Kryqëzori Costa Concordia, që u përplas në brigjet e Italisë në vitin 2012, kishte në bordin e vet një sasi të madhe kokaine, të futur aty nga mafia italiane. Ndrangeta, organizata mafioze e Kalabrisë, e kishte fshehur drogën e saj në kryqëzorin gjigand, që u anua në janar të vitit 2012 dhe u shkaktoi vdekjen 32 njerëzve. Kjo gjë është zbuluar nga regjistrimet e telefonave të pjesëtarëve të bandës. “E njëjta anije që na bëri gazin e botës, na prishi punë edhe neve”, mësohet t’i ketë thënë bosi i Ndrangetës, Mikele Rosi, një bashkëpunëtori të tij, Masimo Tiralongos, sipas hetimeve të bëra nga oficerët e policisë që po hetonin operacionin e trafikimit të kokainës. Sipas detajeve të hetimit kriminal të zbuluar në gazetën “La Repubblica”, përveç anijeve të linjës Costa Cruises, Ndrangeta mësohet të ketë vënë drogë edhe në anijet e MSC dhe ato të Norvvegian Cruise Lines, që udhëtojnë ndërmjet Europës, Amerikës së Veriut dhe Karaibeve. Oficerët e grupit të hetimit të krimit të organizuar të Firences thanë se droga në Concordia, e cila nuk u gjet, ishte vënë në anije pa dijeninë e policëve, apo organizatorëve të udhëtimit, por me siguri, me bashkëpunimin e një ose më shumë pjesëtarëve të ekuipazhit.
Në shkurtin e këtij viti, Françesko Sketino, kapiteni i Concordias, u shpall fajtor për vrasje me qëllim, duke shkaktuar përplasjen e anijes dhe braktisjen e saj para pasagjerëve. Ai u dënua me 16 vjet burg. Anija u dërgua në Gjenovë në korrikun e vitit të kaluar për t’u bërë hekurishte, me një operacion që kushton 100 milionë euro dhe që pritet të zgjasë afro dy vjet.
Advertisement