Bëra një kafe
– Para dy netësh kam parë në ëndërr sikur po i bëja kafe një shoqes time dhe i hidhja edhe sheqer. Ëndërr të tillë s’kam parë ndonjëherë. A ka ndonjë kuptim?
– Ëndrra tregon se do të keni mundësi të merreni me një projekt të rëndësishëm. Kjo ka lidhje dhe me marrëdhëniet në çift. Këshilla që jepet në këtë rast është që nuk duhet ta merrni me nxitim, reflektoni përpara se të merrni vendime përfundimtare. Hedhja e sheqerit tregon se keni nevojë për pak më shumë ëmbëlsi dhe kënaqësi në jetën tuaj reale. Nuk ka asgjë të keqe nëse ndonjëherë e lini veten të lirshëm dhe i kënaqeni momentit. Nuk duhet të mendoni shumë çfarë ka ndodhur apo të shqetësoheni më shumë seç duhet për të ardhmen.
Vëllai u martua me kushërirën
– Ju lutem, ma shpjegoni këtë ëndërr, se m’u duk shumë e çuditshme. Pashë sikur vëllai im po martohej me gocën e tezes dhe mua më vinte çudi e neveri në të njëjtën kohë sepse habitesha se si mund të martohen dy persona që janë kushërinj. Ata kishin blerë edhe unaza të cilat shkëlqenin shumë. A ka ndonjë kuptim?
– Nuk keni pse të shqetësoheni për një ëndërr të tillë. Ajo ka më shumë shpjegim psikologjik sesa parashikon ndonjë ngjarje në veçanti. Martesa e vëllait me kushërirën tregon bashkimin e tipareve mashkullore me ato femërore brenda jush. Duke pasur cilësi të tilla, ju mund t’i sillni shumë favore vetes suaj dhe jetës suaj në përgjithësi. Do të keni gëzime në familje dhe kjo falë aftësive tuaja të mira bashkëpunuese me veten dhe me ata që ju rrethojnë.