Dark Mode Light Mode

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Follow Us
Follow Us

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use

Zamira Kita: Vajza është krenare për mua…

Ajo është një nga figurat më të dashura të ekranit prej disa vitesh tashmë dhe kjo, sepse ka ditur ta menaxhojë shumë mirë aktivitetin e saj artistik. Asnjëherë e tepërt në daljet publike, asnjëherë e ekzagjeruar, gjithnjë e qeshur (ashtu siç është në të vërtetë), me role të bukura, të cilat mbeten gjatë në memorien e publikut. Prej pak kohësh, Zamira është edhe imazh i një reklame televizive. Në intervistën e saj, Zamira Kita rrëfen se si e ndan jetën mes drejtimit të Teatrit të Korçës dhe dedikimit në familje e shumë të tjera rreth jetës së saj…

– Zamirë, ti i ke kryer studimet në kryeqytet dhe, ndonëse jeta dhe karriera jote u zhvilluan më së shumti në Korçë, ke qenë gjithnjë me një këmbë në Tiranë. Të shohim herë pas here që kthehesh në teatër me shfaqje. Të mungon jeta e Tiranës?
– Është e vërtetë që jam me një këmbë në Tiranë. Më pëlqen jeta e saj artistike, por vazhdimisht kam pasur projekte të cilat më kanë mbajtur lidhur me kryeqytetin. Edhe shfaqjet e Korçës i kemi sjellë gjithmonë në Tiranë dhe për këtë jam e lumtur. Bashkëpunimet me Teatrin Kombëtar do të vazhdojnë edhe në të ardhmen. Unë jam e realizuar, sepse edhe arti ynë është i bukur dhe i arrirë.
– Kohët e fundit, je përzgjedhur si imazh i një spoti publicitar, që ka në qendër reklamimin e një bombule gazi dhe kafeje, njëkohësisht. Si erdhi kjo ofertë?
– Idea për realizimin e reklamës erdhi nga një agjenci që merret me realizim reklamash. Atyre u kishte shkuar mendja tek unë si një personazh i njohur, femër, familjare dhe siç u shprehën ata, “e dashur për publikun”. Pasi kishin folur me pronarët, të cilët kishin rënë dakord, me shumë kënaqësi filluam punën. Kaq ishte…
– Cilat veti mendon se “të kanë dhënë dorë” në këtë përzgjedhje?
– Mendoj se më ka dhënë dorë fakti që jam një person publik, me humor, që publiku më do…
– E preferon kafenë? Ishe në rol kur t’u dha pjesa që do të interpretoje apo erdhi natyrshëm, sepse je edhe konsumatore?
– Kafeja është gjëja që më pëlqen më shumë, e shijoj shumë, jam e varur prej saj. Pi shumë kafe gjatë ditës, ekspres me qumësht dhe turke. Në reklamë kam qenë shumë e sinqertë përsa i përket kafesë, por edhe për bombulat e gazit “ELKA”, sepse janë vërtet shumë të mira dhe ekonomike. Kam menduar që kështu i vij në ndihmë jo vetëm firmës, por edhe amvisave.
Me kafenë kam raporte shumë të mira. Kafeja më shoqëron që në orët e para të ditës. Kur çohem herët, kafenë e parë e pi në shtëpi, pastaj në pushimin e parë gjatë provave, pi kafenë e dytë. Pasdite pi një kafe në shtëpi me vjehrrën time dhe ndonjëherë, ka raste që pi kafe edhe në darkë gjatë shfaqjes ose në lokal, me miq.
– Çfarë mendon për femrat e njohura të ekranit, të cilat kanë një moshë të caktuar… Cili është mesazhi që duhet të përcjellin ato nëse publiku i sheh si imazhe?
– Femrat e ekranit nuk kanë ndonjë gjë të veçantë nga femrat e tjera, veç faktit që janë të njohura, pra, persona publikë dhe sigurisht, mendimi im është që ato duhet të jenë më të kujdesshme në çdo gjë, sepse femrat e tjera u referohen atyre, përpiqen t’u ngjasojnë, të vishen si ato, të kenë të njëjtën paraqitje. Unë mendoj se femrat e ekranit duhet të jenë një shembull i mirë për emancipimin dhe zhvillimin e femrës në Shqipëri.
– Përveçse një nënë e përkushtuar, ti je edhe drejtuese e një institucioni të rëndësishëm kulturor, siç është Teatri i Korçës. Si e balancon kohën?
