– Jam një nënë e re, që jam bërë me djalë tashmë prej pesë muajsh. Ajo çfarë më habit te djali im është se sa e prek, apo kur e laj tek organi gjenital, atij i ngrihet përpjetë si të jetë i rritur. Ai është i vogël për të pasur këtë lloj reaksioni, a duhet të shqetësohem për këtë gjë?
– Kjo gjë që ndodh te djali juaj është shumë normale dhe nuk keni pse të shqetësoheni. Ereksione të tilla te djemtë janë shumë normale dhe u ndodhin të gjithë fëmijëve. Ata i kanë këto dhe kur luajnë, apo kur i lajnë nënat e tyre, apo edhe kur prekin veten e tyre për kuriozitet. Prandaj, rrini e qetë. Edhe pse është i vogël, ai ka lindur me të gjitha ndjesitë që duhet të ketë një person. Thjesht, është fëmijë dhe nuk e di se çfarë është kjo gjë.
– Çfarë analizash duhet të bëj unë sepse më duket se jam impotent? Jam 30 vjeç dhe s’kam pikë dëshire për seks.
– Duhet të bëni një vizitë te mjeku androlog që të vendosë ai se për çfarë analize keni nevojë. Duhet të gjendet shkaku i impotencës tuaj, kohëzgjatja, kur keni bërë seks për herë të fundit, a merrni ilaçe të tjera për ndonjë shqetësim etj. Duhet parë gjithashtu nëse këtë mungesë dëshire e keni edhe për t’u masturbuar, apo edhe kur ndodheni përballë një partnereje shumë seksi e joshëse. Pra, vizita te mjeku i sqaron shumë gjëra dhe është ai që vendos llojin e analizës që duhet të bëni.
– Nëse një mashkull të kërkon me ngulm të bësh seks edhe kur nuk ke dëshirë, duhet patjetër të bësh seks?
– Nuk e di se ç’lloj marrëdhënieje keni ju, por di t’ju them se çdo gjë duhet bërë me dëshirë dhe me marrëveshje mes çiftit. Seksi nuk është diçka që bëhet me zor, por me dëshirë dhe dëshira duhet të jetë e dyanshme. Këtë gjë duhet ta rregulloni ju me partnerin tuaj dhe të gjeni një zgjidhje të ndërmjetme. Nëse e dashuroni këtë person, përpiquni të gjeni shkakun e mungesës së dëshirës dhe të flisni hapur me partnerin duke i kërkuar kohë gjersa të ndiheni gati për një gjë të tillë.
Advertisement