Megi dhe Keisi, apo më mirë Brunetts, ishin ëmbëlsirat e “X Factor 4”. Doni ta vërtetoni këtë edhe një herë këtë? Ja, statusi i tyre, fill pas eleminimit të së hënës:

“Përshëndetje të gjithëve. “X Factor” këtu për ne mbaroi, por jo shoqeria jonë. Ka qenë një eksperiencë super e bukur për ne dhe i jemi shumë mirënjohëse të gjithe stafit, duke përfshirë këtu jurinë, të mrekullueshmet Alketa Vejsiu dhe Vera Grabocka. Gjithashtu, falënderojmë trajneren e zërit më të mirë dhe më të duruar në botë, Hata Koca. Mbi të gjitha, i jemi shumë mirënjohëse publikut që na ka mbeshtetur nga audicionet dhe deri më tani. Grupi Brunetts do të vazhdoje rrugëtimin që na mundësoi ky kompeticion. Ju puthim ‪#‎Brunetts”…

Ja, çfarë na thonë ato vetë, në këtë bisedë për gazetën tonë…

 

Besarta Luga: – Keisi dhe Megi, dukeni aq të ngjashme sa edhe emrat jua ngatërrova… Jeni të sigurta se nuk jeni binjake?

Keisi: – (Qesh) Të gjithë na pyesin se çfarë jemi, motra, kushërira apo binjake! Ne jemi shoqe shumë të mira prej 4 vjetësh; kjo është e gjitha, por gjithsesi, do të na pëlqente të ishim edhe motra.

Megi: – Ne të dyja jemi njohur në një kurs muzike, aty ku filloi edhe shoqëria jonë.

– Pse Brunetts? Me këtë emër, s’do të keni mundësi ta ndryshoni asnjëherë ngjyrën e flokëve!

Keisi: – (Buzëqesh) Brunetts ka lindur krejt rastësisht… Një ditë po mendonim për emrin e grupit dhe po gjenim ngjashmëritë tona. Ngjyra e flokëve na u duk ide e bukur për ta përdorur si emër të grupit. Gjithashtu, tingëllonte shumë interesante edhe në anglisht. Duke qenë të dyja zeshkane, e morëm parasysh që bjonde nuk do të na shkonin flokët, kështu që…

Megi: – Në fakt, kemi pasur shumë alternativa emrash për t’ia vënë grupit, por me asnjërin nuk ramë dakord të dyja; ky ishte i vetmi dhe i duhuri!

– E keni vënë ndonjëherë në diskutim me veten tuaj se ndoshta do të kishte qenë më mirë të paraqiteshit veç e veç, në audicion?

Keisi: – Pikërisht kjo ishte veçantia jonë; një grup me dy vajza të ngjashme, relativisht të vogla, që plotësonin më së miri vokalet e njëra-tjetrës.

– Çfarë ju shtyu më shumë të paraqiteshit së bashku?

Megi: – Shtysa më e fortë ishte shoqëria mes nesh, por normalisht, edhe aspekte të tjera… Vokali i ngjashëm, tipi dhe pamja fizike, ishin arsye më vete.

– Cila është cilësia më e mirë që keni së bashku?

Keisi: – Ne na karakterizon optimizmi, ëndërrojmë shumë dhe punojmë fort që ëndrrat tona t’i bëjmë realitet.

– Megi, cila është cilësia më e mirë e Keisit?

Megi: – Përsa i përket anës vokale, ajo ka një zë shumë të plotë, ndërsa përsa i përket tipit të saj është shumë kokëfortë. (Qesh)

– Kejsi, cila është cilësia më e mirë e Megit?

Keisi: – Kur zëri i Megit bashkohet me timin, nuk arrij të dalloj cili është zëri im, aq shumë ngjason, ndërsa përsa i përket tipit, është e vetmja shoqe që më bën të ndjehem sikur ta kisha motër.

– Si e mendoni të ardhmen, së bashku apo veç e veç?

Megi: – Për ne, Brunetts sapo ka lindur. Ne dëshirojmë një jetë të gjatë dhe të suksesshme, sigurisht, me mbështetjen e fansave tanë.

– Si do ta përshkruani ndryshimin tuaj, nga dita e audicioneve, deri sot?

Keisi: – Normalisht, puna është çelësi i suksesit. Me ne kanë punuar fort njerëz profesionistë, një staf i tërë, ndërsa ne kemi patur vullnetin dhe dëshirën për të qenë në një skenë si ajo! Normalisht që kjo do të kishte një ndikim në rritjen tonë artistike.

– Si u futët në konkurrim dhe si po dilni prej tij?

Megi: – U futëm dhe dolëm me dinjitet, duke përfaqësuar më së miri moshën tonë, sepse të ngjitesh ne një skenë si ajo e “X Factor”-it, nuk është edhe aq e lehtë sa duket.

– Kam përshtyjen se në çdo sfidë që keni patur, ju keni menduar vetëm për sfidën e ardhshme dhe jo për fundin… Dukej sikur nga momenti në moment, prisnit që eksperienca juaj do të merrte fund. Është e vërtetë?

Keisi: – Siç thotë edhe Pepsi, “live the moment” (jeto momentin). Këtë bënim edhe ne, shijonim momentin, skenën, miqtë. Është e rëndësishme që ta duash dhe të japësh 100 përqindëshin tënd në atë që bën.

– Ju ishit ato që gëzoheshit më shumë pasi emri juaj e kalonte momentin e sfidës, apo thjesht, ju ishit ato që e tregonit më shumë gëzimin tuaj…

Megi: – (Buzëqesh) Jo, ne thjesht nuk duam t’ia dimë se ku jemi, në televizion apo në jetën e përditshme dhe ashtu siç e ndjejmë, ashtu edhe e shprehim.

– Nëse do të kishit fituar “X Factor”…

Keisi: – …do të nisnim ëndrrën tonë në skenat shqiptare, pse jo, edhe ato botërore, sepse pasioni për muzikën te ne nuk shuhet kurrë.

– Jeni ende shumë të reja… mendoni se do t’i qëndroni çdo vështirësie që mund të hasni në të ardhmen?

Megi: – Pengesa më e madhë është frika dhe gabimi më i madh është dorëheqja.

– Çfarë ju pret tani?

Keisi: – Kemi disa plane, por do të ishte më mirë t’ia linim kohës.

 

 

Konkurrentët

– Do të kishit dashur të ishit në sfidë me një tjetër dhe jo me Mateon këtë herë?

Megi: – Besoj se juria mori vendimin e duhur.

– Pse mendoni se e fitoi sfidën ai dhe jo ju?

Keisi: – Për eksperiencën dhe pjekurinë e zërit, për shkak të moshës.

– Cili është konkurrenti më i fortë dhe pretendenti më i madh për çmimin?

Megi: – Të gjithë i kemi miq shumë të mirë dhe nuk do të donim të diferenconim askënd. Përderisa janë akoma aty, janë të gjithë shumë të mirë!

– Me cilin konkurrent u lidhët më shumë?

Keisi: – Siç e tha edhe Megi, me të gjithë ishim afruar shumë dhe tani që po më pyet, nuk di cilin emër të them më parë. Ne ishim si një familje e madhe që na bashkonte e njëjta ëndërr!

 

Më jepni një mendim për secilin nga mentorët

– Pandi

Keisi&Megi: – I pagabueshëm.

– Bleona

Keisi&Megi: – Energjike.

– Miriami

Keisi&Megi: – Bashkëpunuese.

– Albani

Keisi&Megi: – Gjithmonë pozitiv.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here