– Kam 8 vjet që e drejtoj Teatrin e Korçës dhe kam kaluar shumë sfida, edhe të vështira madje. Tani më duket sikur jam mësuar me to dhe më duken më të lehta. Jam e kënaqur me çfarë kam kaluar, me çfarë kam udhëhequr, me çfarë kam realizuar. Kemi bërë shfaqje shumë të bukura, të realizuara, me pjesëmarrje të suksesshme në festivale teatrore në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni, por sigurisht që ka ende shumë probleme. Një prej tyre është shtimi i numrit të publikut. Unë dhe stafi që drejtoj bëjmë të pamundurën për reklamimin e shfaqjeve, si dhe për rritjen e numrit të shikuesve, përdorim të gjitha mënyrat. Gjithashtu, po e ngremë zërin fort për një ndërhyrje në infrastrukturën e teatrit, sepse ka shumë nevojë. Shpresojmë dhe besojmë që do të kemi një rikonstruksion të teatrit. Kjo është një nga sfidat tona.
– Po në institucionin e familjes, a je një “drejtore” që urdhëron?
– Në shtëpi nuk ka drejtorë… as ime bijë, Enira dhe as bashkëshorti im Beni, nuk më lejojnë, madje ata komandojnë më shumë se unë. Gjithmonë me të lutur i realizoj gjërat që dua, sepse jam natyrë tolerante dhe ua plotësoj të gjitha dëshirat atyre. Përgjithësisht, merremi vesh shumë mirë me njëri-tjetrin.
– Sa kohë shpenzon me vajzën tënde, me gjithë impenjimet që ke?
– Shpenzoj shumë kohë për vajzën time… gjithë kohën që më ngelet nga angazhimet e mia të rëndësishme, asgjë që nuk vlen shumë, nuk e vë para vajzës sime. Nuk harxhoj kohë kot, sepse e kam shumë të vyer. Vajzës sime i fal jo vetëm kohë, por edhe shumë dashuri. Ajo e kupton që unë i kushtohem shumë. Merrem me të, me mësimet e saj e gati-gati ajo është e varur nga unë për të mësuar. Merrem shumë edhe me argëtimin e saj: I krijoj mundësi për t’u marrë me art, për të bërë shfaqje të bukura me shkollën.
– Çfarë mendimi ka ajo për nënën e saj të realizuar?
– Ajo është e lumtur për suksesin tim, ndjehet mirë, më do si artiste, e kupton që edhe njerëzit më duan dhe i pëlqen kjo gjë. Është krenare për mua; kështu thotë.
– Në ç’gjurmë po ecën vajza?
– Asaj i pëlqen shumë arti, luan në kitarë, aktron dhe imiton. Babai i saj është kitarist dhe ka studiuar violinë, pra, Enira lidhjen me artin e ka nga të dy.
– Po për veten, a gjen kohë?
– Dita ime është shumë e ngarkuar, sepse përveç aktivitetit artistik, realizimit të roleve; unë kam edhe ngarkesën dhe përgjegjësinë e drejtorisë. Tani gjithçka është më e vështirë, sepse janë më shumë institucione. Tani teatri është bashkë me Qendrën e Kulturës, Bibliotekën “Thimi Mitko”, Bibliotekën e Fëmijëve “Thoma Turtulli” dhe Muzeun Oriental “Bratko”. Pra, mendoni se çfarë ngarkese kam unë… Ju keni të drejtë kur thoni “si e balancon kohën”, sepse edhe familja ka nevojë për mua, sidomos vajza. Unë gjej kohë të merrem me të, por kam ndihmë të madhe vjehrrën, e cila në të përditshmen time më ndihmon për gatimin dhe ndonjë punë tjetër të nevojshme në shtëpi.
– Cilat janë projektet e momentit?
– Projektet e mia të afërta janë “Doktor Shuster”, me regji nga Qëndrim Rijanit, në rolin kryesor Sotiraq Bratko dhe komedia “Perëndeshë e bukurisë”, shkruar nga Piro Mani dhe vënë në skenë nga Spiro Duni. Këto janë dy vepra të mëdha dhe pa dyshim, do të jenë të bukura dhe të suksesshme.

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Add a comment Add a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Post

Shpjegimi i endrrave tuaja...

Next Post

Jonida: Bigu ta ndryshon jetën, për mirë ose për keq

Advertisement