilat shkaktohen nga viruse që prekin hundët dhe grykën. Kjo gjendje haset më shpesh në pranverë dhe në vjeshtë, pra, në ato stinë ku ka një luhatje të madhe të temperaturës së ajrit, lagështisë dhe shtypjes atmosferike.
– Këto të ftohura zgjasin pesë deri gjashtë ditë dhe shoqërohen me shqetësime në hundë e temperaturë jo shumë të lartë. Shkaktare tjetër e kollës që shfaqet në këto periudha është dhe alergjia e pranverës, prandaj ngul këmbë me idenë që ju ta dërgoni vajzën patjetër tek alergologu. Me anë të kësaj konsulte dhe analizave që do t’ju kërkohen nga mjeku, do të mund të përjashtohen ose konfirmohen shkaktarët alergjikë. Mirë është të keni me vete edhe të gjitha llojet e analizave që keni bërë, për t’ia treguar mjekut. Tani është periudha më e rrezikshme përsa u përket alergjive të pranverës prandaj duhet ta keni vajzën patjetër nën kontrollin e mjekut.